Vaksina AstraZeneca e sigurt, mjeku i QKUK-së i bindur se komplikimet janë minimale e të papërfillshme

Mjeku Artan Ahmeti në një intervistë për Ekonomia Online tha se pavarësisht që ka pasur dilema rreth vaksinës AstraZeneca, OBSh-ja ka dhënë sqarime të mjaftueshme që ajo është e sigurt.

Dhjetëra vende kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit.  Kjo ka ndodhur pas raporteve se disa persona kanë pësuar mpiksje gjaku, pas vaksinimit.

Por, sipas Ahmetit komplikimet janë minimale dhe të papërfillshme.

“…ka pasur dilema, por përndryshe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë sqarime se vaksina është e sigurt dhe komplikimet janë shumë minimale dhe të papërfillshme”.

Ndërsa në mbrëmjen e 28 marsit në Kosovë arritën 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pavarësisht vonesave, menaxheri i Klinikës “Infektive 2”, Ahmeti thotë se është një numër modest i vaksinave, por ai shpreson që ky është një fillim i mbarë për vendin.

“Por sigurisht që është një vonesë dhe jemi shtetit i fundit që po pajisemi me vaksina dhe mendoj që është një numër modest i vaksinave dhe sigurisht që tash po shpresoj që është një fillim i mbarë”.

“Në Klinikën Covid 2 nuk kemi pasur asnjëherë probleme me oksigjen dhe të gjithë pacientët e hospitalizuar janë të kyçur në oksigjen qendror”, tha ai për EO.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100 800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Kategoritë
LajmeVendi