Vdekja e një personi me ngjyrë nxit reagime e përleshje në SHBA

Kryetari i qytetit amerikan, Meniapolis, Jacob Frey, ka bërë thirrje për ngritje të padisë penale kundër një zyrtari policor, i cili shihet duke bërë presion me gju në qafën e një personi me ngjyrë, teksa ka tentuar ta arrestojë, pavarësisht pse burri ka përsëritur vazhdimisht se nuk mund të marrë frymë.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital, incident që ka nxitur protesta brenda komunitetit dhe krahasime me një seri të ngjarjeve të ngjashme të viteve të fundit, kur persona me ngjyrë kanë vdekur derisa janë arrestuar nga zyrtarë policorë të racës së bardhë.

“Pse personi që ka vrarë George Floyd nuk është në burg?”, ka thënë kryetari i Meniapolisit, Jacob Frey në një konferencë për media.

“Nëse ju apo unë do ta kishim bërë këtë gjë, do të ishin mbrapa grilave tani”.

Zyrtari policor, bashkë me tre persona tjerë të përfshirë në arrestim, janë pushuar nga puna më 26 maj.

Motra e Floydit, Bridgett Floyd, ka thënë më 27 maj, se zyrtarët policorë duhet të akuzohen për vrasje të vëllait të saj, sepse “ajo ka qenë saktësisht çfarë ata kanë bërë”.

“Ai ka qarë duke kërkuar ndihmë”, ka thënë ajo, teksa ka mbajtur lotët.

Presidenti amerikan, Doanld Trump ka thënë se i ka kërkuar Byrosë Federale të Hetimeve dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë që të nisin hetime rreth këtij incidenti.

“Me zemër jam te familja dhe miqtë e Geogit. Drejtësia do të zbatohet”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet