UEFA pezullon ndeshjen Drita-Linfield në Zvicër për shkak të infektimit me COVID-19

“Lojtari që rezultoi pozitiv kishte kontakt edhe me anëtarët e tjerë të delegacionit gjatë ditëve të fundit dhe kjo ka bërë që autoritetet zvicerane ta vendosin tërë skuadrën kosovare në karantinë”, ka bërë të ditur FFK.

Ndeshja finale e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve ndërmjet kampionit të Kosovës “Drita” dhe kampionit të Irlandës së Veriut, Linfield, e paraparë për t’u zhvilluar sonte në Nion të Zvicrës është pezulluar.

Siç njofton Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ky vendim është marrë pasi autoritetet shëndetësore të Zvicrës në bashkëpunim me UEFA-n kanë vendosur për karantimin e klubit kosovar Drita, pasi një lojtar i kampionëve kosovarë të sivjetmë në futboll ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

Në njoftimin e UEFA-s thuhet se i gjithë ekipi i klubit Drita ishte testuar negativ para ardhjes së tyre në Zvicër, mirëpo të premten e javës së kaluar një lojtar nga ekip doli pozitiv në prag të ndeshjes kundër Inter Club d’Escaldes, të cilin Drita e mposhti 2 me 1.

“Lojtari që rezultoi pozitiv kishte kontakt edhe me anëtarët e tjerë të delegacionit gjatë ditëve të fundit dhe kjo ka bërë që autoritetet zvicerane ta vendosin tërë skuadrën kosovare në karantinë. Për këtë arsye ndeshja nuk mund të zhvillohet, thuhet në njoftimin e UEFA-s”, shkruan në komunikatën e FFK-së.

Sipas FFK-së, tani çështja do t’i paraqitet Organit të Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim në përputhje me shtojcën I të rregullores së Ligës së Kampionëve 2020/21 të UEFA-s.

FFK në fund të komunikatës së saj, i ka bërë lutje UEFA-s që me mirëkuptim të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër me qëllim që të mos dëmtohet ekipi kosovar.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet