UNWTO: Stambolli, Doha dhe Dubai avangardë e projekteve pilot për turizmin pas pandemisë

Zurab Pololikashvili, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), deklaroi të mërkurën se Stambolli, Doha dhe Dubai do të jenë avangardë e projekteve pilot për turizmin në procesin pas pandemisë globale të koronavirusit të ri.

Kreu i agjencisë turistike të Kombeve të Bashkuara vlerësoi efektet e koronavirusit në turizmin botëror gjatë një telekonference me gazetarët e huaj në Spanjë.

Duke theksuar se turizmi renditet në krye të sektorëve më të prekur nga COVID-19, Pololikashvili bëri me dije se UNWTO-ja do të fillojë projekte pilot të ndryshme sipas rajoneve.

Ai tha se në fund të qershorit dhe në korrik do të hapen për fluturime ndërkombëtare aeroportet e Stambollit, Dohas e Dubait, të cilat do të bëhen një qendër e lidhjes ajrore (hub) duke nisur rreth 50 fluturime direkte.

Pololikashvili theksoi se Turqia, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë bërë investime të suksesshme në turizëm gjatë 15 viteve të fundit duke përparuar shumë në fushën e inovacionit.

“Këto shtete do të jenë avangardë e projekteve pilot. Uroj që projektet në fjalë të na japin shpresë dhe mundësi për të riaktivizuar dhe rigjallëruar turizmin në rajon. Të gjithë ne mund të kthehemi dalëngadalë në normalitet”, shtoi ai.

Gjithashtu shefi i UNWTO-së tërhoqi vëmendjen mbi paqartësitë shumë të mëdha në turizëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Aktualisht kufijtë e 150 vendeve janë të mbyllura. Në procesin përgatitor për hapjen e turizmit – fjala bie – unë jam kundër idesë për hapjen e kufijve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian vetëm ndërmjet vendeve të zonës Schengen duke përjashtuar Turqinë. Unë personalisht s’do të jem pjesë e një politike të këtillë. Sepse edhe Turqia është një qendër e lidhjes ajrore dhe një vend shumë i rëndësishëm”, potencoi Zurab Pololikashvili.

Pasi vuri në pah se Evropa ka një rëndësi historike në turizëm, sekretari i përgjithshëm i UNWTO-së rikujtoi se Spanja, Italia, Franca, Turqia dhe Greqia renditen në mesin e 10 vendeve të para për nga numri i turistëve që presin çdo vit.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet