Ushtari Rajan dhe pesë vëllezërit Dvorani

Jam i sigurt se shumica absolute e shqiptarëve nuk kanë dëgjuar për Hajriz Dvoranin, nuk kanë dëgjuar për pesë vëllëzërit e tij, nuk kanë dëgjuar për familjen Dvorani, nga fshati Tërstenik, komuna e Drenasit (ish-Gllogovci). Shqiptarët e dinë se ushtari Rajan ishte i vetmi që kishte shpëtuar nga 4 vëllëzërit e familjes amerikane. Por, shih çudinë, nuk e dinë se 40 km nga kryeqendra, jeton Hajriz Dvorani, i vetmi që ka mbijetuar nga gjashtë vëllezërit e tij. Pesë vëllezërit e tij janë vrarë nga serbët në  pranverën e vitit 1999. Hajrizi ishte dymbëdhjetë vjeç, kur murtaja e fazhizmit serb kishte kositur pesë (5, nuk është gabim) vëllezërit e tij. A s’do të duhej ta njohim Hajrizin?! A s’do të duhej të njohim dhembjen e tij?! A s’do të duhej të identifikohemi – bile për pak kohë – me dhemjen e familjes së tij?!

Shkruan: Blerim Gashani

Jam shumë i sigurt se e shumica e shqiptarëve e dinë kush është ushtari Rajan. Miliona shqiptarë kanë parë filmin “Shpëtimi i ushtarit Rajan”, që tregon se në kulmin e L2B një nënë amerikane me mbiemrin Rajan, kishte humbur tre, nga katër djemtë e saj të angazhuar në luftën kundër nazizmit. I katërti, ushtari Xhejms Rajan, ishte duke luftuar diku në fushat e Francës kur Gjenerali Marshall kishte kuptuar se duhet ta njoftojë nanën e shkretë me tre telegrame përnjëherë, për tre vëllezërit e vrarë të Xhejmsit. Gjenerali kishte dhënë urdhër që ushtari Rajan duhet të gjindet dhe të kthehet në shtëpi menjëherë. Dhe kapiten John H. Miller (Tom Henks) udhëheq misionin për ta gjetur shpresën e fundit të familjes Rajan.

Më 1994, Robert Rodat e kishte shkruar skenarin, i cili i kishte rënë në dorë regjisorit legjendar Spillberg. Pastaj kjo pjesë e ndritshme e artit filmik u bë histori. Që nga skena e zbarkimit në bregdetin e Normandisë dhe misionin e kërkimit të ushtarit Rajan, ruajtja e urës së një qyteze dhe vendimin e Rajanit që të mos lë fushëbetejën – por të qëndrojë “me të vetmit vëllezër që i kanë mbetur”- janë pjesë të një drame epike që përmes kinematografisë na vjen si tragjedi. Na vjen si një identifikim me dhembjen, me heroizmin dhe sidomos si një mësim i historisë!

Kthehemi në Kosovë. Prapë, jam i sigurt se shumica absolute e shqiptarëve nuk kanë dëgjuar për Hajriz Dvoranin, nuk kanë dëgjuar për pesë vëllëzërit e tij, nuk kanë dëgjuar për familjen Dvorani, nga fshati Tërstenik, komuna e Drenasit (ish-Gllogovci). Shqiptarët e dinë se ushtari Rajan ishte i vetmi që kishte shpëtuar nga 4 vëllëzërit e familjes amerikane. Por, shih çudinë, nuk e dinë se 40 km nga kryeqendra, jeton Hajriz Dvorani, i vetmi që ka mbijetuar nga gjashtë vëllezërit e tij. Pesë vëllezërit e tij janë vrarë nga serbët në  pranverën e vitit 1999. Hajrizi ishte dymbëdhjetë vjeç, kur murtaja e fazhizmit serb kishte kositur pesë (5, nuk është gabim) vëllezërit e tij. A s’do të duhej ta njohim Hajrizin?! A s’do të duhej të njohim dhembjen e tij?! A s’do të duhej të identifikohemi – bile për pak kohë – me dhemjen e familjes së tij?!

Shqiptarët dinë edhe për Letrën Bixby – sado kontraverse nga ana historike – të shkruar nga Abraham Linkoln dhe dërguar Lydia Parker Bixby-it, nënës që kishte humbur pesë djemtë e saj gjatë Luftës Civile Amerikane. Megjithatë, shqiptarët nuk dinë për pesë vëllëzërit Dvorani. Hisni Dvorani, Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani, më i madhi 29 vjeç dhe më i riu ende pa i ra brisk fytyrës, janë vrarë nga serbët në pranverën e vitit 1999. Nga gjashtë djemtë e Idriz Dvoranit, luftës i ka mbijetuar vetëm më i vogli, Hajrizi. Në një shoqëri me kujtesë, në një shoqëri me një moral, po edhe me një kinematografi, Hajrizi do të ishte Xhejms Rajan kosovar. Dhe pse nuk ndodh kjo në Kosovë?

Nuk do të ishte justifikim të themi se ne nuk kemi Stiven Spillberg, nuk kemi Tom Henks, nuk kemi Met Dejmon. Më afër do të ishte të themi se ne nuk kemi skenaristë fare, nuk kemi aktorë, nuk kemi kinematografi. Më herët kam shkruar se kur shohim projekte kinse-moderne, kinse-sureale dhe krejt të dështuara të kineastëve tanë, këta me një superioritet fals na thonë se “kanë dashur të punojnë diçka ndryshe”!!! Natyrshëm, na vjen në mendje “ndryshe nga çka?” Po të xhiroheshin 100 filma për luftën, atëherë do të mund të mendonim për “diçka ndryshe”! Nëse nuk do të këputej zingjiri i kinematografisë kosovare të viteve 70-80 të shekullit të kaluar, me gjasë tani do të na vinte radha edhe neve që të bënim diçka më ndryshe, diçka më hermetike, diçka postmoderne. Ai zingjir është këputur si me thikë, por lufta është minierë ari për kinematografinë e një populli – me kusht që ajo kinematografi të ekzistojë!

Filmi “Shpëtimi i Ushtarit Rajan” quhet dramë epike, ndër më të njohurat drama të bëra ndonjëherë. Por, megjithatë, në aspektin e përbotshëm, ajo është tragjedi. Dhe si tragjedi, ajo sjell katarsisin shpirtëror (Aristoteli). Ajo është zbrazje dhe purifikim i emocioneve me anën e artit. Asgjë s’do t’i kthejë në jetë vëllezërit Rajan. Asgjë s’do t’i kthejë në jetë vëllezërit Dvorani. Por, nëse do të kishim kinematografi, spektatori jonë, por edhe më gjerë, me anën e keqardhjes dhe llahtarit të përjetuar, do të nxirrte ankthet e veta dhe përmes identifikimit dashamirës me protagonistët tragjikë, do t’i zbrazte, do t’i pastronte ato ankthe.

Përkujtimi i dhembjes nuk bëhet për hatër të ushtarëve Rajan dhe vëllezërve Dvorani. Përkujtimi i tyre ndihmon identifikimin tonë më dhembjen. Me dhembjen e Nanës së familjes Dvorani, që ka humbur pesë djemë. Po të kishim art, po të kishim letërsi, po të kishim kinematografi, ne do të mund të identifikoheshim me dhembjen e kësaj familjeje dhe të mijëra familjeve tjera si kjo. Nëse jo për ta, atëherë për ne, për veten tonë.

Sepse, në mos për asgjë tjetër, identifikimi me dhembjen na bën më të mirë.

Dhe – ma merr mendja se këtu pajtohemi – sa shumë kemi nevojë të bëhemi më të mirë!/gazetaere.com/

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONE

Të ngjajshmet