Vala e dytë e COVID-19 e godet më rëndë Suedinë, Stokholmi kërkon ndihmën e qeverisë: Na dërgoni më shumë personel mjekësor

Drejtori i sistemit për kujdes shëndetësor dhe mbrojtje në Stokholm, i ka bërë apel sot qeverisë suedeze që t’ju dërgojnë punonjës shëndetësorë dhe personel tjetër, në kohën kur kryeqyteti suedez po lufton me valën e dytë të pandemisë që ka çuar në stërmbushjen e reparteve të kujdesit intensiv.

“Kemi nevojë për ndihmë”, ka thënë Bjorn Eriksson, drejtor i sistemit shëndetësor dhe mbrojtje në Stokholm gjatë një konference për media, transmeton Telegrafi.

Siç raporton Reuters, ia ka paralajmëruar se pothuajse çdo shtrat në repartet intensive janë të zënë. Eriksson ka theksuar se nuk ia vlen “të dilni për pije pas punës, të shkoni ku ka turma dhe të blini dhurata për Krishtlindje”, sepse sipas tij pasojat janë të tmerrshme.

Errikson është i bindur që është shumë e nevojshme të respektohen rekomandimet e qeverisë, për t’u zvogëluar presioni në sistemin shëndetësor.

Kujtojmë që Suedia nuk ka vënë masa të karantinimit siç kanë vepruar vendet tjera evropiane. Në këtë vend deri më tani janë konfirmuar afro 7.300 të vdekur, kurse numri i të vdekurve nga COVID-19 për kokë banori në Suedi është dukshëm më i madh sesa i fqinjëve – vendet tjera nordike.

Stokholmi është një nga vendet më të goditura, me 2.836 të vdekurës si pasojë e COVID-19. E pas verës dhe vjeshtës, numri i të infektuarve ka filluar sërish të rritet, ku repartet intensive janë mbingarkuar.

E pas rritjes enorme të rasteve të reja gjatë javëve të fundit, qeveria suedeze ka ashpëruar disa masa siç janë tubimet, kurse nxënëse të shkollave të mesme u është thënë të vazhdojnë mësimin online deri në përfundimin e gjysmëvjetorit të parë.

Qeveria suedeze ka bërë të ditur se do të kërkojë nga parlamenti kompetenca shtesë, që të aplikojnë mbylljen e objekteve të ndryshme siç janë qendrat tregtare dhe palestrat sportive. Respektimi i masave në Suedi deri më tani nuk ka qenë i obligueshëm.

Kategoritë
BotaLajme