Në Qendrën Komunale të Numërimit të Mitrovicës së Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri në orën 09:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga 105 sa i takojnë kësaj komune.
“Ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, tha ai.
Derisa sipas tij, një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
“Përveç aktiviteteve në QKN, aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë. Deri në orën 09:00 ditë së mërkurë, janë rinumëruar 10 vendvotime”.















