Vazhdon “lufta” ndërmjet SBASHK-ut dhe MASHT-it

Sistemi arsimor në Kosovë, cilësohet të jetë larg përmbushjes së standardeve dhe parametrave që kërkohen sot në botën e zhvilluar. Për më keq, krizat të cilat e kanë goditur, po vazhdojnë t’i pengojnë edhe ata pak hapa progresivë, për të cilët është derdhur mund tash e sa kohë, shkruan Gazeta e Re.

Disa javë të humbura, pas grevës së mbajtur të mësimdhënësve në fillim të këtij viti shkollor, janë shndërruar në kontest gjyqësor ndërmjet sindikalistëve të arsimit (SBASHK-ut) dhe Ministrisë së Arsimit e Kosovës, përkatësisht MASHT-it. Kjo e fundit po kërkon që të kompensohen orët e humbura për shkak të grevës, ndërsa SBASHK-u, hë për hë, është duke e kundërshtuar këtë.

Pikërisht, para pak ditësh SBASHK-u ka njoftuar opinionin publik rreth fatit të padisë, të cilën kjo e ka bërë ndaj vendimit të Ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi (për kompensimin e orëve). Nëpërmjet një sqarimi bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës Themelore, nuk ka të bëjë me refuzimin e padisë ndaj vendimit të ministrit por vetëm me kërkesën për pezullim.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit po japim sqarimin se Departamenti për çështje administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka nxjerr një vendim që ka të bëj me njërën nga kërkesat e SBASHK-ut që i janë drejtuar kësaj Gjykate më 4 mars e që kanë të bëjnë me Padi-kërkesën ndaj vendimit të MASHT-it lidhur me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

SBASHK-u në Padi-ankesë kishte ngritur dy çështje:

  1. Padi ndaj vendimit të pabazuar në ligj të MASHT-it dhe
  2. Kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës.
    Gjykata nuk ka aprovuar kërkesën e SBASHK-ut për shtyrjen e pezullimin e përkohshëm të vendimit të MASHT-it lidhur me orët e humbura gjatë grevës, por ka cekur se kjo nuk prejudikon vendosjen meritore të aktvendimit për padinë e SBASHK-ut ndaj MASHT-it.

SBASHK pret nga Gjykata që lidhur me padinë ndaj vendimit të pabazuar të MASHT-it të caktohet seancë në kohën sa më të shpejtë të mundur dhe të merr vendim meritor konform argumenteve e fakteve të ofruara nga SBASHK-u.”

Për t’i sqaruar këto mospajtime ndërmjet sindikatës dhe ministrisë, çështja është trajtuar edhe në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion e Ndërmarrësi. Në takimin e mbajtur sot në mesditë, është provuar që të gjendet një solucion, i cili do t’i kënaqte të dy palët, megjithatë situata duket të jetë kaotike.

Sipas njoftimit për media, thuhet se:

“Ministri Bytyqi tha se vendimi i MASHT-it për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva në arsim duhet të qëndrojë në fuqi. Krahas kësaj, ai shtoi se vendimi për kompensimin e orëve ishte një vendim i bazuar në udhëzimin administrativ të kësaj ministrie, i cili obligon zbatueshmëri nga të gjithë. Ai pohoi se gjatë diskutimeve të shumta me drejtorët e DKA-ve, është marrë vendim që forma e shpërndarë: 5 ditë në vikende dhe 5 ditë në pushimin pranveror ishte forma më e duhur plotësimit të orëve.” Për më shumë, Ministri Bytyqi ka shtuar se:

“Ne kemi marrë informacione pozitive nga shumë komuna të cilat do ta zbatojnë këtë vendim, përkundër presioneve të disave të cilët kanë qenë kundër zbatimit të këtij vendimi. Ky vendim është mirëpritur nga shumë mësimdhënës dhe prindër.”

Mirëpo kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesi SBASHK-ut Rrahman Jashari, i cili ka këmbëngulur që ligji nuk i obligon ata që t’i kompensojnë orët.

Nga deputetët, është sugjeruar që çështja e kompensimit të orëve, të fillojë pasi që sindikata dhe ministria të merren vesh për ditët e kompensimit, dhe të mos fragmentarizohet kjo çështje. Nuk mund të fillojë kompensimi vetëm në disa shkolla, përkatësisht në disa komuna, e në disa të tjera jo – kanë thënë deputetët. Duket qartë që kjo çështje, do të mbetet e pasqaruar edhe për disa ditë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet