Varhelyi: Ballkani Perëndimor ka potenciale për të tërhequr investime

Varhelyi tha se kanë punuar në tre drejtime kryesore, për të rigjallëruar procesin e zgjerimit, për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në fillim të vizitës së të tij mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, duke u fokusuar në çështjet e procesit të reformave në vend dhe mbështetjen e BE-së, raporton Anadolu Agency(AA).

Varhelyi theksoi se kanë punuar në tre drejtime kryesore, sipas tij, për të rigjallëruar procesin e zgjerimit, për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.

“Sa i përket konvergjencës ekonomike, pandemia e bën atë edhe më sfiduese. Përpjekjet tona kanë shkuar kryesisht për dhënien e asistencës së konsiderueshme në rastin e emergjencave për rajonin dhe së dyti për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomie. Duke ecur më tej, fokusi ynë është për të ndihmuar në rigjenerimin socio-ekonomik dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit. Ne duam të mbyllim sa më shpejt hendekun ekonomik që ekziston ndërmjet rajonit dhe BE-së. Sa më shpejt ta mbyllim këtë hendek, aq më shpejt do të kemi mundësinë të krijojmë ekonomi të forta dhe të qëndrueshme e aq më shpejt do të keni mundësi të bëheni pjesë e familjes sonë”, u shpreh Varhelyi.

Ai tha më tej se e shikojnë rajonin “si një rajon i cili ka potencialin për të qenë një qendër investimesh dhe ndoshta qendra më tërheqëse në gjithë botën”. Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka potenciale për të tërhequr investime.

Komisioneri i BE-së theksoi se me planin e investimeve synojnë që rajonin ta sjellin pranë BE-së, por edhe të promovojnë bashkëpunimin në rajon.

“Gjatë krizës së COVID-19, rajoni tregoi që mund të bashkëpunonte dhe ky sukses duhet të frymëzojë në fakt edhe integrimin e ardhshëm ekonomik”, tha komisoneri evropian

Në lidhje me raportin vjetor të Komisionit Evropian, Varhelyi tha: “Ne kemi thënë se Shqipëria i ka ndjekur me vendosmëri përpjekjet për reforma dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë ose të tregojnë angazhimin e tyre për të ecur përpara në rrugëtimin drejt BE-së. Vendi juaj (Shqipëria) ka bërë përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së të gjitha kushteve që duhen arritur përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e këtyre përpjekjeve dhe të vijojë me reformat përkatëse në ato fusha që janë të identifikuara qartë në përfundimet e takimit të marsit të Këshillit të BE-së”.

Ai theksoi se vijimësia e reformave nga Shqipëria do të jetë shumë e rëndësishme sa i përket kuadrit negociues.

Varhelyi do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe me kryeministrin Edi Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet