Turqia e kishte nënshkruar që në vitin 2013, Kosova ende mban peng marrëveshjen për tregtinë e lirë

Po bëhen afro gjashtë vjet që kur në Ankara, në shtator të vitit 2013, është nënshkruar marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës e Turqisë. Marrëveshja ishte nënshkruar pas negociatave të vazhdueshme për një vit në mes të dy ekipeve negociatore, shkruan Gazeta e Re.

Marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet dy vendeve e nënshkruar atëherë e cila asnjëherë nuk është jetësuar në praktikë, kjo për shkak të neglizhencës apo edhe ‘qëllimshëm’ nga ana e institucioneve të Kosovës dhe mos aprovimit nga presidenti i Kosovës.

Ministrja e atëhershme e Tregtisë e Industrisë, e cila njëkohësisht ishte zëvendës-kryeministre, Mimoza Kusari – Lila, pat thënë se marrëveshja do të ndihmonte zhvillimin e bizneseve, jetën e qytetarëve dhe ngritjen e investimeve të huaja. Por pasardhësja e ministres Lila në pozitën e ministres së Tregtisë e Industrisë, Hikmete Bajrami, atëherë kishte thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë rreth marrëveshjes.

Ish ministrja Kusari Lila në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, thoshte se marrëveshja garantonte heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.

“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovar. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, thoshte ministrja Kusari – Lila.

Ndryshe, në një prononcim për kallxo.com ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se Kosova nuk ka marrëveshje më Turqinë.

“Kosova nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë. Kjo iniciativë ka qenë shumë ma herët në parlament por ka dështu por ne si Kosovë ende nuk kemi marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë. Turqia kur dërgon produkte në Kosovë paguan doganë, por ne si ministri ende nuk kemi marrëveshje me Turqinë”, tha Shala.

Edhe deputeti Fikrim Damka, në një prononcim për KosovaPost kishte thënë se marrëveshja ende nuk ka ardhur në stadin final, në Kuvendin e Kosovës për miratim si marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas tij, Turqia i ka kryer të gjitha obligimet e saj lidhur me marrëveshjen.

“Para 6 vitesh është nënshkruar një marrëveshje në mes dy ministrive të tregtisë asaj të Kosovës dhe Turqisë, por ende nuk është realizuar, nuk ka kaluar në fazën e fundit në Kuvendin e Kosovës. Turqia i ka përfunduar obligimet që i ka pasur dhe i ka aprovuar në Kuvendin e Turqisë, por mbetet ende në anën e Kosovës të përmbushë kriterin e fundit, të aprovon me dy të tretat e Kuvendit të Kosovës”, tha Damka duke shtuar se deputetët ende nuk e kanë parë këtë marrëveshje.

“Ende nuk e kemi parë marrëveshjen, dikush po thotë që është të presidenca, presidenca thotë së është në Ministrinë e Jashtme, ndërsa ministri i jashtëm thotë se është në Ministrinë e Tregtisë, kurse ai thotë që është në Kuvend. Ende është një enigmë se ku gjendet kjo marrëveshje. Mendoj se nuk ka vullnet as prej pozitës e as opozitës e as prej ministrive që të shtyjnë këtë proces përpara dhe të marrë fund, sepse kjo marrëveshje e tregtimit të lirë me Turqinë është në dobi të Kosovës dhe nuk është humbje, as për tatimet as për prodhuesit, por do të jetë një ndihmë e madhe për ta. Kjo marrëveshje lehtëson sidomos eksportin e prodhimeve ushqimore, bujqësore drejtë Turqisë”, është shpreh Damka.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet