Veton Berisha: Me bllokadat institucionale po humb Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj

Veton Berisha është politikan i cili përfaqëson komunitetin egjiptian të Kosovës. Studimet i ka përfunduar pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura me 11 qershor, ai fitoi edhe një mandat të deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në legjislaturën e fundit, ai ka qenë anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Aktualisht është kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane.

Në një intervistë për Gazeta e Re, Berisha flet për bllokadën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në zgjedhjen e institucioneve të reja, raportet e ndërsjella që i ka partia e tij me të tjerat, angazhimin e tij dhe PLE-së për pozitën e egjiptianëve në Kosovës e çështje tjera.

GeR: Z. Berisha pasi që ju ishit deputet edhe më parë, do të donim të dinim për fillim, cili është dallimi që ju mund ta përmendni mes kësaj legjislature dhe atyre që ishin më parë e në të cilat ishit edhe ju? Është më kualitative legjislatura aktuale apo jo?

Berisha: Sa i përket përshtypjes time rreth dallimit në mes të kësaj legjislature dhe të kaluarës, në momentin që po flasim akoma nuk mund të jap ndonjë vlerësim pasi që Kuvendi është jo-funksional dhe nuk ka mundësi të dihet akoma kualiteti dhe të bëhet ndonjë krahasim me mandatin e kaluar. Sido që të jetë, në këtë mandat ka një ndryshim të madh në përbërje ku deputetë e këtij mandati janë figura të reja dhe të ndryshme qoftë për nga aspekti i moshës ashtu edhe nga profili. Pres që ky mandat me qenë më funksional dhe më efektiv sepse sipas meje do të ketë edhe pozitë edhe opozitë konstruktive. Po ashtu edhe në përbërje të forcave politike ka ndryshime të cilat pritet të japin efekt edhe në punën e Kuvendit. Unë mendoj se kuvendit gjithnjë i duhet një përbërje me përqindje të barabartë me prezencë të deputetëve me përvojë nga mandatet e kaluara dhe pjesa tjetër me deputet të rinj por ekspertë në fusha të caktuara.

GeR: Ajo për të cilën ju mban mend opinioni kosovar është kundërshtimi juaj për të votuar rritjen e pagave dhe mëditjeve për deputetët. Cili është qëndrimi juaj, a e meritojnë deputetët edhe pagën që e kanë? Nëse po/jo pse?

Berisha: Unë vazhdoj të mendoj se paga e deputetëve nuk duhet rritur për faktin se jemi në dijeni për gjendjen ekonomike të qytetarëve tonë në Kosovë e në veçanti të komunitetit që unë përfaqësoj. Po ashtu dihet fakti se shumë nga deputetët punën në Kuvend e kanë sekondare apo terciare sepse kanë edhe të ardhura të tjera dhe përkushtimi i tyre nuk është i plotë në punën e Kuvendit. Ndërsa duke e vlerësuar edhe nga mandati i kaluar mendoj se ka deputetë që e meritojnë edhe t’ju rritet paga pasi që i tërë përkushtimi i tyre është në punën e Kuvendit dhe njihen si ekspertë të mirë dhe të njëjtit i sjellin shumë dobi qytetarëve të Kosovës përmes ligjeve të mira. Fatkeqësisht ky numër i deputetëve është shumë i vogël. Me rritjen e ekonomisë së qytetarëve të Kosovës mund të rriten edhe pagat e deputetëve ndërsa për momentin jo.

GeR:Tanimë po kalojnë dy muaj që kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe ende nuk i kemi institucionet e vendit. Si deputet i Kuvendit, cili është vlerësimi juaj, ku është problemi?

Berisha: Mentaliteti i bllokadave të institucioneve që po krijohet në Kosovë është jashtëzakonisht i pa pranueshëm. Këtë mentalitet po e mundësojnë edhe paqartësitë apo mungesa e dispozitave kushtetuese të cilat do të duheshin të parashihnin edhe situatat e tilla në mënyrë që askush të mos ketë mundësi të bllokojë konsolidimin e institucioneve. Me këtë rast, po humb Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj. Mbesim të presim në përgjegjshmërinë e secilit prej neve të jap zgjidhje konsolidimit të institucioneve. Arsye kryesore është etja personale e individëve për pushtet. Po presim që më 24 gusht të kemi veprime konkrete në konsolidimin të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

GeR: Gjatë mandatit tuaj si deputet edhe i legjislaturës së re të vendit, çfarë është ajo për të cilën ju do të angazhoheni me prioritet për komunitetit tuaj?

Berisha: Unë do të vazhdoj angazhimin tim në punët të cilat më mbeten në mandatin e kaluar. Por më prioritet do të luftoj çfarëdo inferioriteti dhe diskriminimi që i bëhet komunitetit tim Egjiptian. Do të përpiqem që komuniteti im të ketë një pozicion më të mirë në shoqëri. Unë angazhohem që komuniteti im të ketë jetë cilësor, t’i ngritët niveli i edukimit, të ketë punësim të barabartë, të trajtohet si qytetar i barabartë i këtij vendi, t’i mbrohen të gjitha të drejtat të cilat i takojnë me ligj dhe t’i jepen edhe detyra shtetërore që do të ishin në dobi të përgjithshme. Si p.sh të jenë më prezent në institucionet e sigurisë siç janë Policia, Ushtria, Doganat etj etj.

GeR: Ju dhe subjekti juaj politik tek cili subjekt tjetër brenda Kuvendit të Kosovës gjeni më shumë pika partneriteti që mund të konsiderohet bashkëpunim?

Berisha: Unë duke u nisur nga kënd vështrimi im dhe komunitetin të cilin unë e përfaqësoj, nuk kam asnjë vijë të kuqe për mundësi bashkëpunimi apo partneriteti me asnjë subjekt politik. Por deri më tani nuk e shoh asnjë subjekt politik i cili zhvillimin apo mbështetjen e komunitetit Egjiptian e sheh me prioritet. Secili nga ata janë afër apo realizojnë diçka konkrete vetëm nëse ju qëndron mbi kokë faktori ndërkombëtar apo kushtëzohen me votë nga ana e jonë. Mbesim të shohim se çfarë do bëjnë subjektet që do të qeverisin për komunitetin tim Egjiptian!?

GeR: Dhe për fund cila do të mund të ishte porosia për përkrahësit tuaj e që ka të bëjë me punën tuaj prej deputetit?

Berisha: Porosia ime për fund është se nga këtu si zakonisht prapë ju bëj thirrje komunitetit tim Egjiptian të qëndroj sa më i bashkuar dhe të mos hesht para çfarëdo padrejtësie institucionale që i bëhet. Unë jam në dispozicionin e tyre që të avokoj dhe ngris para institucioneve secilin shqetësim të tyre. Ndërsa institucioneve të Kosovës ju bëj apel që ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës janë ligje që edhe duhet implementuar e jo vetëm për tu hartuar sa për sy e faqe të opinionit./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet