Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik me program të ri për bursa për nxënësit e suksesshëm

Në njoftimin e bërë nga IBU, thuhet se sipas programit të ri, maturantët me sukses të dalluar do të mund të fitojnë bursa deri në 100 për qind për çdo semestër.

Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) ka shpalosur Programin e ri për bursa për studentët e ardhshëm në vitin akademik 2020/2021 të titulluar “Maturantët më të mirë, në Universitetin më të mirë”, i cili bazohet në suksesin e arritur të nxënësve gjatë shkollimit të mesëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga IBU, thuhet se sipas programit të ri, maturantët me sukses të dalluar do të mund të fitojnë bursa deri në 100 për qind për çdo semestër.

Nga universiteti bëjnë të ditur se me këtë maturantët do të kenë edhe mundësinë për të studiuar në një nga universitetet më të mira në vend ku mësimdhënia është plotësisht në gjuhën angleze dhe sipas rangimit të fundit të Shangajit, i ranguar si universiteti më i mirë në kategorinë e mësimdhënies.

“Aplikimi për bursa do të zgjasë deri më 25 shtator, respektivisht deri në plotësimin e kuotave të parapara për regjistrim të studentëve të rinj”, thuhet nga IBU.

“Si institucion me përgjegjësi të lartë shoqërore, IBU vazhdon të jetë tërësisht i përkushtuar për të përkrahur arsimin dhe shkencën në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit, duke siguruar bursa gjer në 100 për qind për maturantët më të talentuar dhe më të suksesshëm. Gjatë 14 viteve të kaluara që nga themelimi i universitetit, mbi 1.200 studentë kanë përfituar nga programi i bursave dhe sot janë profesionistë me kualifikime të larta. Ata janë edhe ambasadorët e vërtetë të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik dhe të sistemit tonë arsimor modern, kualitativ, të fokusuar në student dhe të orientuar drejt karrierave”, theksohet në deklaratën e IBU.

Programi i ri i bursave parasheh bursë të plotë 100 për qind për maturantët që shpallen më të mirët e gjeneratës, që dëshmohet me vërtetim të lëshuar nga drejtoritë e shkollave të mesme dhe këta studentë do të lirohen tërësisht nga pagesa e shkollimit.

Ndërsa për studentë me notë mesatare të ndryshme bursat do të jenë prej 80 për qind e deri më 50 për qind, varësisht prej suksesit.

“Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik është universitet i pranuar ndërkombëtarisht, me studentë nga 15 shtete dhe me kampus me standarde botërore në Shkup. Studentët do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe nga programi për shkëmbim studentor Erasmus+, i cili u mundëson përvojë të pazëvendësueshme studimi në një nga mbi 200 universitete në 40 shtete të botës me të cilat IBU ka bashkëpunim ndërinstitucional, edhe kjo me bursë të plotë të siguruar përmes projektit nga Bashkimi Evropian”, thuhet nga IBU.

Të gjithë maturantët që i plotësojnë kriteret e parapara dhe dëshirojnë të studiojnë në IBU mund të bëjnë aplikimin online në ueb faqen e universitetit, përkatësisht në www.ibu.edu.mk.

Kategoritë
LajmeRajoni