U akuzua për ryshfet, nis procesi gjyqësor kundër Kryeministrit izraelit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka nisur përballjen ligjore për akuzat e korrupsionit dhe mitëmarrjes.

Procesi kundër 71-vjeçarit filloi të hënën në Jerusalem, pas shtyrjes disajavore për shkak të situatës me pandeminë.

Në seancat aktuale dëgjimore Netanjahu pritet të japë versionin e tij rreth akuzave, ndërkohë që më vonë janë planifikuar seancat me dëshmitarë dhe evidenca konkrete.

Kryeministri izraelit akuzohet për tri çështje të ryshfetit, mashtrimit dhe abuzimit me detyrën.

Në dy raste ai pretendohet se hyri në marrëveshje të fshehta me një kompani dhe me një gazetë vendëse, duke u ofruar favore politike nëse shkruanin lajme të mira për të dhe familjen.

Në një rast tjetër ai dhe familja e tij pretendohet se kanë marrë mbi 200 mijë dollarë dhurata dhe stoli të çmuara nga individë të pasur, për favore personale.

Në muajt e fundit qytetarët e vendit janë mbledhur disa herë për të kërkuar dorëheqjen e Netanjahut, siç ndodhi edhe të hënën jashtë gjykatës kur ai dëshmonte.

“Po të kishte pak dinjitet, do i dorëzonte çelësat dhe do e linte detyrën, por Bibi Netanjahu nuk ka krenari. Është një i korruptuar që do të ngre diktaturën në Izrael, dhe ne nuk do e lejojmë.“- tha Claudia Manoquian.


“Është çështja e sundimit të ligjit. Netanjahu duhet të gjykohet si çdo qytetar tjetër i Izraelit.”

Kryeministri izraelit i ka mohuar akuzat dhe thotë se ato po përdoren për ta dëmtuar politikisht teksa vendi përgatitet të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare më 23 mars.

Kategoritë
BotaLajme