UP-ja mbetet aty, në fund të (kamp)pusit

Organizatat joqeveritare të cilat janë duke e monitoruar punën e profesorëve në Universitetin e Prishtinës, po vijojnë ta befasojnë opinionin publik, duke nxjerr në sipërfaqe “perlat” shkencore të këtyre njerëzve të dijes. Një mal me këso perlash, i sjell numri i ri i ‘Tempulli i Dijes’ i ORCA-s – shkruan Gazeta e Re.

Në numrin e fundit të ‘Tempulli i Dijes’, të përgatitur nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), kryetema është ‘Dekadenca’.

Ashtu siç paralajmëron Rron Gjinofci, Drejtor Ekzekutiv i ORCA-s, njëherësh edhe anëtar i redaksisë te Tempulli, në këtë numër lexuesit mund të lexojnë rreth zbulimit “shkencor të Mihrije Brahës nga fusha e Mjekësisë; për Flash Dash(amir) – si arrin profesori të jetë gjithkund dhe askund?; për skenarët e mundshme në afatin e prillit; si u përjashtua asistenti i mjekësisë pasi ia shpalli studentes së tij në orët e vona se shikimet e saj ishin “vrastare”?” si dhe për origjinën e emrit të “shkrimtarit më të çart Ag Apolloni.”

Sqarimi më i zgjeruar rreth kryetemës, vjen edhe në editorialin e Tempullit, ku ndër të tjera shkruhet:

“Këtë numër vendosëm me ia kushtu emërusit të përbashkët të gati tana ndodhive e prodhimeve të shekullit tonë. Si në politikë, muzikë e në art pamor, në përpjekje për me u shkëputë prej të vjetrës e prej krizës së vlerave që e ka kap botën mbarë, njerëzimi ka rrëshkitë në nji periudhë dekadente. Sot, president i ShBA-ve mundet me u ba nji njeri i padijshëm e rrenc, çka kemi mendu se është karakteristikë veç e jona si qytetnim i moçëm iliro-pellazg. Sot, piktura me dy-tri ngjyra shitet me miliona kishe aty ka vlera që shumica e njerëzve nuk i kuptojnë. Sot, muzika konsiston kryesisht në klipe videosh që japin nji mesazh komercial simbas nevojave të sistemit në të cilin jetojmë. Jetojmë në kohën kur gjithçka “e bukur”, “e mirë”, është e tillë veç mbasi të jetë konvertu në pare, në shumë pare. Ky lloj ideologjizimi ektremist i kulturës, politikës dhe jetës së përditshme në përgjithësi, ku gjithçka është ose pare (numër) ose e pavlerë, nuk ka lanë pa e prekë edhe akademinë. Dikur universitetet ishin diqysh ma jashta sistemit, për aq sa është e mundun me kenë jashta asaj pjesë e së cilës je, kur është fjala për misionin e tyne. Bile edhe nga vet emni universitet (univers, universal) shihet që qëllimi ishte i nji dije universale, jodomosdoshmënisht e kontekstualizume në hapsinë e kohë, pra idea e universiteteve ish ato me kenë projektus të së ardhmes së nji shoqnie apo shoqnisë njerzore. Sot, prej universitetit pritet me kenë në shërbim të tregut të punës. Nga institucione shkencore, ato dita ditës po shndërrohen në kurse trajnimi për punëtorët që do të punojnë në korporata e kompanira të ndryshme që synojnë profitin. Nga nji vatër e prodhimit të së ardhmes prosperuse, në instrument të privatit për prodhim veglash pune.”

Por editoriali i Tempulli-it kthen me këmbë në tokë. Aty na tregohet se konteksti ynë socio-kulturor në të cilën është vendosur “universi i dijeve”, reflekton provincializëm e dekadencë, që nga emrat e profesorëve e deri te “punimet shkencore” të tyre:

“Në vendin tonë universiteti përveç që prodhon mungesë aftësie masive, ai punëson në veten e vet nji armatë të njerëzve të patalentum e të padijshëm të cilët janë vendosë në pozitën e profesorit. Nga nji universitet që dikur prodhonte “kuadra” siç u thoshin me respekt të lartë, sot është shndërru në nji fabrikë prodhimi të të papunëve me diploma, me diploma që nuk justifikojnë ndoj aftësi të fitume. Kjo është dekadence, nga latinishtja decadere, ku “de” do me thanë “ndamje”, “shkputje”, “poshtë”, ndërsa “cadere” që do me thanë “me ra”. Pra ramje poshtë, si qysh thotë populli jonë “poshtë ka ra katuni”. Përmbledhtas katuni dekadent. Pa dashtë me u zgjatë e me mbajtë fjalime, po e përmbyllim këtë editorial si nji hyrje në Tempullin e Dijes numër 4, ku dekadenca paraqitet si dukuni në politikë, në profesoriatin e arsimit të naltë ashtu edhe në estradën muzikore. Dhe jorastësisht në këto tri grupe të krahasume e krahasushme me njana-tjetrën, si pishtar të periudhës dekadente. Le të jetë ky numër nji dëshmi atëherë kur dekadenca ka korrë fitore dhe është ba standard i padiskutueshëm, le të dihet që dikur në mars të vitit 2019, diku në Kosovë, është denoncu dekadenca në kohën kur ajo pat çu kry ma s’shumti.”

Në brendi, të numrit më të ri, ashtu siç edhe është paralajmëruar, vargohen dëshmitë njëra pas tjetrës, të cilat në një mënyrë a në një tjetër e argumentojnë dekadencën e UP-së. Dikush pra, duket po gjen forcë ta denoncojë dekadencën, ani pse ndodhemi në kohën kur “ajo po çon krye ma s’shumti!”/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet