Varhelyi: Dëshirojmë ta përforcojmë marrëdhënien tonë me Ballkanin Perëndimor

Rama gjatë konferencës tha se komisioneri Varhelyi ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përshpejtimit të rrugës së çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në BE

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama gjatë konferencës tha se komisioneri Varhelyi ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përshpejtimit të rrugës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Bashkëpunimi me Komisionin ka dhënë patjetër fryte të veçanta dhe patjetër në të gjitha ato aspekte që lidhen me objektivat e përcaktuara nga Komisioni për çuarjen përpara të axhendës së integrimit. Ne kemi vazhduar të shkojmë përpara në bindjen e plotë që duhet t’i bëjmë të gjitha këto (reforma), reforma në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përsosja e mëtejshme e administratës publike, jo sepse na e kërkon Brukseli, as Berlini, as Parisi, por sepse është obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë që përkon plotësisht me objektivat e vetë anëtarësimit”, u shpreh Rama.

Rama tha se rruga e përbashkët me BE-në në vitet e ardhshme është “rruga e ndërtimit të një ekonomie të re për rajonin, është rruga e ndërtimit të të gjithë rrjetit lidhës të rajonit”.

“Plani i ri ekonomik është një mundësi e jashtëzakonshme e re që krijohet nga ky Komision i ri Evropian i cili ka ardhur me një qasje të re dhe faktikisht po implementon politikë të re në raport me rajonin dhe në raport edhe me Shqipërinë, si pjesë e këtij rajoni. Ajo që unë dua të theksoj është që ky plan është një provë konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe e një bindjeje të madhe që qëndron në vizionin e shengenit rajonal, vizioni i një rajoni ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për t’i lënë gjeneratave të tjera një Shqipëri dhe një rajon shumë më të mirë”, tha kryeministri Rama.

Dëshirojmë ta përforcojmë marrëdhënien tonë me Ballkanin Perëndimor

Komisioneri evropian tha se e kanë bërë të qartë që do të vazhdojnë punën me Ballkanin Perëndimor.

“Dëshirojmë ta përforcojmë marrëdhënien tonë me Ballkanin Perëndimor dhe po ashtu do ta bëjmë këtë gjë edhe me politikën e zgjerimit pasi e kemi atë shumë seriozisht. E kemi bërë këtë në fakt edhe duke treguar besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e të gjithë këtij procesi, metodologjinë e re. Dhe është e vërtetë në fakt që ne kemi mundur që të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi Varhelyi.

Ai theksoi se me kryeministrin Rama ka folur edhe për raportin vjetor të Komisionit Evropian, duke thënë: “Ne e kemi përgëzuar kryeministrin për të gjitha arritjet dhe për punën e pareshtur që ka bërë Shqipëria dhe po vazhdon të bëjë për të treguar rezultatet në të gjitha aspektet e zgjerimit, e në veçanti në lidhje me ato që kanë të bëjnë me përfundimet e Këshillit për të hapur rrugën për të ecur përpara me negocitatat”.

“E shikojmë që ka ende sfida përpara. Natyrisht që ka punë që duhet përforcuar dhe duhet të vazhdohet lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar”, u shpreh më tej komisioneri evropian.

Komisioneri Varhelyi u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryeparlametarin Gramoz Ruçi, si dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe është në pritje të fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet