Varrezat e Prishtinës në gjendje të mjerë (Foto)

Bari dhe shkurret kanë mbuluar varrezat e qytetit të Prishtinës. Përveç kësaj, varret thuajse janë të ngjitura njëra me tjetrën, ku për vizitorët është e pamundur të lëvizin pa shkelur mbi ndonjë varr.

Për mos mirëmbajtjen e varrezave të qytetit ankesa të shumta kanë qytetarët, por një kritikë të tillë e ka edhe Avokati i Popullit, sipas të cilit gjendja e varrezave në kryeqytet është dëshpëruese.

Mirëmbajtja e varrezave sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale u takon komunave, e kritikat për gjendjen e varrezave në kryeqytet i pranon edhe i pari i kësaj komune Shpend Ahmeti. Ai thotë se në vitin 2019 do ta bëjnë një plan më konkret për investime apo riorganizim të varrezave të qytetit.

Qytetari Idriz Islami, i cili jeton në afërsi të varrezave të qytetit, thotë se ato nuk po mirëmbahen siç duhet.

Ai ka kritika edhe sa i përket hapësirës nga një varr tek varri tjetër, i cili thotë se kur merr pjesë në ceremoni varrimi është e pamundur të lëvizësh në varreza pa shkelur në varre.

Islami: Deri diku jemi të kënaqur me punën që e bëjnë në varreza

“Të drejtën me të thënë deri diku jemi të kënaqur me punën që e bëjnë në varreza, ka qenë katastrofë përpara tash janë bërë disa rregullime po mund të jetë edhe më mirë… Gjendja e pastërtisë nuk është e mirë, duhet me qenë edhe më e mirë gjendja e pastërtisë”, u shpreh ai.

Të njëjtën kritikë e ka edhe Izet Saraqi, i cili thotë se edhe pastërtia nuk është në nivelin e duhur.

Saraqi: Pastërtia nuk është në nivel

“Nuk jemi të kënaqur se së pari trotuaret duhet me qenë se tash në këtë shi mezi kemi kaluar andej, trotuaret pastaj me u varros njerëzit, e shumë sene të tjera… Pastërtia nuk është në nivel, nuk është në nivel”, ka thënë ai.

Edhe Ismet Saraqi, është shprehur se varrezat në Prishtinë nuk po mirëmbahen ashtu siç do të duhej.

Saraqi: Pjesërisht mund të them se mirëmbahen

“Pjesërisht mund të them se mirëmbahen, shohim diçka që është në rregull që po bëhet kjo radhitja e varreve… Janë ato të meta që nuk po mirëmbahet siç duhet, ka nevojë për rregullim pak më të madh”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Për qytetarin Zymer Rushiti, gjendja e varrezave është shumë e mirë.

Rushiti: Jemi të kënaqur deri në fund

“Jemi të kënaqur deri në fund, a po e sheh çfarë vendi ka bë, me parking me krejt.. në rregull shkon krejt, parking ka sa të duash edhe mirë i mbajnë varrezat këtu”, u shpreh ai.

Kritika të shumta për gjendjen e varrezave në kryeqytet ka edhe avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili thotë se gjendja e varrezave nuk është e mirë.

Lidhur me këtë temë, ditë më parë Institucioni i Avokatit të Popullit ka nxjerrë edhe një raport me rekomandime, ku jepen kritika të shumta.

Sipas avokatit Jashari, mirëmbajtja e varrezave tregon një respekt për të vdekurit dhe familjarët e tyre, të cilët për raste të ndryshme mund të shkojnë tek varret e familjarëve.

Jashari: Kemi qenë të dëshpëruar kur e kemi pa gjendjen e varrezave

“Kemi qenë jashtëzakonisht të dëshpëruar kur kemi parë se realisht kanë qenë në nivelin mos të themi zero në shumë komuna. Përderisa nuk ka pasur as tendencë për të rregulluar, për të vënë një vijë rregullative që do të duhej të ishte ndoshta minimumi i një shkathtësie profesionale për të vu në një rregull dhe rend varrezat, për të siguruar qasje qytetarëve tek varrezat e familjarëve të tyre. Për të pasur mundësi që këto me gurë apo diçka tjetër të rregullohen, të vihen rrethoja, të ketë një mirëmbajtje, të mos ketë djegie të barishteve që pastaj asgjësojnë edhe vetë varrezat. Kjo përtej vlerës ta quajmë etike dhe morale të një shoqërie për të pasur kujdes në çështjet si kjo, është mbi të gjitha detyrim ligjor”, tha ai.

Sipas Jasharit, komuna e Prishtinës me shumë pak buxhet do të mund të rregullonte gjendjen e varrezave, e për këtë ai thotë se komuna e ka detyrë sipas ligjit.

Jashari: Familjarët shohin dikë që me të dyja këmbët shkel mbi varrin e familjarit të tyre

“Është obligim ligjor që është i shkruar e zezë në të bardhë dhe që këto komuna kanë për obligim për të zbatuar këtë standard. Nuk na bënë nder neve si qytetarë, mbi të gjitha nëse gjatë ceremonive të ndryshme të varrimit për këdo që shkojmë atje të shohim njerëz që për të marrë pjesë në ceremoni të varrimit detyrohen të shkelin mbi varrin e personave tashmë të varrosur. Nuk e di nëse kjo përfaqëson një kulturë të mirë ose një respekt për familjarët e atyre personave që mund të shohin një person të tretë, i cili me të dyja këmbët shkel mbi varrin e familjarit të tyre”, thotë Jashari.

Për mirëmbajtjen e varrezave në kryeqytet aktualisht kujdeset ndërmarrja “Hortikultura”, ku sipas drejtorit Isak Rakovica, mungesa e financimit shkakton telashet e veta në mirëmbajtjen e varrezave.

Ai thotë se në mënyrë që të ketë një mirëmbajtje më të mirë, do të duhej që kjo ndërmarrje të kishte financim.

Rakovica: Të hyra kemi vetëm nga varrezat myslimane

“Varrezat në tërë qytetin e Prishtinës mirëmbahen nga ‘Hortikultura’, mirëpo kemi për shembull tek varrezat ortodokse, katolike dhe hebraike nuk financohet nga askush. Me përjashtim tek varrezat myslimane kemi rastin kur ne financohemi nga punët tona fizike që kryejmë aty, siç është hapja dhe mbyllja e varrit. Do të thotë ne jemi ndërmarrje vetfinancuese dhe nëse dëshirojnë një mirëmbajtje më të mirë me pas komuniteti ortodoks apo katolik duhet të gjejnë modele të na kryejnë obligimet financiare të cilat i krijojmë gjatë mirëmbajtjes së atyre sipërfaqeve. Do të thotë, ne nga të hyrat e varrezave myslimane i mbulojmë të gjitha shpenzimet në tërë sipërfaqet tjera të komuniteteve tjera, sepse të hyra kemi vetëm nga varrezat myslimane”, thotë Rakovica.

Për të gjithë këto kritika, një përgjigje ka kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se janë duke punuar që në vitin 2019 të bëjnë një plan konkret rreth investimeve apo riorganizimit të varrezave.

Për këtë, ai thotë se duhet të ketë një diskutim me bashkësitë fetare në Kosovë.

Ahmeti: Në vitin 2019 ta bëjmë një plan më konkret për investime

“Jemi duke menduar që në vitin 2019 ta bëjmë një plan më konkret për investime apo riorganizimin e varrezave. Por, duhet të diskutojmë edhe me bashkësitë fetare që këtë ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke respektuar të gjitha ato që kërkohen. Por, nevojitet një investim më i mirë në shtigje po edhe një diskutim se çka të bëjmë me zgjerimin e vazhdueshëm të varrezave të cilat natyrisht se nuk mund të vazhdojnë kështu pa fund. Për këtë po them se duhet ta kemi një diskutim më të gjerë edhe me bashkësitë fetare edhe me qytetarët që të shohim se cila është mënyra më e mirë”, ka deklaruar Ahmeti.

I pari i Prishtinës, thotë se duhet të gjendet një mënyrë për organizimin e varrezave, pasi sipas tij nuk mund të vazhdohet me zgjerim të varrezave gjatë gjithë kohës.

Institucioni i Avokatit të Popullit, përveç Prishtinës, ka nxjerrë raporte me rekomandime thuajse për të gjitha komunat e Kosovës, që sipas raporteve gjendja e varrezave nuk është e mirë.

Kategoritë
LajmeVendi