Ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, u arrestua nga Njësia Speciale e Policisë së EULEX-it, në shtator të vitit të kaluar.
Ai, u dërgua në Gjykatën Speciale në Hagë, nën akuzat për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.
Derisa Gucati, po gjykohet në Hagë, procesin e tij thuajse njëjtë po e përjetojnë edhe familjarët e tij.
I biri i Hysni Gucatit, Musliu për portalin lajmi.net ka rrëfyer si e sheh familja këtë proces.
“Ne e dimë që është një proces jo i drejtë dhe arrestimin e babait në fillim e kemi prit shumë rëndë dhe kemi qenë shumë të mërzitur. Por, është krenaria ajo që nuk po na lë të mërzitemi sepse si për babin Hysni Gucatin, Nasim Haradinaj, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa kanë shkuar për një kauzë dhe ideal të madh, duke mbrojtur vlerat më të mëdha të kombit shqiptar. Janë dashur 2000 vjet që të dal një lëvizje e re në vitet e ’90-ta, siç ka qenë UÇK-ja, me tërheqë vëmendjen e perëndimorëve dhe ne sot ta kemi shtetin tonë”, ka thënë Gucati.
E, mënyrën e arrestimit, pas bastisjes së zyrave nga EULEX, Gucati para gjykatës e konsideroi të panevojshëm. Të njëjtin mendim e ndan edhe i biri i tij. Ai gjithë arrestimin e konsideron thjesht spektakël.
“Ne si familje jemi prekur shumë nga kjo ndërhyrjes sepse e gjitha ka qenë një show dhe spektakël, thuajse ka qenë një film aksion. Nuk është dashtë të bëhen gjëra dhe veprime të tilla. Babai im është invalid dhe nuk do të bënte ndonjë rezistencë edhe nëse kishte dashtë. Është një njeri që është plagosur, ka qenë në gjendje ta jap edhe jetën, i ka dhënë edhe gjymtyrët e trupit. Ndërhyrja e tyre ka qenë shumë e panevojshme dhe një spektakël i madh”, ka vazhduar rrëfimin ai.
Derisa janë bërë më shumë se 4 muaj, që Gucati po mbahet në Hagë, komunikimi me familjarë nuk mungon.
“Çdo ditë komunikojmë. Temat e zakonshme, Si po kaloni?, Si jeni? A po ndiheni rahat? Si po sillen në qendrën e paraburgimit?. Sa i përket stafit të qendrës së paraburgimi, ai thotë se kanë sjellje korrekte dhe nuk ka ndonjë problem apo diçka të tillë”, ka treguar Gucati për lajmi.net.
Së bashku me Gucatin atje po gjykohen edhe Nasim Haradinaj, Salih Mustafa, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Derisa, bindjet politike i ndan në Kosovë, fatkeqësisht po i bashkon procesi gjyqësor në Hagë.
“Ne po komunikojmë me babin. Ata mirë janë. Qëndrojnë të gjithë së bashku dhe nuk është duke u mërzitur asnjëri. Prej orës 07:00, kur zgjohen, dalin nga dhomat deri në orën 20:30 të gjithë janë së bashku. Ushqimin e përgatisin së bashku, për shëtitjen që e bëjnë në hapësirat e hapura janë së bashku dhe kanë së hapësirë ku rrinë të gjithë së bashku. Kanë edhe programe të ndryshme televizive, një nga to është RTK-ja që munden me ndjek. Prej orës 20:30 secili shkon në dhomat e tyre”, ka bërë të ditur i biri i Hysni Gucatit.