Vendim historik: Fëmijët do të mbajnë mbiemrin e të dy prindërve në rast mosmarrëveshjeje

Të sapolindurit në Itali nuk marrin më në mënyrë automatike mbiemrin e babait, por mbiemrin e të dy prindërve.

Një urdhëresë historike është firmosur nga Ministria e Brendshme Italiane, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese Italiane që orienton se fëmijët e sapolindur duhet të marrin mbiemrin e të dy prindërve nëse mes tyre nuk ka një marrëveshje të përbashkët për të marrë mbiemrin e njërit apo tjetrit prind.

Me një urdhëresë firmosur më 18 qershor 2022 e shpërndarë të gjitha prefekturave dhe kryetarëve të bashkive në të gjitha komunat italiane, Ministria e Brendshme Italiane urdhëron zyrat e gjendjes civile të regjistrojnë fëmijët e sapo lindur me mbiemrat e të dy prindërve.

Ata mund të marrin mbiemrin e babait apo të nënës vetëm nëse ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy prindërve.

Ky vendim i takon të gjithë fëmijëve të sapo lindur e të gjithë atyre që ende nuk janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile.

Për raste të tjera, pra për fëmijë të regjistruar me mbiemrin e njërit apo tjetrit prind, në rast mosdakordësitë mes prindërve, vendimi duhet të merret nga Gjykata

Urdhëresa e Ministrisë së Brendshme Italiane është bazuar një vendim unik të Gjykatës Kushtetuese, redaktuar nga një gjykatëse grua, Elisabetta Navarretta e cila qartëson motivet se pse mbiemri i babait që fëmija e sapolindur duhet të merrte automatikisht pas lindjes, është në kundërshti me principet kushtetuese e me Konventë Evropiane të të drejtave të njeriut.

Sipas saj ky automatizëm përkthehet si një padukshmëri të nënës e shenjë pabarazie mes prindërve, e që ndikon dhe në identitetin e fëmijës. Mbiemri e lidh fëmijët me formimin shoqëror që e mirëpret dhe i ka rrënjët në identitetin e tij familjar, prandaj duhet të pasqyroj dhe të respektoj barazinë dhe dinjitetin e barabartë mes prindërve.

Vetëm një marrëveshje e përbashkët mes prindërve mund të lejoj që fëmija e sapolindur të marrë mbiemrin e njërit apo tjetrit prind.

Menjëherë pas urdhëresës së Ministrisë së Brendshme Italiane, janë regjistruar rastet e para të sapolindurve që kanë marrë mbiemrin e të dy prindërve si në Salento, Romë, Milano e Cagliari.

Deri më sot marrja në mënyrë automatike e mbiemrit të babait bazohej në ligjin 262 të kodit civile që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është bërë i pavlefshëm.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme