Urime – urimet për liberalizimin e vizave!

Njohësit e integrimeve evropiane e parashihnin një vit të vështirë. Ngërçi i bisedimeve me Serbinë, pastaj zgjedhjet në Bashkimin Evropian (BE), do ta zvarritnin çështjen e Kosovës, përkatësisht integrimin e saj, edhe për gjatë kohë. Por premtimet janë premtime dhe, për sa i përket liberalizimit të vizave, ato duket që nuk po përmbushen as këtë vit – shkruan Gazeta e Re.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, është vet fotografia reale, ku shihet se sa i kanë realizuar detyrimet në raport me BE-në qeveritë e vendit, njëra pas tjetrës. Më saktë, është reflektim i asaj se sa i kanë realizuar premtimet përballë qytetarëve. Por parë në këtë plan, s’gjejmë veçse një seri urimesh të thata, të cilat me kohë është kuptuar që nuk vlejnë asgjë.

Në këtë seri urimesh për liberalizimin e vizave, urimi i fundit mbetet ai i Kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, i cili më 2 maj të këtij viti, ua uroi sërish kosovarëve liberalizimin e vizave. Në konferencën e parë pas kthimit nga Samiti i Berlinit, ai tregoi për qëndrimin e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë Horst Seehofer, për të cilin tha se: «na ka pritur në oborr dhe rrugës për në takim në ka konfirmuar këtë qëndrim: na ka thënë «po» për vizat». Kjo, sipas Haradinajt, nuk ishte një «po» – e analizave dhe mendimeve por e njeriut në detyrë»; Seehofer ka thënë «po» menjëherë, andaj, pat shtuar kryeministri: «Kosovë urime liberalizimi i vizave!».

Me fjalë po kaq të “forta” është paraqitur edhe kryediplomati kosovar Behxhet Pacolli, për të cilin ky vit do të jetë «vit vendimtar» për Kosovën. Ndërsa, ndryshe nga dy zyrtarët e tjerë të lartë, më e rezervuar është shfaqur Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.

Por historia e urimeve për heqjen e barrierës së vizave për Kosovën, fillon shumë më herët. Në vitin 2010 atëbotë Kryeministri Hashim Thaçi, tash president i vendit, premtonte një afat prej 15 muajsh, për sa i përket liberalizimit. I njëjti politikan, dy vite më vonë (2012), uronte sërish liberalizimin, duke shtuar i sigurt se: «Tani e tutje nuk do të ketë pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzim të vizave». Në vitin 2015-të Isa Mustafa, si kryeministër i vendit, fliste me po kaq siguri, ndërsa Bekim Çollaku, Ministër në Ministrinë e Integrimeve festonte me shampanjë aktin ‘e rrejshëm’ të liberalizimit.

Kështu i jemi avitur një dekade me premtime dhe urime për liberalizimin e vizave, por ky akt ende nuk ka ndodhur. Së fundi, Ministrja Dhurata Hoxha, në një intervistë për REL ka thënë se procesi është në hapin e fundit «pra në shqyrtimin e Këshillit të Ministrave. Po them se është në hapin e fundit sepse pas vendimit që do të merret – pra një vendim konsensual nevojitet, e kam thënë që duhet të ketë një shumicë të kualifikuar.»

Por sipas saj në këtë moment «na nevojitet aq numër i shteteve, të cilat e përbëjnë 65% të popullsisë të Bashkimit Evropian. Dhe nëse kjo ndodh, nëse kemi një votim në Këshillin e Ministrave, atëherë të gjitha procedurat e tjera pas këtij votimi – pra pas konfirmimit – atëherë janë vetëm procedurat burokratike që mund të përfundohen … është çështje javësh që mund të përfundojë pas votimit në Këshill. Mirëpo, sfidën që e kemi ne është se ky konsensus ende nuk është ndërtuar mes vendeve anëtare, për ta futur në agjendë. Pra, kur ta shohim se është futur në agjendë dhe votohet në Këshillin e Ministrave, pastaj nuk është një kohë shumë e gjatë se kur hyn në fuqi lëvizja e lirë apo liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.»

E gjithë kjo tregon që ende nuk është e sigurt asgjë. Andaj: kush ua ka garantuar politikanëve se do të votoj një numër i këtillë i shteteve ‘që përbëjnë 65% të popullsisë’, gjë e cila vërtetë do të na e garantonte liberalizimin e vizave? Kjo mbetet të shihet, por qytetarët më nuk iu zënë besë politikanëve. Këtë e ilustron më së miri fotografia e një kinse kopertine libri, që për autor ka artistin Kushtrim B. Mehmeti, ndërsa në titull shkruhet: «1001 Urimet e Liberalizimit, përmbledhje e urimeve ndër vite. Vëllimi i tretë.»

Pra a do të jetë edhe ky vit, një vit urimesh për urimet? Mbetet të shihet! /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet