Vend i varfër por me “zemër” të madhe

Ndonëse Qeveria e Kosovës nuk arriti t’i siguronte mjetet e nevojshme për t’i përmbushur obligimet financiare ndaj veteranëve të luftës dhe pavarësisht asaj që vendi po kalon nëpër një krizë politike, e për rrjedhojë edhe ekonomike, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dje rreth mesditës, nëpërmjet një statusi në facebook i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndante 100.000 dollarë, si ndihmë ndaj familjeve amerikane të prekura nga uragani. Në muajin gusht disa linja hekurudhore u ndërprenë për shkak të mungesës së buxhetit, SBASHK-u ka paralajmëruar protesta për shkak të pakënaqësive dhe mos-aprovimi i buxhetit të Kosovës për vitin që po vjen mund ta thellojë edhe më shumë krizën ekonomike. Por pavarësisht këtyre rrethanave, ka zëra që e mbështesin idenë e Thaçit për t’u dalë në ndihmë familjeve amerikane – shkruan Gazeta e Re.

Kuvendi i Kosovës pat miratuar Lixhin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017, i cili parashihej të ishte 2 miliardë euro, ose rreth 320 milionë euro më shumë se viti paraprak (2016). Por duke qenë që Qeveria Mustafa nuk arriti ta përmbyllte një mandat të plotë qeverisës dhe pasi që vendi u fut në krizë politike e ekonomike pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, njëra pas tjetrës janë duke u paralajmëruar reaksionet e institucioneve e asociacioneve të ndryshme që janë prekur drejtpërsëdrejti nga kjo krizë. 4 milionë euro kanë bërë që veteranët të mbesin pa pensione për muajin gusht, siç e thamë, SBASHK-u ka paralajmëruar protesta, ndërsa askush nuk mund ta imagjinojë se si do të rrjedhin gjërat nëse institucionet nuk themelohen së shpejti.

  1. Pra, duke e marr parasysh këtë kontekst, a ka kapacitet Kosova që t’i dalë në ndihmë Hjuston-it?

Njohësi i çështjeve politike në vend Agron Halitaj, tregon se, Kosova edhe në të kaluarën ka ndarë mjete për t’i ndihmuar shtetet që kanë përjetuar katastrofa natyrore.

<<Padyshim se një shtet i varfër siç është Kosova i ka nevojat e veta të shumta, mirëpo në rrethana të caktuara edhe shtetet e tilla duhet të tregohen solidare me shtetet në nevojë, me aq sa kanë mundësi. Shuma që ka kërkuar presidenti Thaçi për t’iu ndarë një shteti i cili ka sponsoruar pavarësinë e vendit tonë dhe ende vazhdon ta ndihmoj shtet-forcimin e saj, është thjeshtë një shumë simbolike, por që ka domethënie të madhe. Duhet pasur parasysh se gati dyfishë më tepër kanë marrë deputetët e rinj pa punuar fare, sesa mjetet që janë kërkuar të ndahen si ndihmë për SHBA-të>>, ka rikujtuar Halitaj.

Kosova ka kapacitete që të solidarizohet me popujt, përkatësisht shtetet e goditura nga ndonjë fatkeqësi elementare, pa marrë parasysh se ajo radhitet në mesin vendeve të varfra, ka thënë ndër të tjera ekonomisti Ibrahim Rexhepi.

Por, sipas tij, megjithatë <<duhet gjetur mundësinë që të ofrojë ndihmë dhe me këtë të dëshmojë ndjenjën e solidaritetit, posaçërisht nëse bëhet fjalë për shtet që gjithmonë qëlluan afër Kosovës, në secilën situatë, siç janë SHBA-të. Nuk do të thotë se ndihmat duhet të jenë domosdoshmërisht financiare. Ato mund të jenë edhe në mallra, apo edhe me fuqi pune. Ndërkaq, nëse bëhet fjalë për ndihmë në para, mund të jep aq sa ka mundësi>>, shprehu mendimin e tij Rexhepi.

Ai vijon duke thënë se, Kosova duhet të kultivojë ndjenjën e solidaritetit dhe të humanizmit edhe për faktin se këtë ndjenjë ndaj saj e kanë treguar shumë popuj të botës. <<Në këtë mënyrë ajo ruan raportet dhe mund të llogarisë në mbështetje eventuale që mend t’i duhet në të ardhmen>>.

Nga ana tjetër, Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Muhamet Ymeri, thotë se, thirrjen e presidentit nuk duhet parë nga këndvështrimi ekonomik, ajo duhet shikuar në aspektin humanitar dhe politik.

<<Shuma të cilën ju e cekni, edhe për shtetin tonë është shumë e vogël, e lëre më për sanimin e dëmeve ekonomike bilionëshe, e mos të flasim për dëme në njerëz. Unë mendoj që është e qëlluar dhe se e përmbushë qëllimin humanitar, miqësor dhe diplomatik>>, mbron idenë e presidentit Ymeri.

2.  Por a ishte normale për të parët e institucioneve tona, kjo mënyrë e komunikimit?

Ditar Kabashi, njohësi i çështjeve juridike, e ka cilësuar si dobësi dhe pafuqi të dy burrave që përfaqësojnë institucionet më të larta të vendit,  të adaptohen me barrën e përgjegjësisë së burrështetasve të vërtetë.

<<Ç’është më interesantja>>, ka thënë Kabashi, <<…përdorimi i rrjeteve sociale po cilësohet si transparencë para qytetarëve dhe po shfaqet si mënyra më ideale e llogaridhënies. Ndërkaq, komunikimi i krerëve të organeve shtetërore përmes këtyre rrugëve paraqet treguesin e qartë se bashkëpunimi ndërmjet tyre është tepër i brishtë. Aq më tepër, kur njëri subjekt është ai që duhet të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve dhe tjetri udhëheqës i ekzekutivit. Përgjithësisht, kjo është politikë populiste>> dhe larg asaj që ka nevojë vendi ynë ka thënë ai.

Por pavarësisht qëndrimeve pro dhe kundër, Presidenti duket që e ka marr seriozisht këtë ide. Ai edhe zyrtarisht e ka dërguar shkresën kryeministrit në largim Isa Mustafa, për të mbështetur qytetarët e Hjuston-it në SHBA, pas përmbytjeve të nxitura nga uragani Harvey, kështu duke respektuar edhe aktet.

Me qytetarët amerikanë të Hjuston-it, u solidarizua edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila e ka formuar një fond të posaçëm për këtë çështje, duke grumbulluar rreth 13,600 dollarë. Iniciativës së tyre iu përgjigjën disa nga kompanitë më të mëdha në vend. /Fahrije Bajrami/Imer Topanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet