Vedat Xhymshiti: Faktori i huaj civil e ushtarak në Kosovë ka njohuri të plotë lidhur me krimin e organizuar në vend

Xhymshiti: Unë nuk po shoh alternativë politike. Dikur kishim një lëvizje e cila refuzonte nisjen e negociatave pa materializimin e të drejtës së brendshme dhe asaj të jashtme për vetëvendosje, por edhe ata i hëngri krymbi i krimit dhe lakmisë.
Xhymshiti: Unë nuk po shoh alternativë politike. Dikur kishim një lëvizje e cila refuzonte nisjen e negociatave pa materializimin e të drejtës së brendshme dhe asaj të jashtme për vetëvendosje, por edhe ata i hëngri krymbi i krimit dhe lakmisë.

Vedat Xhymshiti; është një gazetar dhe korrespondent lufte i pavarur nga Kosova, me qëndrim në Londër. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara dhe themelues i THEFrontliner.net. Kjo intervistë është realizuar ekskluzivisht vetëm për Gazeta e Re.

GeR: Shkrimtari italian Roberto Saviano ditë më parë në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve Presheva Jonë, ndër të tjera vuri theksin te niveli i lartë i kriminalitetit në rajon e veçmas në Kosovë. Një qytetar i thjeshtë mund të mos ketë njohuri rreth nivelit të kriminalitetit që shtrihet në institucionet tona, por ju, sa mendoni që është ndihur kjo kastë politike nga përkrahja ndërkombëtare?

Xhymshiti: Faktori i huaj politik, policor, gjyqësor, civil e ushtarak në Kosovë ka njohuri të plotë lidhur me krimin e organizuar në vend. Këtë e dëshmojnë dosjet e dalura nga WikiLeaks, dosja e NATO-s, pastaj shumë raste të vogla e të mëdha, përfshirë edhe rastin e denoncimit nga prokurorja Britanike e EULEX-it e cila denoncoi organizaten evropiane për përfshirjen e tyre në të njëjtën rrjetë të krimit të organizuar të cilën ata ishin të mandatuar për ta hetuar dhe dërguar para drejtësisë. Edhe më keq, Brukseli zyrtar nuk u mor me të dyshuarit e akuzuar nga prokurorja Bamieh, ata e larguan atë nga Kosova jo vetëm pse ajo kishte hapur dyshime të dokumentuara por edhe për faktin që organizata nuk i kishte ofruar mbrojtje prokurores. Unë kam parë një numër të dokumenteve të brendshme të komunikimeve dhe krerët e EULEX-it në vazhdimësi e kanë kërcënuar prokuroren Bamieh duke e bërë zëdhënësin e krimit të cilët kishin premtuar se do ta vrisnin atë. Kështu, sahere që krimi i organizuar në Kosovë është gjendur para një krize të kollapsit, kanë qenë disa miq evropianë dhe ata amerikanë të cilët e kanë shpëtuar dhe mbështetur mbijetesën dhe zhvillimin e këtij rrjeti që po e shkatërron vendin tash e 17 vjet.

GeR: Pse është përkrahur kjo kastë politike? Për ç’lloj interesash, për cilën kauzë të lartë? Apo qëllimet e perëndimit, nuk kanë të bëjnë me ideale humane, thjesht, historikisht do të mund të cilësoheshin si aksidentale?

Perëndimi në Kosovë është i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë një administratë e kontrolluar nga Oligarkët siç precizon edhe studimi i Universitetit ‘Princeton’, rrjedhimisht siç edhe veprimet e tyre kanë dëshmuar, ata janë një administratë për të cilën para interesave të përgjithshme njerëzore janë interesat e një numri të vogël njerëzish pronarë të korporatave. Ne duhet ta kutpojmë se kjo nuk është aksidentale, por është pasojë e një administrate jodemokratike e cila nuk po i respekton dhe përqafon vlerat universale të të drejtave njerëzore, civile dhe politike. Rrjedhimisht, e vetmja mënyrë se si kjo filozofi mund të mbijetojë është duke zgjedhur individë me të cilët mund të krijojnë rrjetën e tyre mafioze për t’i çuar përpara planet e tyre politike siç është rasti me Kosovën.

Aleanca e Atlantikut Verior e quajtur NATO është themeluar me qëllim që oligarkët Perëndimorë të mund suksesshëm të shfrytëzojnë të gjitha burimet natyrore kudo që ata ia mësyjnë. Jugoslavia ishte një kërcënim për interesat ekspanzioniste të tyre, prandaj ata ishin përfshirë për ta shkatërruar atë duke i përdorur zhvillimet historike për ta nxitur dhunën ndëretnike e cila çoi në shkatërrimin e marëdhënieve ndëretnike. Unë nuk po them se kam ndonjë nostalgji për Jugosllavinë pasi edhe ashtu nuk e kam jetuar atë, mirëpo dua të pyes, pse u desh që fonde Perëndimore të ndihmojnë ngritjen e Millosheviqit dhe veprimtarive të tjera dhunë-nxitëse në Jugosllavi për të bërë që Perëndimi të intervenoj dhe shënoj fundin e Jugosllavisë? Pse ato fonde nuk ishin përdorur për t’i stabilizuar krisjet e marëdhënieve ndëretnike por për t’i tensionuar ato? Ta kujtojmë një gjë të veçantë, Millosheviç ishte një njeri që bëri kërdinë përgjatë gjithë gadishullit Ballkanik dhe ai u raportua si i vdekur para se të përballej me një vendim të drejtësisë në një gjykatë Perëndimore. Pastaj, që nga luftërat e Ballkanit janë vetë Perëndimorët që janë përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për çfarë në bazë të “Ligjit Ndërkombëtar Humanitar” ata duhej të hetoheshin dhe gjykoheshin për veprimtaritë e tyre kriminale, sidomos veprimtaritë e varsjes masive të mbi një milion civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur në Irak, Afganistan dhe vende të tjera në Lindje të Mesme, të cilat kanë qenë cak i administratës së oligarkëve në Uashington dhe Ryadh. Po këta banditë, lejuan dhe investuan zhvillimin e situatave të tilla, ku të rinjët tanë ishin indoktrinuar, rekrutuar dhe trajnuar për t’i shërbyer grupeve terroriste të mbështetura me logjistikë financiare dhe ushtarake nga paratë e Perëndimit dhe Sauditëve të cilët kishin gjetur mbështetje edhe në Turqi, siç dëshmojnë shumë reporte të besueshme dhe të verifikuara.

Gjykuar nga krejt këto dëshmi, dhe faktit që 17 vjet pas luftës në Kosovë, SHBA-të kanë mbështetur Presidentin e vendit Hashim Thaçi, njeriun i cili gjatë kohës sa ai ishte Kryeministër në qershor të vitit 2012, u vodhën 25/kg ari në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë dhe fajtorët nuk u gjetën kurrë; njeriun i cili partizoi dhe rrënoi skajshëm kualitetin e edukimit dhe arsimimit universitarë, me universitetin publik të zhytur thellë në plagjiaturë akademike dhe me mbi 30 universitete private që kishin prodhuar gjenerata të tëra prej diplomave, ku shumica e profesorëve, ishin bashkëpartiak të Hashim Thaçit; Njeriun veprimtaria kriminale e të cilit u dëshmuar edhe në të gjitha raportet e progresit të BE-së, të cilat erdhën me nota negative, veçanërisht duke u përqëndruar në thirrjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Të gjitha raportet ndërkombëtare e kishin renditur Kosovën si vend gjysmë-autoritar dhe me korrupsion jashtëzakonisht të lartë.

Pra të jemi të qartë që Presidenti Hashim Thaçi dhe rrjeti kriminal në të cilin ai është i zhytur bashkë me Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Rexhep Selimin, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj etj., janë njerëz që pa mbështetjen e faktorit të huaj ekzekutiv në vend që hiqet sikur ‘këshillëdhënës’ nuk do të mund t’i shpëtonin përmbytjes nga një reagim serioz qytetar. Tutje Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij – të mbështetur nga SHBA-të – përveq që ishte akuzuar nga Këshilli Evropian për dyshimet e përfshirjes së tij në tregtinë e organeve – gjatë kohës sa ai ishte kryeministër shëndetësia publike jo që ishte shkatërruar, por në klinikat private u gjetën dëshmi të cilat pohuan se tradita e dyshimeve për tregti me organe nuk kishte përfunduar në vitet e hershme, ajo kishte vazhduar me klinikën ‘Medicus’ në Prishtinë – ku bashkëpartiaku i tij Shaip Muja i gjet si njeriu kyç i tregtisë mbase të mësuar dhe mbikqyrur nga ‘shefi’.

Pra, kjo është “miqësia dhe partneriteti ndërkombëtar” për të cilën flasin politikanët tanë në Prishtinë kur paraqiten në konferenca në të cilat shpëtojnë pa u pyetur nga gazetarët. Pra instalimin sistematik të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend na e sollën këta “miq e partnerë” për të cilët qytetarët e painformuar dhe të manipuluar do të mund lehtë edhe të shkrepnin plumb mbi kokën time nëse prej tyre e lexojnë këtë që unë e shkruaj pavarësisht pse unë nuk jam autori i këtyre veprimtarive kriminale, unë jam treguesi, pra denoncuesi. Pavarësisht pse shumica e popullsisë në Kosovë mbase janë të vetëdijshëm se ky rrjet kriminal i mbështetur nga SHBA-të dhe Evropa janë njerëzit të cilët nga një skandal në tjetrin Kosovës ia shkatërruan ekonominë e vendit, duke e aplikuar privatizimin neoliberal siç ishte bërë në vendet Afrikane dhe ato të Amerikës Latine, duke rezultuar që fabrikat dhe ndërmarjet të shiteshin por investimet të mos vinin kurrë. Distribucioni i KEK-ut ishte shitur për vetëm € 26 million euro; këta kishin nënshkruar një marrëveshje pa çmim për autostradën e kombit, që rezultoi të ishte autostrada më e shtrenjtë në Evropë, duke i siguruar ambasadorit amerikan Christopher Dell një emërim si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i ‘Bechtel & Enka’ për kontinentin Afrikan, deri tek fakti ku Dino Asanaj, i cili kishte udhëhequr procesin e privatizimit ishte raportuar të ishte vetëvrarë, pasi ai siç thuhej e kishte goditur trupin e tij 12 herë me thikë. E të zezat nuk kanë fund këtu, ato vazhdojnë me fillimin e valës së parë të imigrimit që solli tragjedinë në Lumin Tisa me të paktën 18 shqiptarë të fundosur, deri tek ikja masive e mbi 5% e qytetarëve të vendit gjatë dhjetorit 2014 dhe shkurtit 2015 dhe thuajse të gjithë të rinjët nga 16 deri në 30 vjet mendojnë si shpresë ikjen nga Kosova. Për të cilën braktisje massive, janë institucionet e Kosovës ato që ua kanë dhënë lejen e qarkullimit autobusëve privat për të bërë transportime të tilla. Me këta banditë që e kanë pushtuar vendin bashkë me disa nga evropianët dhe amerikanët, Kosova mbeti pa pjesën e saj të bregut verior të Mitrovicës dhe pa ushtri. Mbi 50% e qytetarëve jetojnë të papunë dhe thuajse gjysma e tyre jetojnë në varfëri, e që nga viti 2009 po i ndajnë tokën e bujqve shqiptarë Maqedonisë, Malit të Zi, dhe nuk ju dihet se ku do të ndalen, nëse nuk do të del kush e t’i ndaloj.

Pra, këta janë politikanët më në krye Hashim Thaçin, të cilët i kanë mbështetur, ngritur dhe shpëtuar nga përmbytja ambasadorët amerikanë dhe veprimtaritë e shfryrjes së ventillave nga opozita e cila asnjëhere nuk i çoi veprimtaritë protestuese deri në fund. Me këta politikanë marioneta e milionerë të miqve tanë amerikanë, Kosova bisedoi me Serbinë pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe artefaktet arkeologjike deri tek fakti që Kosova mbetet vendi më i varfër dhe më i izoluar në evropë pa liberalizim të vizave, deri tek dështimi i anëtarësimit të saj në UNESKO, deri tek humbja e mbi 8000 hektarëve tokë të bujqve shqiptarë, pasi këta nënshkruan një marrëveshje të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, të cilat veprimtari politike janë vënë si kushte [të paktën sipas propagandës!] për gjoja liberalizim të vizave në kohën kur evropa po e muros vetën dhe po i cungon liritë njerëzore, civile dhe politike në emër të luftës kundër terrorit që në fakt është pasojë e veprimtarisë kriminale të oligarkëve të Uashingtonit të cilat i ka mbështetur edhe vetë evropa, e që siç kisha raportuar unë dhe disa kolegë të mi nga Siria sot e asaj dite përdit po dalin dëshmi edhe më shumë se terrorizmi është një sajesë e SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

GeR: Ç’mendim keni, sa mund t’u besohet alternativave të tjera politike, në kuptimin e përmbysjes së këtij pushteti që bashkëjeton me korrupsionin dhe krimin thënë në gjuhën e Saviano-s?

Xhymshiti: Unë nuk po shoh alternativë politike. Dikur kishim një lëvizje e cila refuzonte nisjen e negociatave pa materializimin e të drejtës së brendshme dhe asaj të jashtme për vetëvendosje, por edhe ata i hëngri krymbi i krimit dhe lakmisë. Ata u bënë parti dhe pranuan të vepronin brenda një  kuadri kushtetues i cili e mohon konceptin mbi të cilin ishte ndërtuar ajo lëvizje, deri tek strehimi i shumë bashkëpartiakëve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, e njëri prej tyre është Rexhep Selimi i cili si në dosjen e NATO-s ashtu edhe në dosjen e shërbimeve inteligjente gjermane evidentohet si njeri i dyshuar për veprimtari të kontrabandës me armë dhe krijimit të parave të pista për rrjetin e Kadri Veselit. Pastaj amerikanët, sauditët dhe turqit e kanë bërë copë më cope shoqërinë ‘kosovare’. Ata kanë investuar qëllimshëm në ndajrjen e shoqërisë në fanatizëm fetar-politik në mënyrë që t’i bëjnë ata “ta hajnë” njëri tjetrin para se qytetarët e vendit të kuptojnë se ku, pse dhe si është e mundur që ata jetojnë në mjerim dhe politikanët janë milionerë. Kriminaliteti ka shkuar aq larg sa shërbimet e fshehta amerikane, turke dhe ato private e publike të Hashim Thaçit, kanë indoktrinuar, rekrutuar dhe trajnuar për veprimtari ushtarake të rinjët tanë për t’i përdorur ata si vegla të zgjerimit territorial për apetite të kontrollit të tregut në Lindje të Mesme e gjetiu. Pa u bashkuar qytetarët e vendit për interesin e tyre njerëzor, është e pamundshme që diçka të ndryshoj. Ndryshimet mund të ndodhin por nëse ato janë të menaxhuara nga të huajt, ato janë ndryshime kozmetike.

Familjarët e të vrarëve në Siri dhe atyre që kanë dëshmi se fëmijët e tyre janë indoktrinuar dhe dërguar për të luftuar në grupet terroriste të financuara nga sauditët dhe amerikanët e mbështetura nga turqia në Lindje të Mesme, nëse ndjejnë për fëmijët e tyre, gjë që nuk e vej në dyshim, nuk duhet të turpërohen dhe duhet të bashkohen të angazhojnë avokatë dhe bashkërisht të kërkojnë llogaridhënie nga shteti i Kosovës për faktin që organet e sigurisë ose kanë dështuar të ofrojnë siguri për qytetarët dhe parandalojnë rrjetet paraushtarake të krimit të indoktrinojnë të rinjët tane. Ose ta mbajnë para përgjegjësisë ligjore shtetin për përfshirjen e tyre në krijimin e rrethanave lehtësuese për këtë veprimtari terroriste. Familjarët duhet të organizohen dhe kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie nga SHBA-të, Sauditët dhe Turqia. Ata nuk duhet të heshtin. Nëse kjo veprimtari kriminale e terroriste e akterëve të dyshuar kalon pa llogaridhënie ne jemi të gjithë në rrezik serioz nga këta kriminelë të pashoq. Drejtësia dhe e vërteta duhet doemos të kërkohet të dali përpara. Qeveria duhet të punoj për qytetarët dhe jo e kundërta prandaj ata duhet të thirren para përgjegjësisë.

GeR: A është Kosova një projekt politik i dështuar? Apo ndikimi kaq i lartë i politikave serbe, paralizimi i veriut të Mitrovicës, humbja e hektarëve në kufirin me Malin e Zi etj, janë në kuadër të parametrave perëndimore, respektivisht në kuadër të skenarit të paraparë prej tyre?

Xhymshiti: Kosova si projekt politik për instalimin e bazës ushtarake amerikane në një vend strategjik me shumicë myslimane, por vetëm në mënyrë të moderuar, afër Rusisë dhe i pozicionuar në një korridor të botës së ngarkuar me energji me një autostradë që  ka dalje në  det, me politikanë të korruptuar, me mbi 50% e qytetarëve të papunë dhe me mbi 30% e tyre që jetojnë poshtë nivelit të lejueshëm të varfërisë nënkupton një avantazh të suksesshëm strategjik dhe politik për SHBA-të. Pasi ata jo që nuk paguajnë asgjë për prezencën e tyre në tokën e Kosovës, por gjykuar nga natyra e veprimtarisë së tyre, ata janë në një vend ku burimet njerëzore për t’i rekrutuar të rinjët në veprimtaritë e tyre ushtarake janë të bollshme dhe lehtë të manipulueshme siç jemi të njohur me këtë rast tanimë. Së pari duhet ta kutpojmë se kur SHBA-të patën fuqi sa ta shkatërrojnë Jugosllavinë, ata nuk mund të mos kishin fuqi për të krijuar rrethana që Kosova të ishte vend dhe shtet i kompletuar. Por, në momentin kur ata instaluan bazën e tyre ushtarake dhe marionetat politike për t’i mirëmbajtur interesat e tyre strategjike, aty edhe përfundon interesimi i SHBA-ve që Kosova të bëhet shtet – tokën e të cilit vend tani SHBA – është duke e tregtuar për Malin e Zi pasi e bindën atë për t’u bashkuar në NATO, dhe më tutje SHBA do të tregëtoj me Serbinë për Kosovën, derisa t’i bindin serbët për t’u bashkuar në NATO.

Ne nuk jemi shtet, ne kemi një administratë publike të pavarur nga Beogradi, territorialisht jemi brenda Serbisë dhe kjo e fundit do të tregëtoj me amerikanët derisa të fuqizohet brenda Kosovës aq shumë sa vendi do të jetë jofunskional e edhe ashtu administrata që e kemi është e korruptuar thellësisht dhe është në shërbim të bandave kriminale dhe interesave amerikane pro-serbisë.

Disa nga Ambasadorët flasin për Kosovën se është vend demokratik, por raportet zyrtare të shteteve prej të cilave vijnë ata e tregojnë të kundërtën. Politikanët në Prishtinë flasin për institucione demokratike, por ata janë dokumentueshëm të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Pastaj të gjitha raportet e tjera ndërkombëtare flasin për gjyqësorin e korruptuar dhe kontrolluar nga rrjetet kriminale politike të cilat njëtrajtshëm janë të shpërndarë në partitë politike në vend, deri tek raportet për lirinë e shtypit që lejnë shumë – shumë për të dëshiruar.

Kualiteti i të raportuarit, qasja ndaj etikës profesionale, mosrespektimi i të drejtës së qytetarit për ankesë ndaj shkrimeve manipulative të [disa!] gazetarëve dhe redaksive në vend dhe ndërhyrja e vazhdueshme e politikës së huaj dhe vendore, qoftë me sulm ndaj lirisë së shtypit, apo edhe nëpërmjet nderimit të ndonjë kryeredaktori për interesat e agjendave politike të shteteve, apo edhe dhënia e çmimeve të gazetarisë po nga politikanët e huaj që e kanë cënuar lirinë e shtypit në vendin e tyre dhe në Kosovë, janë fakte dëshpëruese të cilat tregojnë se gazetaria është e rrezikuar nga jo vetëm – disa prej zyrave të huaja politike dhe politikanët vendorë, por edhe nga vetë prej [disa!] ‘gazetarëve’ në vend.

Raportet e ndryshme ndërkombëtare evidentojnë se tradita e nisur nga Presidenti Hashim Thaçi, për ta cënuar lirinë e shprehjes së mendimit të lirë politik dhe të drejtës civile është goditur me grykë të pushkës. Dhjetëra aktivistë partiak, mbi 5 gazetar shqiptarë dhe tre të huaj evidentohet të jenë qëlluar me armë zjarri gjatë preiudhës së pasluftës në Kosovë. Bandat kriminale të politikanëve në Kosovë nuk kishin kursyer as gazetaren Fatmire Terdeci, e cila ishte shtatzënë kur ishte sulmuar me armë zjarri, është thuaja e vetmja viktimë që kishte shpëtuar nga dhuna e kriminelëve të pandëshkuar në Kosovë, të cilët sot e asaj dite kërcënojnë lirinë e shtypit, të shprehjes dhe jetën e gazetarëve në vend, siç raportojnë Komiteti Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve CPJ, Reporterët Pa Kufij dhe raporte të ndryshme të OSBE-së, OKB-së, duke përshirë edhe evidentimet që i ka bërë avokati Britanik i të Drejtës Humanitare William G. O’Neill në librin e tij ‘Kosova një Paqe e Papërfunduar’.

Dhuna ndaj lirisë së medias ishte shpërfaqur herët rreth ‘këmbëve’ të ish kreut të kryengritësve tani Presidentit të vendit Hashim Thaçi, i cili njihet me nofkën e luftës ‘Gjarpëri’. Në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individ në lëvizjen guerile e identifikojnë si një ‘ogurzi’, një gazetar shqiptar nga Kosova, i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Tiranë.

Mënyrat dhe format e presionit ndaj lirisë së medias nuk kanë të ndalur, ato sa vijnë e shtohen derisa asociacioni kombëtar i gazetarëve në Prishtinë është tejet i dobët për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar në mbrojtje të lirisë së shtypit. Shpresa nuk ka. Ato ndërtohen duke u vënë në kundërshtim serioz banditëve nëpërmjet ligjit dhe veprimeve paqësore të pandalshme.

GeR: Përvoja jonë si shoqëri me UNMIK-un e më vonë EULEX-in, është zhgënjyese. Sa mund të shpresojmë në Gjykatën Speciale, për aq sa keni njohuri?

 Xhymshiti: Vlerësoj se çdo nismë që paraqet qëllime të mira është e mirëseardhur, por gjykuar nga dështimet e njëpasnjëshme të të gjitha misioneve të huaja, unë nuk shpresoj asgjë në gjykatën e veçantë. Vlerësoj se ky është edhe një veprim tjetër politik, i cili është duke u përpjekur të filteroj situatën e kontrollit të marionetave në Kosovë. Do të doja që të befasohesha për të mirë. Deri tani kemi dëshmi të tepërta për të mos besuar se diçka e mbarë do të rrjedh nga kjo nismë, faktori i huaj në Kosovë dokumentueshëm e ka humbur besueshmërinë. Ata thjesht janë hajdutë, pasi janë kapur duke vjedhur dhe duke bashkëvepruar në krimin të cilin ishin mandatuar për ta luftuar, dhe për më keq ata po mbështesin vazhdimisht politikanët që janë koka e krimit në vend, kujtojeni vizitën e zv. Presidentit Biden dhe fjalët miradie të ambasadorëve amerikan ndaj Thaçit dhe “bashkë-biznesmenëve” të tij. Thjeshtë dhe qartë, të huajt janë partnerë me vendorët, por partner në veprimtari kriminale.

GeR: Cila është alternativa më e mirë: Të përmirësohet gjendja duke i filluar reformat e mëdha nga brenda, reforma që mund të shkojnë përskaj revolucionit? Apo përmirësimin e gjendjes mund ta bëjnë vetëm politikat e drejta ndërkombëtare në raport me vendin?

Xhymshiti: Ndryshimi duhet të vie nga të rinjët. Rinia në vend duhet të pushoj së besuari se dikush që është brenda çatisë së sistemit të korruptuar në vend do ta përmbys atë. Ata duhet të pushojnë së besuari se politika e huaj pushtuese që ka qenë partner në shkatërrimin sistematik të vendit me politikën vendore do ta ndryshojnë gjendjen. Për ata gjendja e pandryshueshme është mbretëria që ata e duan. Atyre nuk ju interesojnë interesat tona, çdo përparim yni është kërcënim për mirëqenien e tyre pasi ata flasin dhe predikojnë të drejtat njerëzore, civile dhe politike, por nuk mund t’i praktikojnë ato. Çdo praktikë e drejtësisë dhe ligjit në vend, rrezikon që të gjithë ata të thirren para përgjegjësisë, prandaj ata do të bëjnë çmos që ta mbajnë situatën siç është madje ta thellojnë edhe më keq. Kujtojeni racizmin brutal policor ndaj populatës civile afrikane në amerikë. Kujtojeni vrasjet masive të civilëve të pambrojtur dhe të paarmatosur përgjatë lindjes së mesme dhe azisë e afrikës në emër të drejtave dhe lirive njerëzore, në emër të mbjelljes së ‘farave’ të demokracisë. Ato janë krime kundër njerëzimit, ato janë krime lufte, për të cilat bombarderët flasin duke vrarë njerëz. Ju lutem, zgjohuni dhe merreni fatin tuaj në dorën tuaj, mos e leni atë në duar të ambasadave, mos e leni atë në duar të banditëve super-milionerë. Partitë politike pa dallim, janë aty për interesat e huaja dhe jo tuajat. Ata janë të këndshëm kur zgërdhihen në parlament, por politikanët shikojini çfarë po bëjnë sepse fjalët e tyre është dëshmuar që janë gënjeshtra.

Kosovarët shqiptarë, turq, serbë, boshnjak, romë e goranë mund të jenë talentët e rendit më të lartë botëror, por për ata, duket sikur nuk ka rrugë të hapur për të përparuar. Me sa duket tani për tani ata nuk mund të shpresojnë për të arritur këto privilegje, derisa liritë e tyre të përditshme mbeten të lidhura me zinxhirin e krimit që po lulëzon i pandëshkuar në Kosovë, vendin e vlerësuar si foleja e të gjitha simptomave më të këqija të Ballkanit nga vetë ata që e sollën atë deri në këtë pikë. Prandaj, njerëzisht duhet të bashkohen dhe të kërkojnë llogaridhënie e ta marin fatin në duart e tyre./gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORE

Të ngjajshmet