Unioni Afrikan bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave

Mahamat theksoi se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave është një nga përparësitë e Unionit Afrikan

Unioni Afrikan ka theksuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në të gjitha organet vendimmarrëse, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në këtë Ditë ndërkombëtare të të drejtave të grave, kam një mendim të veçantë dhe të dashur për të gjitha gratë afrikane në qytete dhe veçanërisht në zonat rurale, të cilat jetojnë në dhimbje, vuajnë në heshtje dhe janë viktima të dhunës fizike ose seksuale”, tha Moussa Faki Mahamat, kryetar i Komisionit të Unionit Afrikan.

Mahamat theksoi se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave është një nga përparësitë e Unionit Afrikan.

Më tej, ai theksoi se barazia dhe fuqizimi i grave shihet si një mundësi për t’i nxjerrë gratë afrikane nga “kushtet e tyre të mjerueshme, të përbëra nga dhuna, përjashtimi dhe paragjykimet”.

“Fatkeqësisht, këto gabime ekzistojnë dhe vazhdojnë në shumicën e vendeve afrikane. Gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë viktimat kryesore të konflikteve dhe krizave që prekin kontinentin tonë”, u shpreh Mahamat.

Zyrtari i lartë i Unionit Afrikan tha se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) shënoi një pengesë shqetësuese në “barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave”.

Mahamat bëri thirrje për t’i dhënë fund veprimeve të dhunës ndaj gruas, duke përshëndetur presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, për propozimin e një konvente afrikane mbi dhunën ndaj grave.

Mahamat po ashtu përshëndeti kreun e Unionit Afrikan, Tshisekedi Tshilombi, presidentin e Republikës Demokratike të Kongos, për angazhimin e tij për të ndjekur këtë veprim.

Kategoritë
BotaLajme