Vështirësi në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

Dy dekada pas luftës askush nuk është dënuar për krimet që janë bërë, ndërsa Kosova po vazhdon të përballet me vështirësi për sigurimin e provave. Janë vetëm tre prokurorë që po merren me krimet e luftës në Prokurorinë Speciale, e ky numër po shihet si pengesë për trajtimin e të gjitha rasteve dhe zbardhjen e tyre.

Kështu u tha sot në diskutimin “Krimet e luftës-Sigurimi i provave, sfidat dhe përvojat me dëshmitarë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka konsideruar se 20 vjet pas luftës, një ndër sfidat më të mëdha gjyqësore, mbetet procesi për krimet e luftës, duke marrë parasysh që kompetencat për këto lëndë kanë kaluar nga një administratë në tjetrin.

“Duke marrë parasysh që ende nuk është një bashkëpunim i duhur mes prokurorive dhe organeve të ndjekjes, sidomos për krimet e luftës të Serbisë dhe të Kosovës, dhe si pasojë e kësaj mungesës ndjekjes penale janë bërë edhe më të vështira. Gjithashtu 20 vjet më vonë është shumë e vështirë për hetuesit dhe prokurorët që të gjejmë prova forenzike, materiale apo dukumente, në mënyrë që t’i ndërtojnë lëndët. Prandaj të shumtën e rasteve prokurorët duhet të bazohen edhe në dëshmitë e dëshmitarëve, dhe shumë shpesh është gogja vështirë që të gjinden dëshmitarët. Por, edhe ata që japin dëshmi, në shumë raste ka ndodhur që t’i ndërrojnë ato”, tha ai.

Udhëheqësja e departamentit për krime luftë në Prokurorinë Speciale, Drita Hajdari problemin më të madh për sigurimin e provave e konsideron Tribunalin e Hagës. Sipas saj, krimet e luftës pas dy dekadave, kanë qenë çështje që e kanë trajtuar ndërkombëtarët, e për të cilat askush nuk u interesua se çfarë po ndodhë me lëndët.

“E kemi pasur një heshtje të çuditshme dhe nga mendimi im i papranueshëm. Sepse askush nuk i ka penguar askënd me pyet misionin se çfarë po ndodhë me krimet e luftës. Në momentin kur krimet e luftës kalojnë në duart e prokurorëve vendor përnjëherë e kemi një situatë kur zgjohen prej gjumi edhe fillojnë me pyetje të shumta çfarë po ndodhë, ku jemi me krimet e luftës, madje unë si prokurore pranoj pyetje të tilla, më thonë sa aktakuza janë ngritur prej pasluftës deri më tash për krimet e luftës. Unë ju them për këtë është dashur të pyetet misioni ndërkombëtar, sepse unë nuk mundem t’i numëroj aktakuzat të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Unë mund të ju njoftoj për aktakuzat që ne i kemi ngritur”, tha ajo.

Nga misioni i EULEX-it, Hajdari tha se janë trashëguar raste kur është filluar diçka të punohet, mirëpo shumica e rasteve janë në fazën e hershme para penale, ose raste në të cilën nuk është ndërrmarrë asgjë.

“Ne si prokurori vendore kemi pranuar përfundimisht lëndët nga EULEX-i në fund të vitit 2018. I kemi pranuar diku rreth 900 lëndë të krimeve të luftës dhe dikun rreth 2000 dosje për personat e zhdukur. Kjo ka qenë dhe është një ngarkesë shumë e madhe për tre prokurorë sa punojmë në këtë departament, duke pasur parasysh që ne të tre, kemi edhe raste të tjera të natyrës tjetër të veprave penale. Korrupsionin, terrorizmin dhe vepra penale të tjera nga kompetencat e Prokurorisë Speciale. Unë personalisht i kom 285 lëndë në punë, duke përafërsisht njëjtë i kanë edhe kolegët e mi të cilët punojnë në fushën e krimeve të luftës”, tha Hajdari.

Hajdari mes tjerash ka theksuar se nga misioni i EULEX-it, kanë pranuar lëndë në formë të kopjeve, për të cilat tha se kanë kërkuar edhe origjinalin, e që nuk kanë pasur mundësi t’i gjejnë.

Udhëheqësja e departamentit për krime të luftës, ka theksuar se ka  raste të dëshmitarëve të cilët nuk dëshirojnë të dëshmojnë.

Me këtë u pajtua edhe avokati Artan Çerkini, ku sipas tij sa më e vjetër që është prova, aq më e vogël është vlera provuese e saj. Faktimi i veprave penale tha se është proces i ndërlikuar, sepse prej kohës kur ka ndodhur krimi, kujtesa e dëshmitarit zbehet dhe është vështirë sigurimi i provave.

“Vështirësitë më të mëdha në procedimin e e krimeve të luftës kanë të bëjnë me faktin se provat kryesore janë dëshmitarët, provat materiale mund të themi se janë më shumë ndihmëse, ndërsa provat gojore janë provat kryesore, nëse një ngjarje ka ndodhur para 20 viteve atëherë kujtesa edhe zbehet, dhe dëshmitari gjatë dëshmisë mund të jetë kundërthënës e ne dimë se çdo dyshim me një lidhje me një fakt mund të lidhet me një fakt, se kështu e parashikon ligjin”, tha Çerkini.

Prokurori i EULEX-it, Paul Flynn tha se shumica e dosjeve ishin vetëm kopje e dokumenteve kopje, për më tepër sipas tij kanë pasur problem me dëshmitarët.

“Sa i përket ri-intervistimit të dëshmitarëve, ka shkaktuar vonesa në ngritjen e aktakuzave. Përfundimisht kemi ngritur aktakuzat, por pastaj kemi hasur në probleme me dëshmitarët të cilat kanë dhënë dëshmi, dhe pastaj ata kanë thënë nuk e dimë, nuk më intereson, nuk po më kujtohet. Ai ligj për të cilin kam avokuar, ka ndryshuar dhe tash është e mundur që ta konfrontosh apo ta ballafaqosh dëshmitarin me deklaratën e tij”, tha ai.

Problem tjetër, tha se ka qenë çështja e ndryshimit të deklaratave.

E avokati Dejan Vasiq tha se dëshmitarët të cilat jetojnë tash në Serbi, kanë qenë të frikësuar që të vijnë e dëshmojnë, për shkak se janë frikësuar të thonë të vërtetën.

Mirëpo, sipas tij, ata të cilët jetojnë në Kosovë, më lehtë e kanë pasur të dëshmojnë atë që kanë parë gjatë luftës.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet