UP-ja si legjitimuese e vjedhjes (dokument)

Ata të cilët e kanë në plan t’i shkruajnë disertacionet, Universiteti ‘Hasan Prishtina’, ua ofron një mundësi ideale, të cilën nuk mund ta gjejnë askund në botë. Nëse u mungojnë idetë, mjafton të marrin nga librat e autorëve të tjerë, qofshin të huaj a vendorë, dhe ta paraqesin si vepër të vetën origjinale. Mjafton që “vjedhja” nga një tekst të mos e kalojë masën mbi 70%, sepse pastaj disertacioni/libri – rrezikon të cilësohet si plagjiat – shkruan Gazeta e Re.

 Një vendim i paradokohshëm krejt i pazakontë, absurd dhe i pashembullt, i marrë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, ka ringjallur debatin rreth çështjes së plagjiaturave në qarqet universitare e akademike. Vendimi i cili ende është në fuqi, legjitimon hapur vjedhjet, ndërsa ata që kanë kryer një gjë të tillë, hë për hë, lirshëm mund ta justifikojnë aktin e tyre të turpshëm.

 Por çka është në të vërtetë plagjiatura? Në të gjithë fjalorët e huaj online, definicioni mbi plagjiaturën nuk ndryshon shumë me shpjegimin që ofrojnë fjalorët shqip. Të bësh plagjiaturë sipas fjalorëve Webster, do të thotë të marrësh idetë, fjalët, përkatësisht prodhimin e tjetrit, pa iu referuar burimit, duke realizuar kësisoj një akt vjedhje. Me fjalë të tjera, plagjiatura s’është gjë tjetër, veçse një akt mashtrimi. Prandaj ekzekutohen dënimet për ata që kryejnë të tilla gjëra, sepse idetë origjinale konsiderohen pronë intelektuale dhe mbrohen nga ligji për të drejtën e autorit.

Edhe Fjalorët elektronikë shpjegues në gjuhën shqipe, siç e thamë, përkufizimin e plagjiaturës, nuk e bëjnë më ndryshe:

Paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri ose e një pjese të saj sikur të ishte e vetja; vjedhje letrare, muzikore etj. që bëhet duke marrë pjesë nga vepra e dikujt tjetër pa treguar burimin; vepra a pjesa e vjedhur nga një tjetër në këtë mënyrë. Bënte plagjiaturë. E kritikuan për plagjiaturë.”

Megjithatë, përkundër shpjegimeve shteruese të fjalorëve dhe shembujve të shumtë që mund të hasen në praktikat perëndimore (nëpërmjet të cilave tregohet se si duhet të trajtohen ata që kryejnë të tilla akte), Rektorati i Universitetit të Prishtinës, në vitin 2007, me anë të një vendimi i cili po cilësohet si skandaloz, ka legjitimuar vjedhjen apo plagjiaturën.

Në rast se teksti Universitar i cili është shkruar nga mësimdhënësi i Universitetit para datës së marrjes së këtij vendimi e që ka karakter akademik është tekst në të cilin mbi 70% të tij është i cituar apo është i njëjtë me ndonjë tekst tjetër në gjuhën shqipe apo i përkthyer nga gjuhët e huaja si i tillë mund të konsiderohet si plagjiaturë” – thotë vendimi i datës 15 janar i vitit 2007, i nënshkruar asokohe nga Rektori Enver Hasani.

Sipas këtij vendimi, autorët që vjedhin pa cituar tekstet e të tjerëve dhe nuk e kalojnë masën e 70%-ndëshit, veprat e tyre nuk mund të konsiderohen plagjiatura.

Biologu dhe profesori Halil Ibrahimi duke e komentuar këtë vendim, për Gazeta e Re tha që, nuk ka qenë në dijeni për këtë vendim, por atë e cilësoi si skandaloz.

“…të konsideruarit plagjiat vetëm në rastet kur ka mbi 70% ngjashmëri është njëmend skandaloz dhe me gjasë rast unik në botë. Zakonisht në revistat ndërkombëtare shkencore dhe publikimet akademike niveli prej mbi 15%, 10%, 5% por edhe shumë më pak, konsiderohen raste të rënda. Bile edhe në këto raste, kjo përqindje nuk duhet medoemos të jetë e grumbulluar në të njëjtin kapitull a nënkapitull, por mjaft të identifikohet edhe si e shpërndarë gjithandej shkrimit akademik, në formën e përshkrimit të procedurave dhe terminologjisë shkencore.”

Avokati Florin Lata, i cili njëkohësisht është ekspert në fushën e mbrojtjes së të drejtave të autorit, për mediumin tonë tha që:

“Plagjiatura është problem shumë i shprehur në botën akademike, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, prandaj edhe është njëra nga tri shkeljet më të rënda shkencore bashkë me fabrikimet dhe falsifikimet e parapara me Kodin Evropian të Sjelljes për Integritetin e Kërkimit.”

Lata, atë që Ibrahimi e konsideroi si rast unik në botë (vendimin e rektoratit të vitit 2007), e sheh edhe si një përpjekje, ndonëse e pazakontë, që UP-ja me anë të kësaj mase, “t’i mbrojë tekstet akademike”, nga plagjiatura, e cila me shumë gjasë, është mjaft e përhapur brenda këtij institucioni.

“Vet vendimi Ref. 112 i datës 15.01.2007 i rektorit të atëhershëm të UP-së tregon se norma e lartë e vënë për tekstet, dëshmon se një pjesë e tyre janë plagjiat, sepse e bënë ndarjen e teksteve para dhe pas hyrjes në fuqi të vendimit. Nga kjo lë të kuptohet se sikur të mos ishte përcaktuar ky prag kaq i lartë, do të ekzistonte rreziku që shumë tekste “akademike” të tërhiqeshin nga përdorimi. Mirëpo përcaktimin e pragu prej mbi 70 % të një teksti universitar i cili është “i cituar” apo i njëjtë me ndonjë tekst tjetër për t’u konsideruar si plagjiaturë, është tepër i lartë, dhe nuk gjen mbështetje në ndonjë dokument të ndonjë institucioni kredibil universitar. Nëse e shohim nga një tjetër perspektivë, ju mund të merrni nga një tekst 69 % dhe ju mbetet të shkruani vetëm 31 % dhe teksti nuk do të konsiderohet plagjiaturë, sipas kuteve të UP-së. Një tekst i tillë nuk ka asgjë origjinale dhe si i tillë nuk gëzon as mbrojtje me të drejtën e autorit. Përkundrazi, një tekst i tillë i shkelë këto të drejta.”

Lata kujton disa nga rastet më të njohura në botë, ku më së miri ilustrohet se si janë trajtuar ata, veprat e të cilëve janë konsideruar si plagjiat. Rastet si ai i Pál Schmitt, president i Hungarisë, pastaj ai i Karl-Theodor zu Guttenberg, ish Ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë janë ndër më të njohurat. Këtij të fundit madje i ishte revokuar doktoratura.

Por UP, nuk ka treguar gatishmëri që t’i sanksionojë autorët të cilët kanë kryer akte të tilla të ulëta. Deri më tani, profesorët të cilët janë denoncuar publikisht për vjedhje të “pronave të huaja intelektuale”, nuk i janë nënshtruar ndonjë hetimi më të gjerë e as ndonjë mase ndëshkuese. Për më shumë ata vijojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre edhe më tej. Në këto rrethana, të gjithë ata që e kanë komentuar vendimin e 2007-tës, janë shprehur se nevoja për një debat rreth dukurisë së plagjiaturës, është jo vetëm e madhe, por edhe emergjente. Sipas tyre, ky vendim absurd, assesi nuk mund përpihet dhe se UP-ja, duhet të nxirret nga pellgu ku ka rënë./ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet