Varësia nga interneti dhe pasojat në aspektin e edukimit

Fillimi i vitit shkollor rihapë debatin e gjatë që është zhvilluar rreth teknologjisë dhe ndikimin e saj te përdoruesit e rinj, përkatësisht te nxënësit. Kufizimi i përdorimit të teknologjisë nga të rinjtë, mund të mos jetë zgjidhje aq e mençur, meqë çdo segment i jetës është i mbuluar nga ajo. Sociologët dhe profesionistët e IT-së, rekomandojnë një rrugë më alternative, të rinjtë të mos kufizohen në aspektin e përdorimit të teknologjisë, por gjithçka të jetë nën mbikëqyrjen e prindërve dhe kujdestarëve të tyre – shkruan Gazeta e Re.

Hulumtimet tregojnë që përdorimi i teknologjisë informative dhe pajisjeve të mençura, është tejet i lartë. Këto pajisje, që mundësojnë qasje në internet, shfrytëzohen maksimalisht nga të rinjtë. Mesatarisht rreth 40 orë në javë, e ndonjëherë edhe më tepër, të rinjtë kosovarë i shpenzojnë në internet. Në një anketë 64% prej tyre e kanë konsideruar internetin si pjesë thelbësore të jetës. Ata ndihen pjesë e komunitetit të madh global të përdoruesve, i cili konsiderohet se i ka afro dy miliardë përdorues të rrjeteve sociale. Sipas të dhënave që qarkullojnë në internet, 7 nga 10 të rinj, ka llogari të hapur në Facebook, Instagram apo Twitter.

Të dhëna të përgjithshme

Ashtu siç e kanë konsideruar të rinjtë kosovarë, interneti sot është shndërruar në një zgjatim gjymtyrësh për njerëzit. Tregu, informacionet, komunikimi janë vetëm disa nga aspektet jetësore të cilat ai i ka lehtësuar. Por është fakt që çdo klikim, çdo shfletim e shikim regjistrohet diku. Kjo e bënë internetin një vegël për kontrollimin e përdoruesve. Duke i marrë parasysh këto, 7.3 miliardë persona në gjithë botën, janë shndërruar në target për tregtarët dhe bizneset që e shfrytëzojnë teknologjinë informative për tregëti.

  • Nga 7.3 miliardë, 3.17 miliardë konsiderohet të jetë numri i përdoruesve të internetit;
  • 3 miliardë është numri i përdoruesve aktiv i rrjeteve sociale;
  • Ndërsa sipas një hulumtimi të bërë në vitin 2016, mesatarisht, të gjithë këta përdorues posedojnë 5.44 accounte,
  • Ndërsa vetëm në vitin 2015, numri i përdoruesve të rrjeteve sociale është rritur për 176 milionë përdorues.
  • Në Facebook, Messenger dhe në Whatsapp shkëmbehen diku 60 miliardë mesazhe në ditë; ndërsa me numrin më të madh të përdoruesve prijnë këto rrejte: 4Chan: 11 milionë përdorues; 2. Airbnb: 50 milionë përdorues; 3. Facebook: 1.71 miliardë përdorues; 4. Flickr: 112 milionë përdorues; 5. Google+: 300 milionë përdorues; pastaj vijnë Instagrami, Twitter-i, WhatsApp; Linkedln-i, MySpace që po ashtu kanë nën 400 milionë përdorues secili.

Është fakt që rrjetet sociale kanë përfituar rreth 8.3 miliardë dollarë amerikanë nga reklamat vetëm në vitin 2015. Përqindja e kompanive që janë të vendosura për të shpenzuar më shumë në reklama, po ashtu po vjen duke u rritur për çdo vit. Andaj, çdo përdorues i ri, futet në shënjestër të brendeve të ndryshme, duke e “sulmuar” me reklama të ndryshme, të cilat shpeshherë i tejkalojnë kodet etike.

Rreziku

Sociologët konsiderojnë që të rinjtë, përkatësisht nxënësit që krijojnë varësi nga interneti, u ekspozohen rreziqeve të shumta dhe kjo reflekton qartë në interesin e tyre për mësimnxënie. Simptomet e para janë:

  • Rënia e interesit për sa u përket mësimeve;
  • Vullneti i dobësuar për t’u marr me gjëra të tjera (punë e angazhime në klasë a në shtëpi);
  • Veçimi gjithnjë e më i madh nga të tjerët, pra mungesa e dëshirës për socializim etj.

Bulizmi si një dukuri negative, tashmë mund t’i shfrytëzojë edhe mangësitë që i posedojnë rrjetet sociale dhe vet interneti, duke e shtuar presionin ndaj të rinjve dhe duke e plotësuar ushtrimin e dhunës fizike me atë psikike. Pornografia, lehtësisht e qasshme nga të rinjtë, i ka rezultuar me pasoja të rënda po ashtu. Tendenca për t’i shantazhuar të rinjtë apo të rejat nëpërmjet videove, fotografive etj, është shtuar shumë edhe tek  ne. Të dhënat e Policisë së Kosovës, përkatësisht raportet ditore, shpesh shoqërohen me raste të tilla të identifikimit të individëve të denoncuar për shantazhe e kërcënime nëpërmjet rrjeteve sociale. Prandaj, “prindër, ta keni vëmendjen ndaj fëmijëve” – thonë sociologët, lundrimi në detin e internetit, i ka rreziqet e veta të fshehta për të cilat kërkohet një vëzhgim njëzet e katër orësh./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet