UÇK-ja e cila e mori mbështetjen e Perëndimit, a vendoset në raftet me pluhur të historisë?

Emrat të cilët në 10 vitet e fundit kanë depërtuar në radhët më të larta të shtetit të ri Kosovës dhe të cilët gjatë periudhës së luftës së pavarësisë kanë administruar UÇK-në, vazhdojnë të jenë shënjestër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në Hagë.

Me akuzat që përballen anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila u themelua si një lëvizje rezistence shqiptare gjatë luftës së pavarësisë së Kosovës ndaj persekutimit serb dhe politikave shtypëse të Sllobodan Millosheviqit në fund të viteve 1990-ta, e cila më pas mori edhe mbështetjen e Perëndimit, periudhën e fundit ka sjellë në rend dite komentet se përpjekja e luftëtarëve pro pavarësisë, sërish me pëlqimin e Perëndimit “vendosen në raftet me pluhur të historisë” dhe se anëtarët e saj një nga një “asgjësohen”.

Emrat të cilët në 10 vitet e fundit kanë depërtuar në radhët më të larta të shtetit më të ri të Evropës dhe të cilët gjatë periudhës së luftës së pavarësisë kanë administruar UÇK-në, vazhdojnë të jenë shënjestër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në Hagë. Së fundmi ishte bërë publike aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli se kanë kryer krime lufte ndaj civilëve në Luftën e Kosovës në vitet 1998-1999, gjë e cila tregon se Gjykata Speciale e Kosovës dhe prokuroria pranë saj nuk do të reshtë së ndjekuri këtë çështje.

Ekspertët e temës e cilësojnë si standard të dyfishtë mos ndëshkimin e zyrtarëve serb ushtarak të periudhës nga asnjë krim, të cilët kanë masakruar mijëra civilë në Kosovë; ndërsa e komentojnë si një hap politik aktakuzat e publikuara së fundmi dhe ende të papranuara nga gjykata ndaj Kosovës e cila është në dialog me Serbinë.

– “Viktima” e parë e rangut të lartë të prokurorisë ish-kryeministri Ramush Haradinaj

Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës ndryshe e njohur edhe si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs u themelua në vitin 2011. Ndërsa është votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Organi gjyqësor i themeluar për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës që pretendohet se janë kryer në rajon në vitet 1998-2000, përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Prokuroria në qytetin e Hagës të Holandës, që nga fillimi i vitit 2019 dhjetëra ish-anëtarë të UÇK-së i ftoi për intervistim, por në politikën e Kosovës kishte ndikuar vitin e kaluar në korrik.

Ramush Haradinaj, kryeministër i vendit në atë kohë dhe një nga ish-komandantët e UÇK-së, për shkak se është i ftuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs në Hagë, si i dyshuar, i cili kishte dhënë dorëheqje nga detyra. Kështu, vendit të ri të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme sërish i ishte hapur rruga e zgjedhjeve.

Ndërsa Haradinaj pas intervistimit në deklaratën për gazetarët, kishte treguar se me këshillë të avokatëve të tij, nuk i është përgjigjur pyetjeve të drejtuar ndaj tij dhe se është mbrojtur në heshtje.

– Procesi i dialogut Kosovë-Serbi pengohet nga “krime lufte”

Prokuroria e cila kohë pas kohe thirrte ish-pjesëtarët e UÇK-së për intervistim, këtë herë sërish erdhi në rend dite më 24 qershor para takimit mbi dialogun Kosovë-Serbi që pritej të zhvillohej më 27 qershor në Washington. Prokuroria ndau me publikun aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit me akuzën se kanë kryer krim ndaj njerëzimit dhe krime lufte. Pas kësaj, Thaçi i nisur për në Washington për dialog, duke njoftuar se nuk do të marrë pjesë në mbledhje u kthye në vend.

Sipas aktakuzës, Thaçi e Veseli dhe persona të tjerë në aktakuzë, u pretendua se janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, duke u theksuar se të dyshuarit akuzohen për vrasje, syrgjynosje dhe torturë. Identiteti i personave të tjerë në aktakuzë nuk u bë i ditur për publikun. Kështu, SHBA-ja e cila dëshironte të ndërmjetësoj në dialogun Prishtinë-Beograd, u pengua nga një prokurori me qendër në Evropë dhe u komentua si një manovër politike.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, i cili udhëtoi në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale, katër ditë me radhë me orë të tëra ishte intervistuar. Ai pasi u kthye në vend pas intervistimit, u prit nga mijëra persona në pikën kufitare me Shqipërinë, Morinë, me zurna e daulle. Thaçi i lodhur në aspektin politik ndër vite në këtë mënyrë e rriti sërish popullaritetin e tij në vend.

Ai pas kthimit në vend, duke u adresuar para qytetarëve, theksoi se ka “respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund të së vërtetës”. Thaçi tha se nuk do të hyjë në detaje të procesit të dhënies së dëshmisë në Hagë, por theksoi se ky proces nuk do ta rishkruaj historinë e luftës së UÇK-së dhe të shtetformimit.

Në periudhën e njëjtë, Kuvendi i Kosovës miratoi në seancë plenare “rezolutën për unitetin politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit”. Sipas rezolutës, “shteti serb ka kryer spastrim etnik duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1 mijë e 300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës”.

– A është duke u minuar lufta e pavarësisë së UÇK-së?

Gjersa nga njëra anë të gjithë këto zhvillime po ndodhnin, një grup i vogël margjinal kundërshtuan ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Prishtinës, e cila do të ndërtohet me kontributet e Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV). Pasi në këtë ngjarje ishin përzier edhe anëtarët e UÇK-së, solli në mend pyetjen vallë lufta e pavarësisë e UÇK-së po minohet nga dikush.

Në protestë pjesëmarrja nuk kishte kaluar as gishtat e dy duarve, ndërsa tërhoqi vëmendjen se në protestën e cila u thirr nga veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Binak Gashi, mungoi vetë organizatori. Duke marrë parasysh se shumë organizata dhe institucione nga Turqia në krye me Fondacionin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) çdo periudhë i ndihmon familjet e veteranëve dhe martirëve në vend, shkaktoi reagime ndaj ish-ushtarit që mund të cilësohet si veteran, i cili bëri një thirrje të tillë.

– “Viktima e fundit” e Prokurorisë nga Maqedonia e Veriut

Prokuroria Speciale e Kosovës, së fundmi javën e kaluar, e ftoi në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut dhe një ndër themeluesit dhe liderët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) Ali Ahmeti. Ai duke bërë një deklaratë nga rrjeti social, duke mos njoftuar datën e intervistimit, tha se ka vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Ahmeti, i cili ishte themeluesi dhe kreu i UÇK-së së çarmatosur pas konfliktit të brendshëm në vitin 2001 në Maqedoni, kishte theksuar se “Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”.

Megjithatë, Ahmeti nuk ka specifikuar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë nga Prokuroria Speciale, por ka tërhequr vëmendjen se është ftuar në Hagë në një periudhë kur partia e tij ka dalë rishtazi nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut dhe në vend ku ende nuk është formuar qeveria.

I mbetet Dhomave të Specializuara të Kosovës që brenda gjashtë muajve të sjellë vendim rreth konfirmimit ose hedhjes poshtë të aktakuzave, veçanërisht ndaj Thaçit dhe Veselit. Në këtë drejtim, politika e vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n, mund të thuhet se do të formohet deri në fund të vitit në varësi të vendimeve që do të merren në këtë kontekst.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet