Turqia grant Shqipërisë për flotën e re të Emergjencave Civile

“Në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ne që prej afro çerek shekulli arrijmë të ofrojmë kontributin tonë për Forcat e Armatosura Shqiptare, aleates tonë në NATO”, tha ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë prezantoi sot flotën e re të autoambulancave dhe uniformat e emergjencave civile në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat janë grant i Qeverisë së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük si dhe drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në fjalën e saj gjatë prezantimit të flotës së re të Emegjencave Civile, ministrja Xhaçka shprehu falënderim të veçantë për popullin mik turk dhe qeverinë turke.

Duke theksuar se “miku i mirë duket në kohë të vështira” ajo tha se “besoj që kjo fjalë përshkruan më së miri raportin e marrëdhëniet mes dy popujve, dy vendeve e dy qeverive tona”, tha Xhaçka.

“Faza e parë e grantit të qeverisë turke na ka mundësuar të bëjmë shumë për pajisjen e strukturës së mbrojtjes civile me mjetet dhe pajisjet e nevojshme për të kryer detyrën e tyre”, u shpreh ministrja duke rikujtuar projektligjin e miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë, falë së cilës procesi modernizimit do të vazhdojë edhe më tej.

“Duke filluar me 6 ambulancat moderne, që janë në fakt mini spitale lëvizëse të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme, që nga respiratorët, kompletet e imobilizimit për frakturat apo edhe shumë aparatura të tjera për ndihmë të parë të specializuar, të adhura nga Turqia”, theksoi Xhaçka e cila shtoi se:

“Duke vazhduar me rritjen e kapaciteteve për shuarjen e zjarreve, pajisjet për heqjen e ujërave pas përmbytjeve, mbi 100 çadra me sipërfaqe nga 25 deri në 100 metra katrorë, e deri tek 1250 uniformat e reja të brenduara me logon e Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, nga ku 500 palë uniforma të posaçme kundër shiut, 400 palë kundër zjarreve në pyje, që janë një nga sfidat tona të përvitshme, 250 palë uniforma kërkim shpëtimi dhe 100 uniforma për zjarrëfikës profesionistë”.

– “Vlera e materialeve dhe pajisjeve kap shifrën 1,5 milionë dollarë”

Ndërsa, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrje në këtë ceremoni.

“Menjëherë pas tërmeteve në muajt shtator dhe nëntor të vitit të kaluar dhe gjatë pandemisë së COVID-19, me udhëzime të Presidentit tonë të gjithë institucionet përkatëse u vunë në gadishmëri dhe u nxituan për të ndihmuar vëllezërit tanë shqiptarë. Qoftë me pjesëmarrjen e ekipeve të kërkim shpëtimit që operuan direkt në terren, qoftë edhe me qendrën e menaxhimit të emergjencave të fatkeqësisë natyrore, Ministrisë së Shendetësisë, Agjencinë TIKA dhe Gjysëm Hënës së Kuqe, ne kemi nxituar për të ofruar ndihmat më imediate dhe njëkohësisht për të mjekuar sado pak plagët e shkaktuara”, tha Yörük.

Duke folur për marrëdhëniet e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, ambasadori Yörük theksoi: “Marrëdhëniet e bashkëpunimit ushtarak përbëjnë një nga dimensionet më të rëndësishme të marrëdhënieve të veçanta të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ne që prej afro 25 viti arrijmë të ofrojmë kontributin tonë për Forcat e Armatosura Shqiptare, aleates tonë në NATO”.

“Njëkohësisht ne vazhdojmë punën dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes për të bërë të mundur rritjen e kapaciteteve të forcave civile në një afat të mesëm dhe afat të gjatë. Në këtë kontekst ne sot i dorëzojmë vëllezërve shqiptarë 6 autoambulanca tërësisht të kompletuara, 400 uniforma zjarrfikse, 500 uniforma që do të përdoren gjatë operacioneve të fatkeqësive natyrore të përmbytjeve, 100 uniforma speciale zjarrfikse, 250 uniforma të ndryshme për kërkim shpëtimin dhe 160 çadra të llojeve të ndryshme. Vlera e të gjithë këtyre materialeve dhe pajisjeve kap shifrën 1,5 milionë dollarë”, përfundoi Yörük.

Kujtojmë se pjesë e grantit nga Qeveria e Turqisë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë 6 autoambulanca të dhuruara në muajin prill, ndërsa 1.300 uniforma dhe 100 çadra të madhësive të ndryshme janë dhuruar në kuadër të ceremonisë së sotme.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet