Vendosin votuesit apo ndërkombëtarët se kush do të jetë kryeministër i Kosovës?

Sipas publikimit të fundit të Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit (IFIMES), skena politike në Kosovë do të pësojë ndryshime të papritura duke bërë që zgjedhjet e 11 qershorit ta nxjerrin fitues Lëvizjen Vetëvendosje.

Instituti që operon në Ljubljanë të Sllovenisë ka vlerësuar se votuesit e papërcaktuar janë të mendimit se “duhet të dënohet pushteti aktual (PDK-LDK)”, transmeton Gazeta e Re.

Valmir Ismaili, hulumtues në Demokracia Plus duke komentuar të dalat e IFIMES-it thotë se nuk janë institutet ndërkombëtare e as ato vendore që vendosin se kush do të jetë kryeministër i vendit ndonëse konsideron se gjasat që VV të fitojë janë të vogla.

“Edhe Albin Kurti edhe Avdullah Hoti do t’i kishin gjasat më të mëdha për t’u bërë kryeministër nëse LDK dhe VV do të vendonin që në koalicion të hyjnë së bashku. Tani, me këto koalicione aktuale gjasat janë të vogla që LDK apo VV të dalin të parat në zgjedhje dhe si rrjedhojë të kenë mundësinë e bërjes së kabinetit qeveritar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se mandati për bërje të qeverisë i takon subjektit apo koalicionit që del i pari pas certifikimit të rezultateve”, thotë Ismaili për Gazeta e Re.

Një pjesë e analizës së institutit pritet të dalë e saktë në planin afatgjatë sipas opinionistit Faton Mehmeti.

“Ndryshimet që pritet të ndodhin pas fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila supozohet që mund t’i arrestojë krerët kryesor të PDK-së, do t’ia lehtësonte shumë rrugën Albinit për të ardhur në pushtet. Është evidente që kjo gjykatë do e ndryshojë skenën politike në vend”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, do të ishte surprizë e madhe nëse VV del partia e parë në këto zgjedhje, veçmas pas koalicionit të “krahut të luftës”. Por, ai nuk ka mëdyshje se kjo parti do të fitonte sikur të hynte në koalicion parazgjedhor me LDK-në.

“E vlerësoj si gabim të madh mos koalicionin e LDK me VV, pasi kështu do fitonin bindshëm kështu që tani janë të rrezikuara të mbesin në opozitë. Nëse do të kishte koalicion mes LDK-së dhe VETEVËNDOSJE-s do ishte e pritshme që Albini të ishte kryeministër pas zgjedhjeve të 11 qershorit, por është e vështirë që kjo të ndodh pasi koalicioni mes PDK-AA-NISMA edhe në sondazhe po del të jetë shumë përpara të tjerëve”, vlerëson Mehmeti.

Ndërkaq sipas analistit Islam Krasniqi është shumë e mundshme që parashikimet IFIMES-it të dalin të sakta e Kurti të zgjidhet kryeministër.

“Praktika na ka treguar së koalicionet shpeshherë dinë edhe të na zhgënjejnë. Ka mundësi që populli do diçka më ndryshe dhe e përkrah LVV-në, dhe të nominuarin e saj për kryeministër z.Kurti, sepse partia e tij ka filluar të vlerësohet edhe nga jashtë me qeverisjen në Komunën e Prishtinës, duke e futur edhe Prishtinën në hartat ndërkombëtare, me punën dhe suksesin e tyre. Instituti Slloven me seli në Lubjanë e ka etiketuar z.Kurti për kryeministër, duke e parë të denjë për ta udhëhequr qeverinë. Në rast se VV-ja del e para në zgjedhje, koalicioni me LDK-në është shumë i vlefshëm, sepse janë parë afrime mes tyre, e që na bënë të kuptojmë se mund të ketë një koalicion mes tyre, mirëpo edhe s’ju ka mbetur opsion tjetër për të zgjedhur”, përfundon Islami.

Kujtojmë se Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit do të garojë e vetme. Sipas ligjeve në fuqi, partia e cila fiton 50 + 1% të votave arrin që të marrë pushtetin duke siguruar pozitat më të larta shtetërore./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet