UÇK-ja nuk është e askujt, askush nuk ka të drejtë ta “privatizojë” atë

UÇK – ja është shndërruar në një simbol të manipulimit. Ashtu siç janë shndërruar edhe   «Amerika», «Fryma Rugoviane» dhe ndonjë fjalë a togfjalësh tjetër që mund të mos më kujtohet. Por këto ditë është imponuar gati përdhunshëm në opinionin publik, simboli që ndërlidhet me luftën e fundit në Kosovë… përse dhe nga kush?

Shkruan: Imer Topanica

Meqë jetojmë në kohën e simboleve, jeta jonë varet nga «interpretimi i këtyre simboleve» (Gj. Shushnjiq). Andaj, në një mënyrë a në një tjetër qytetarët kanë ndërtuar ose ndërtojnë vazhdimisht relacione të posaçme me këto simbole të cilat, ndonëse shënjohen me ndonjë fjalë, togfjalësh, a fjali, nënkuptojnë dukuri, ide, situata apo entitete të caktuara sociale.

«Prandaj, me një drejtim të shkathët të simboleve (ideve) arrihet i njëjti ndryshim (në ndjenja, qëndrime dhe sjellje) që arrihet me ndryshimin e rrethanave natyrore dhe sociale ( Gj. Shushnjiq).

Këtë mësim shkencor, e kanë përvetësuar më së miri politikanët tanë. Për shembull Presidenti Hashim Thaçi. Reputacioni i tij prej politikani, ka rënë përtokë në këto vitet e fundit. E pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale (ende e pakonfirmuar), ai po rreket ta përmirësojë figurën e tij, të paktën në relacion me qytetarët vendor.

Natyrisht, lajmit për aktakuzën e publikuar, nuk iu gëzua askush, sepse në mediat anekënd globit emri i presidentit tonë u shndërrua në një referencë negative duke i kontribuuar imazhit të keq të vendit. Por për këtë ka së pari faj vet ai.

Para 21 vitesh, atëbotë nga pozita e kryekomandantit të UÇK-së, e nënshkruan aktin e demilitarizimit të saj. Ndërsa në vitin 2015-të, themelimin e Gjykatës Speciale, e justifikonte me këtë gjuhë:

«Por dëshiroj të potencoj: për të pastruar luftën tonë, për të dëshmuar se ne nuk kemi asgjë që të fshehim, për ta ruajtur aleancën historike dhe strategjike, me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n… ne duhet ta themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar…».

Përderisa atij vet nuk iu ngrit aktakuza, ai bënte thirrje vazhdimisht që për shkak të ruajtjes së raporteve të mira me aleatët strategjik, ish luftëtarët duhej t’u përgjigjeshin ftesave nga Specialja:

« Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore».

Por kur u ftua vet, i tronditur tha:

«Nuk e di a ishte rastësi, apo ishte intrigë, që në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë në Uashington doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua, ky duhet të jetë çmimi që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë…»

Përse të shfaqej kaq i befasuar? A nuk ishte ai vet luftëtar dhe a nuk ishte njëri ndër përkrahësit e fuqishëm të themelimit të kësaj gjykate e cila për objektiv kishte vetëm luftëtarët shqiptar?

Noam Chomsky do të thoshte se: «Populli duhet t’i perceptojë udhëheqësit si shpëtimtarë të vërtetë të kombit». Vetëm në këtë mënyrë garantohet një jetëgjatësi në sundimin e tij.

Prej nga ky konkluzion? Sepse po qe se Presidenti Thaçi nuk do ta kishte menduar më për politikën dhe po qe se do t’ia donte të mirën vendit, ai do të duhej të jepte dorëheqje menjëherë. Ky do të ishte akt i mirëpritur në këtë situatë. Për hir të ruajtjes së raporteve miqësore, siç do të thoshte vet (po qe se nuk do të ishte fjala për të), me: «miqtë ndërkombëtarë!».

Krejt për fund, pyetja që duhet ngritur është, pse ai vet, ani që ishte në pushtet për një kohë të gjatë, nuk e paditi asnjëherë Dick Marty-n për shpifje, nuk nxiti hulumtuesit vendorë apo ndërkombëtarë të ndërtonin raporte më kredibile se sa ato të Human Right Watch, Amnesty International etj, të cilat në një mënyrë iu paraprinë themelimit të Dhomave të Specializuara?

A i mohoi akuzat. Le të përballet pra me drejtësinë, por pa uniformë shtetërore dhe pa u mbështjellë me flamurin e UÇK-së… Fundja ai nuk është pronar i saj dhe nuk ka të drejtë ta privatizojë./Kosova.info/


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreOPINIONEOpinione - BallinaVendi

Të ngjajshmet