Vazhdon rënia e infeksionit: Vetëm 46 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 46 raste të reja me COVID-19.

Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili po ashtu tha se do ta propozojë lehtësimin e masave antikoronavirus gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Qeverisë, njofton Klan Kosova.

”Nga testimet e bëra, në 24 orët e fundit, sërish kemi rezultate të kënaqshme, ku vetëm 46 raste kanë rezultuar  pozitiv me Covid 19.

Kultura qytetare, respektimi i masave dhe rekomandimeve të vendosura prej  Ministrisë së Shëndetësisë me rekomandim të IKShPK-së, si dhe koordinimi i plotë me të gjithë akterët tjerë, po sjell rezultate të kënaqshme.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit pozitive dhe trendin e rënies së lakores të rasteve të infektimeve, sot, për në mbledhjen e Qeverisë do të propozoj lehtësimin e masave, por duke mbetur të gjithë të përkushtuar dhe vigjilent.

Veprimi i përbashkët me të gjitha nivelet e shëndetësisë, me pushtetin lokal dhe të gjithë akterët relevant për zbatimin e masave anti covid, sollën edhe rezultate të mira edhe propozimin e lehtësirave të këtyre masave.

Së bashku, do të zbatojmë edhe masat lehtësuese, sepse vetëm ashtu mund të kemi sukses. Faleminderit qytetarëve dhe të gjitha institucioneve të përfshira për arritjen e përbashkët!

Mosrespektimi i rekomandimeve për masat lehtësuese, do të sjell vendime adekuate me gjendjen e krijuar. Por, kam besim të plotë, sikur deri sot, të respektohen vendimet dhe përkushtimin kundër virusit COVID-19”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet