Ugljanin: Platforma e SDAS, çelës për zgjidhje politike të problemeve territoriale në Ballkan

Ugljanin deklaroi se platforma e cila u miratua nga delegatët e partisë në fund të muajit të kaluar paraqet kontributin e partisë politike në arritjen e paqes së duhur në Ballkan.

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik të Sanxhakut (SDAS), Sulejman Ugljanin, ka deklaruar se platforma e cila u miratua nga delegatët e partisë në fund të muajit të kaluar paraqet kontributin e partisë politike në arritjen e paqes së duhur, të qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

Ugljanin theksoi se platforma, si pjesë e veprimtarisë së SDAS që nga themelimi i saj, bazohet në zgjidhjen e çështjes së Sanxhakut dhe statusit të popullit boshnjak.

“Përcaktimi i Sanxhakut si një entitet i veçantë territorialo-politik me autoritet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është zgjidhja e vetme që garanton mbijetesën biologjike dhe ekzistencën politike të popullit boshnjak në zonën e Sanxhakut. Statusi i veçantë për Sanxhakun është një mekanizëm afatgjatë dhe i qëndrueshëm që garanton mbijetesën dhe të drejtën e boshnjakëve për ekzistencë politike, zhvillim të papengueshëm socio-ekonomik dhe ofrim të mundësive të barabarta për të gjithë popujt që jetojnë në rajonin e Sanxhakut”, tha Ugljanin.

Platforma për zgjidhjen e statusit të boshnjakëve dhe rajonit të Sanxhakut, e cila kërkon status të veçantë për rajonin, sipas Ugljaninit bazohet në rezultatet dhe vullnetin e qytetarëve të Sanxhakut, të shprehur në referendumin për autonomi të plotë politike dhe territoriale të Sanxhakut, të mbajtur nga 25 deri më 27 tetor të vitit 1991.

“Zgjidhja e përfshirë në Platformën e SDAS paraqet një projekt politik me rëndësi të gjerë ndërkombëtare në lidhje me integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Statusi i veçantë i Sanxhakut, si një bashkësi territoriale-politike e popujve të barabartë, ku shqiptarët, boshnjakët, malazezët dhe serbët janë popuj konstituiv është çelësi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike dhe territoriale të vendeve fqinje dhe popujve në Ballkan”, tha Ugljanin, duke shtuar se zgjidhja për statusin e Sanxhakut duhet të jetë bërthama e bashkëpunimit rajonal, paqes dhe stabilitetit në të ardhmen.

Ai gjithashtu theksoi se platforma që ofron partia e tij është një përgjigje e pyetjes se si t’u kthehet rajoni i Sanxhakut njerëzve të cilëve u takon dhe të cilët kanë të drejtën parësore për atë territor.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet