“Turqia synon tregti më të fuqishme me Britaninë pas Brexit-it”

Kreu i Zyrës së Investimeve të Presidencës së Turqisë, Arda Ermut, ka deklaruar se lidhjet tregtare të Turqisë me Mbretërinë e Bashkuar do të forcohen pas Brexit-it.

Duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të forta midis Turqisë dhe Britanisë, Ermut tha se vendi i tij po vlerëson të gjitha pasojat e mundshme dhe po vepron nën një skenar ku marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare rriten më fuqishëm, raporton AA.

Ndërsa Remzi Gür, kryetar i Këshillit të Biznesit të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme (DEIK) Turqi-Mbretëri e Bashkuar, tha se rreth 3.000 biznese britanike funksionojnë në mënyrë aktive në Turqi, pasi Mbretëria e Bashkuar është ndër investitorët kyç në vend.

Gür për AA tha se bizneset dhe mundësitë e investimeve të ndërsjella duhet të hulumtohen.

“Turqia është e gatshme të ndërmarrë të gjitha llojet e hapave politikë dhe ekonomikë mbi këtë çështje”, shtoi ai.

Siç tha ai, të dyja vendet kanë vendosur të bashkëpunojnë për çështje të tilla si në fushën e mbrojtjes dhe hapësirës.

“Të dyja vendet kanë projekte të përbashkëta ndërtimi dhe infrastrukturore në përputhje me interesat e tyre të përbashkëta në vendet e treta”, theksoi Gür.

Mbretëria e Bashkuar është ndër 17 vendet në ‘Masterplanin e eksportit të Turqisë’, që synon një objektiv për rritjen e tregtisë së jashtme dhe eksporteve.

Sipas Institutit të Statistikave Turke (TurkStat), vëllimi tregtar midis dy vendeve që nga viti 2018 arriti në 18.8 miliardë dollarë, me 11.2 miliardë dollarë në eksporte dhe 7.4 miliardë dollarë në importe.

Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i dytë më i madh për eksportet turke, nga viti 2017 me një rritje prej 15.7 për qind të eksporteve në vend. Importet po ashtu u rritën me 13.7 për qind.

Mirëpo, ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ka paralajmëruar se nëse Britania ndahet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje për Brexit-in, tregtia midis Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mund të rrezikohet me një rënie deri në 3 miliardë dollarë.

Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar është planifikuar të largohet nga BE-ja më 31 tetor, por trazirat në qeverinë britanike kanë rritur mundësinë e një prolongimi tjetër të datës së largimit.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet