Turqia dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e banesave

Ministrat Kurum dhe Ahmetaj nënshkruan “Marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e banesave pas katastrofës”

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit i Republikës së Turqisë, Murat Kurum dhe ministri i Shtetit për Rindërtim i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kanë nënshkruar “Marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e banesave pas katastrofës” që përfshijnë ndërtimet në qytetin e Laçit të 522 banesave, 37 njësive tregtare dhe parkingut të mbyllur me kapacitet për 375 automjete, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk Kurum dhe ministri Ahmetaj zhvilluan një bisedë nëpërmjet video konferencës. Kurum bëri të ditur se këtë bisedë e zhvilluan për të nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për banesat pas tërmetit që do të ndërtohen me udhëzimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Shqipërinë, vendin mik dhe vëlla.

“Në të vërtetë kishim planifikuar që të takoheshim shumë më parë. Por për shkak të COVID-19 që ka vendosur nën ndikimin e tij të gjithë botën takimin po e kryejmë sot nëpërmjet video konferencës. Që nga tani lidhur me projektin që do të zhvillojmë ju uroj që të jetë një projekt i dobishëm për miqësinë Turqi-Shqipëri dhe për vëllezërit e prekur nga tërmeti”, tha Kurum.

“Me detyrën vëllazërore, jo vetëm në pikën e projekteve për banesat, Turqia ndodhet gjithmonë, në çdo fushë pranë popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”, theksoi Kurum duke rikujtuar se menjëherë pas tërmetit në nëntor 2019 shteti turk është përpjekur të ndihmojë shtetasit e Shqipërisë me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

Pasi ka shpjeguar se në këtë kuadër kanë marrë pjesë në punimet e përcaktimit të dëmeve për ndërtesat publik, banesat në Tiranë dhe Durrës, ministri Kurum u shpreh edhe njëherë që “Allahu të mëshirojë personat që humbën jetën në tërmet si dhe ka shprehur ngushëllimet për Republikën e Shqipërisë”.

“Sot me ‘Marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e banesave pas katastrofës’ përfshihen ndërtimet në qytetin e Laçit të 522 banesave, 37 njësive tregtare dhe parkingut të mbyllur me kapacitet për 375 automjete. Me këtë marrëveshje kemi filluar zyrtarisht këtë proces. Projektet e ndërtesave i kemi përgatitur të përshtatshme me arkitekturën lokale të Shqipërisë dhe me zakonet e përdorimit të banesave të vëllezërve tanë në Shqipëri”, theksoi Kurum.

Kurum tha se sot kanë zhvilluar seancën e fundit të tenderimit dhe se me dorëzimin e territorit do të fillojnë në mënyrë të shpejtë ndërtimet.

“Përvoja teknike dhe praktike e TOKI do të zbatohet me sukses edhe në Shqipëri” 

Procesi i ndërtimit të banesave zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor (TOKI), tha Kurum i cili ka vënë në dukje se “Kryesia e TOKI-t, është institucioni më i rëndësishëm publik i vendit tonë në ndërtimin e banesave. Në Turqi ka realizuar me sukses ndërtimin e mbi 1 milionë seksioneve të pavarura prej të cilave 940 mijë janë zona banimi”.

Ministri Kurum shtoi se pas fatkeqësive natyrore të përjetuara jashtë vendit TOKI ka kryer ndërtime të banesave, spitaleve, shkollave dhe ndërtesave për shërbimin publik me qëllim ndihmën humanitare në Indonezi, Sri Lanka, Pakistan dhe Somali.

“Këtë përvojë teknike dhe praktikë zbatimi të TOKI-t do ta vendosim në zbatim me sukses edhe në Shqipëri”, theksoi Kurum, i cili ka shtuar:

“Shpresojmë që sa më shpejt të kryejmë ceremonitë e dorëzimit të banesave me pjesëmarrjen e presidentëve Recep Tayyip Erdoğan dhe Ilir Meta, si dhe kryeministrit Edi Rama. Shpresoj që ky bashkëpunim me Shqipërinë do të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve. Që nga tani uroj që këto streha të reja që do ndërtojmë të jenë të dobishme. Shpreh falënderimet e mia presidentit tonë, autoriteteve shqiptare, ambasadës tonë në Tiranë të cilët kanë kontribuar shumë në formimin e kësaj marrëveshjeje. Zemra e popullit shqiptar dhe popullit turk janë gjithnjë bashkë dhe rrahin gjithmonë bashkë. Dhe si të tillë do vazhdojnë të jenë”.

Ndërkohë edhe ministri Ahmetaj ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin që do të kryejnë.

Pas fjalimeve dy ministrat nënshkruan “Marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e banesave pas katastrofës”.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara mijëra njerëz.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet