Turqia planifikon 7.400 operacione kundër PKK-së për këtë vjeshtë-dimër

Ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu (Süleyman Soylu) deklaroi nga Shërnak se ata po planifikojnë të kryejnë mbi 7.400 operacione kundër organizatës terroriste separatiste PKK.

Ministri Sojllu u takua me ushtarët në një mëngjes pune në kuadër të kontakteve në provincën juglindore Shërnak (Şırnak).

Në fjalën drejtuar ushtarëve Sojllu deklaroi se operacionet tokësore, ato të koduara “gracka” dhe “rrufeja” nuk e kanë lënë organizatën terroriste të ngrejë kokë për asnjë çast, ndërsa shtoi se në pranverë-verën e 2020-s operacionet janë realizuar me 43 për qind mbi planin.

Soylu tha se që nga 1 tetori kanë filluar kundër organizatës terroriste operacionet vjeshtë-dimër dhe se për këtë periudhë janë planifikuar më shumë se 7 mijë e 400 operacione.

Ministri i Brendshëm deklaroi se numri i terroristëve që janë dorëzuar tek forcat e sigurisë falë punës bindëse ka shkuar në 174, përfshi edhe terroristin e vetëdorëzuar mbrëmë.

Operacionet antiterroriste në Turqi dhe përtej kufirit,- vijoi ministri,- po vazhdojnë me vendosmëri.

Ministria e Brendshme nuk e ka lënë organizatën terroriste separatiste të marrë frymë lirisht për asnjë çast edhe me operacionet pranverë-verë që ka bërë midis 15 prillit dhe 30 shtatorit të këtij viti.

Megjithëse për periudhën pranverë-verë ishin planifikuar 5 mijë e 981 operacione, ky numër u tejkalua dhe arriti në 8 mijë e 523 operacione të realizuara.

Në këto operacione u neutralizuan 346 anëtarë të organizatës terroriste, përfshi 145 përmes bindjes, vetëdorëzimit dhe kapjes së gjallë.

Në periudhën vjeshtë-dimër 2019-2020 u kryen gjithsej 7 mijë e 852 operacione dhe në këto operacione u neutralizuan 112 terroristë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet