UNMIK-u

Albinot Maloku

Këto raportimet monotone të cilat mbahen çdo tre muaj pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, e në të cilat veç Përfaqësuesit Special të Sekretarit Gjeneral të OKB-së, merr pjesë edhe përfaqësuesi i Kosovës dhe ai i Serbisë, kryesisht po shfrytëzohen për deklarime politike. I ngjashëm ishte edhe takimi i fundit, ku ambasadorja Vlora Çitaku, e cila foli në emër të Kosovës, kërkojë në mënyrë deklarative përmbylljen e Misionit të OKB-së në Kosovë, i cili ende njihet si UNMIK dhe funksionon nën kapacitetin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

“Është shumë e rëndësishme që misioni i Kombeve të Bashkuara të mbetet në Kosovë dhe ky është pozicion i qartë”, kishte thënë kohë më parë Antonio Guterres, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në një takim me Ivica Daçiqin në Shën Petersburg të Rusisë. Si kundër peshë erdhi edhe kërkesa e Vlora Çitakut të Kosovës, që UNMIK-ut të mos i vazhdohet më angazhimi në vend.

Kjo kërkesë e ambasadores Çitaku, përderisa ajo, por edhe Kosova merr pjesë në këto raportime është po aq e pakuptimtë sa edhe vazhdimi i qëndrimit të UNMIK-ut në Republikën e Kosovës. Mospjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës në këto raportime pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së çdo tre muaj, do të ishte hapi më i rëndësishëm kundrejt UNMIK-ut si mekanizëm i dal kohe për rrethanat në të cilat ndodhet Republika.

Dihet se këto raportime kanë për synim përcjelljen e realizueshmërisë së Rezolutës 1244 në terren, të cilën realizueshmëri e implementon Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Mirëpo, për kohën këto raportime veç se kanë qenë të domosdoshme, ato kanë gëzuar edhe vëmendjen ndërkombëtare. Aktualisht, ato janë bërë monotone dhe shpenzuese si në aspektin material, ashtu edhe atë kohor për Ambasadën e Republikës së Kosovës në SHBA. Kapaciteti i përfaqësuesit të Kosovës në këto raportime po ashtu nuk korrespondon me realitetin aktual në të cilin gjendet vendi. Pas 17 shkurtit 2008 dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e shtetësisë së Kosovës, vendi ynë ndjek rregulla si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Arsyet e angazhimit të Prishtinës zyrtare për të mos vazhduar me këtë praktikë të raportimit çdo tre mujor për gjendjen në Kosovë jenë të shumta dhe ato duhet të ndërpriten. Procedurat për largimin e administratës së UNMIK-ut janë jo të lehta për Republikën e Kosovës. Rezoluta 1244, edhe pse tanimë në asnjë pikë nuk i bie tamam realitetit politik e gjeopolitik të Republikës së Kosovës, ka fuqi aplikimi si pasojë e vetos ruse dhe kineze të cilat nuk e duan ndryshimin e këtij dokumenti. Çka është më e keqja, këtë rezolutë e ka ri-aftësuar për përdorim edhe fusnota e cila përshkruhet tek emri i Kosovës në arenën ndërkombëtare ku ajo nuk pranohet si shtet.

Faza e uljes së nivelit politik të përfaqësimit të Kosovës në këto raportime pranë KS të OKB-së, ka qenë e mirë, por ajo duhet të kalojë tek faza tjetër, e kjo është mospjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës në këto raportime.

 

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...
  • Balotazhi

    Albinot Maloku Republika e Kosovës e përfundoi me sukses edhe një proces zgjedhor për nivelin lokal që përfshiu 38 komuna për të zgjedhur anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët...