Universiteti i Prishtinës ndërmjet krizës dhe reformës

Përsëri Universiteti ‘Hasan Prishtina’ është vënë në qendër të vëmendjes. Plagjiaturat, avancimet pa kritere, ngacmimet seksuale dhe një mori anomalish të tjera, po konsiderohen si çështje me të cilat duhet urgjentisht të merren institucionet relevante – shkruan Gazeta e Re.

Përfaqësuesit e organizatave Admovere dhe ORCA në një debat televiziv, në prani të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqri Bytyqi si dhe Rektorit të Universitetit të Prishtinës Dr. Marian Dema, kanë ritheksuar nevojën që institucionet e vendit të merren urgjentisht me problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohet arsimi pasuniversitar.

Organizatat në fjalë, këtyre ditëve  realizuan “ekspedita” takimesh me zyrtarë të lartë të institucioneve vendore, veçanërisht për adresimin e çështjeve të plagjiaturave dhe shkeljeve të integritetit akademik.

Në kuadër të këtyre takimeve Shkelzen Gashi dhe Rron Gjinovci, para disa ditësh takuan Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë zt. Shyqiri Bytyqi lidhur me rastin a avancimeve të “supermenëve” të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të ngritura nga ORCA dhe rastet e plagjiaturave, të ngritura nga Admovere.

Sipas një raporti të lëshuar për media bëhet e ditur se:

“Gashi dhe Gjinovci i kanë kërkuar Ministrit Bytyqi që të ofrojë mbështetje institucionale për Rektorin e UP-së Prof. Dr. Marjan Dema dhe organet tjera të UP-së që mund të përfshihen në hetimin e rasteve të përmendura.

Ministri Bytyqi është zotuar se do të sigurojë mbështetje institucionale për të gjitha iniciativat për hetim me qëllim mbrojtjen e integritetit akademik nga ana e universiteteve publike, pa paragjykuar rezultatet e hetimeve.”

Po ashtu në faqet zyrtare në facebook, është bërë e ditur se në vijë të këtyre angazhimeve, të dy përfaqësuesit e organizatave në fjalë, ia kanë dorëzuar Rektorit Dema letra të veçanta, nëpërmjet të cilave kanë kërkuar trajtimin e rasteve të plagjiaturave dhe shkeljeve të integritetit akademik, në avancime.

Sipas njoftimit përmbajtja e tyre është kjo:

“1. Letrat përmbajnë kërkesën që Rektori Dema t’i themelojë dy komisione me pjesëmarrje ndërkombëtare të veçanta për hetimin e të dy rasteve në mënyrë të veçantë.

  1. Që gjetjet e raporteve të komisioneve t’i adresojë në Këshillin e Etikës.
  2. Që në përputhje me kompetencat e veta t’i rekomandojë Senatit marrjen e masave për të gjitha rastet.”

Drejtuesit e organizatave, janë zotuar që do t’i takojnë të gjithë hisedarët  e “çështjeve të ngritura”, në kuadër të angazhimit të tyre demokratik, për gjetjen e zgjidhjeve për sa u përket problemeve me të cilat po ballafaqohet universiteti publik i Prishtinës.

Por edhe arsimi parauniversitar nuk qëndron aspak më mirë. Mungesa e teksteve për shkollat profesionale, është një problem që nuk ka gjetur përgjigje tash e sa dekada. Ekspertët kanë drojë që në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, edhe për do kohë, do të nxirren në treg kuadro që nuk janë të aftë për t’u përshtatur me tregun e punës./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet