Vaksinimi i fëmijëve jorrallë përcillet edhe me mosinformim e me frikë

Autor: Erma Karahoda


Dr. Edita Goranci-Haxhiu, epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se pretendimet e një numri të prindërve, që ndërlidhin vaksinën e fruthit (MMR) me simptomat e para të autizmit janë pa bazë. Vaksina MMR nuk shkakton autizëm.

Në një anketë jopretenduese të realizuar nga “Kosova Live”-i rezulton se afro 40% e të anketuarve mendojnë se vaksinimi ka efekte edhe pozitive, edhe negative dhe se një pjesë më e madhe e përgjigjeve individuale është se rastet e refuzimit të vaksinës janë bërë për shkak se kanë lexuar diku se mund të shkaktojë autizëm.

Në vitet e fundit edhe në Kosovë janë përhapur lajme, sidomos në internet dhe në rrjete sociale se gjoja kjo vaksinë është e ndërlidhur me autizmin. Këto informata te një pjesë e prindërve kanë shkaktuar njëlloj frike dhe dileme.

Dr. Florina Ushaku-Grezda, mjeke në Repartin e Vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), thotë se ndërlidhja e vaksinës kundër fruthit me autizmin mund të koincidojë me moshën e paraqitjes së autizmit dhe se rrjedhimisht prindërit që në familje kanë pasur fëmijë me autizëm gjithmonë kanë insistuar ta shtyjnë kohën e vaksinimit.

Dr. Edita Goranci-Haxhiu, epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se pas qarkullimit të disa pretendimeve të tilla në rrjetet sociale, një numër i prindërve e kanë ndërlidhur vaksinën me simptomat e para të autizmit. Ajo mendon se pretendime të tilla janë pa bazë dhe është shumë e rëndësishme se pas një kohe të shkurtër, gjithashtu nëpër internet, janë publikuar edhe informata se vaksina MMR nuk shkakton autizëm.“Për herë të parë ka dalë si lajm në Angli, ku nënat kanë besuar se fëmija pasi e merr vaksinën MMR në moshën 12-mujore fillojnë të shfaqen simptomat e para të autizmit. Mirëpo pas hulumtimeve të shumta, të cilat janë bërë në këtë drejtim, ky lajm ka rënë si teori”, thotë Haxhiu për “Kosova Live”-in.

Mosvaksinimi nga frika

Erleta, nënë e tre fëmijëve nga Prizreni, pohon se informatën se marrja e vaksinës shkaktuaka autizmin e kishte marrë nga interneti. “Unë nga frika nuk ia kam dhënë asnjë vaksinë fëmijëve dhe ata sot kanë shëndet të plotë. Edhe pse më kanë paralajmëruar familjarët dhe mjeku që t’i vaksinoj fëmijët, kam pasur frikë sepse kam lexuar tekste të llojllojshme në internet se vaksinat shkaktojnë autizmin”, thotë ajo.

Drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, edhe vetë prind i një fëmije autik shprehet skeptik lidhur me informatat se vaksina është shkaktar i autizmit. Thekson se edhe po të kishte ndonjë ndikim, përsëri do t’ia jepte vaksinën djalit të tij. “Fëmijët e mi janë binjakë, vajzë dhe djalë. Djali ka autizëm, ndërsa vajza jo edhe pse i kanë marrë të njëjtat vaksina dhe i kanë të njëjtat gjene. Edhe shkenca sot nuk e ka zbuluar ende çka e shkakton saktë autizmin, por unë jam në një lloj dileme. Duke dashur t’i besoj më shumë shkencës e komentoj në këtë mënyrë që e mira e përgjithshme është në llogari që të merren vaksinat, me të gjitha këto njohuri që i kam unë djalin prapë do ta kisha vaksinuar”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se ka prindër që vijnë në shoqatë me konstatim se pas vaksinimit fëmija është bërë autist dhe shton se numri i fëmijëve me autizëm është në rritje. Sipas tij, para dhjetë vjetëve nga 120 fëmijë njëri ka qenë me autizëm, kurse tani një fëmijë nga 58 fëmijë është me autizëm. “Por tek prindi është edhe një lloj subjektivizmi. Ka dëshirë prindi të ketë një kënaqësi për ta arsyetuar rastin. Ka plot prindër të cilët e kanë lexuar diku që vaksina e shkakton dhe i kanë parë ndryshimet te fëmija”, tregon Krasniqi

Në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në qershor të vitit 2019 është publikuar “Plani strategjik i imunizimit 2019 – 2021”. Sipas këtij plani, sistemi i mbikëqyrjes së efekteve të padëshirueshme pasvaksinale (EPPV) është një sistem pasiv në Kosovë dhe për këtë arsye, për shkak të sigurisë së klientit rekomandohet përforcimi i këtij sistemi”. Në plan gjithashtu theksohet sipas marrjes së vaksinës kundër fruthit me dy doza, një rast i rëndë i EPPV-së mund lajmërohet te çdo 15 vjet.

Vaksina kundër fruthit nuk shkakton dëm në shëndetin e njeriut

Epidemiologia Haxhiu siguron se vaksina kundër fruthit nuk ka përmbajtje që rrezikon ose shkakton dëm në shëndetin e njeriut dhe se janë duke ndërmarrë fushata për t’i stimuluar prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. “Në vaksinën MMR ose vaksina kundër fruthit janë tre komponentë, pra tri lloje të viruseve të gjallë të atenuar të cilat e krijojnë një imunitet deri 92% në dozën e parë dhe 98% në dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, rubellës dhe parotitit. Ekipet e vaksinimit na raportojnë vazhdimisht rastet ku familjet refuzojnë vaksinimin. Me ata punohet vazhdimisht dhe në 90% të rasteve kemi sukses që t’i bindim se nuk kanë ndonjë efekt anësor. Apeloj te prindërit që të gjithë t’i vaksinojnë fëmijët”, thotë Haxhiu.

Gjatë epidemisë së fruthit në vitin 2018 në Kosovë nga 181 të infektuar kishin vdekur dy persona, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera kronike, gjë që ua ka komplikuar gjendjen shëndetësore. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike shpjeguan se të dyja viktimat e kësaj epidemie, fëmija njëvjeçar dhe një person 23-vjeçar, nuk kishin qenë të vaksinuar.

Doktoresha Florina Ushaku-Grezda thotë se për 20 vjet sa punon në Repartin e Vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare nuk ka parë ndonjë problem të veçantë kundër vaksinës së fruthit. “Kemi pasur ndoshta hezitim të vaksinojnë fëmijët, të cilët kanë pasur alergji në vezë. Për shkak se vaksina e përmendur përpunohet në embrionin e vezës dhe sa i përket mënyrës se si përfitohet në fabrikë, nëse fëmija ka alergji në vezë në njëfarë mënyre është i rrezikuar të reagojë edhe në vaksinë” , thekson ajo.

Sipas saj, ishin toleruar vetëm disa raste ku në familje kanë pasur rast të autizmit, për shkak të shqetësimit të prindërve dhe se këtë tolerim e bëjnë deri para se fëmija t’i mbushë 18 deri 20 muaj.

Ushaku-Grezda tregon se si më 2017-n përmes fushatave të vaksinimit ishte parandaluar përhapja e epidemisë së fruthit në Kosovë. “Prej Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës kemi marrë të drejtën që fëmijët të vaksinohen prej moshës 10 muaj e lartë, edhe pse teorikisht faza është nga 8 muaj ata kanë konsideruar se është pak e hershme. Me një përkushtim të madh që e kemi bërë në një periudhë disamujore që ka qenë fundi i vitit 2017 dhe fillimi i 2018-s kemi arritur të jemi më të mirët në listë prej vendeve ballkanike me zhdukjen e sëmundjes së fruthit dhe të mospërhapjes së epidemisë në atë kohë”, thotë ajo.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë brenda vitit lindin rreth 27 mijë fëmijë. Çdo vit fëmijët e moshës shkollore vaksinohen në hapësirën e shkollës, sipas kalendarit të vaksinimit. Këto vaksina sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë përmes UNICEF-it, me qëllim të sigurimit të vaksinave të cilësisë së lartë, me çmime më të lira dhe nga prodhuesit e kualifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Mbulueshmëria me vaksinim në Kosovë tash mbërrin mbi 95 për qind

Në Kosovë sipas Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, vaksinimi ndaj sëmundjeve ngjitëse si p.sh.: tuberkulozi, hepatiti B, kolla e bardhë, difteria, paraliza e fëmijëve, tetanosi, fruthi, parotiti dhe rubeola, është i obliguar. “Vaksinimit i nënshtrohen të gjithë fëmijët e Kosovës të moshës prej 0 ditëve deri në 19 vjeç, duke u bazuar në kalendarin e vaksinimit”, përshkruan ligji.

Të dhënat rreth vaksinave dhe kalendari i vaksinimit për fëmijë janë të inkuadruar në kartelën e imunizimit ose në pasaportën e imunizimit, e cila është e personalizuar për çdo fëmijë. Pos asaj, të dhënat mbahen në institucionet mjekësore në Kosovë dhe në kartelën e imunizimit vendoset data se kur duhet të merret vaksina e radhës.

Nga “Hulumtimi i kualitetit të shërbimeve të imunizimit përmes teknikës së kualitetit të LOT-it të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, studim ky i përkrahur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, nga 390 fëmijët e intervistuar 314 ose 76,2% ishin vaksinuar me MMR dhe posedonin kartelë. Prej tyre 154 ishin nën moshën 15-muajshe dhe 160 mbi moshën 15-muajshe”, shkruan në këtë studim.

Më 2010-n shkalla e vaksinimit të rregullt në Kosovë kishte qenë mbi 90%, mbulueshmëria me vaksinim në Kosovë tash mbërrin mbi 95%.

Ndërkohë që buxheti i sivjetmë i Kosovës ende nuk është miratuar, vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350.000 euro për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike, sikur është vaksina kundër gripit sezonal./KosovaLive/

 

 

Kategoritë
Shëndetësi

Të ngjajshmet