Turqia dhe partneriteti i saj i padiskutueshëm me Kosovën

Rreth raporteve Kosovë – Turqi, përherë do të ketë diskutime të gjata e të zjarrta. Së fundi vëmendjen opinionit publik rreth natyrës së marrëdhënieve të shteteve në fjalë, e ktheu rasti Dedaj. Tashmë ish zëvendësministri, mori një vërejtje serioze nga qeveria e tij pas disa postimeve që nxitën reagimin e komunitetit turk dhe opinionit të gjerë, e që si rrjedhojë u shkarkua edhe nga posti. Por, befasisht, ai u emërua ambasador i Kosovës në Republikën e Maqedonisë, vetëm disa ditë më vonë. Megjithëse rasti i tij duket që po shkon drejt mbylljes, diskutimet  kanë vazhduar, sidomos në rrjetet sociale. Faktet që ofrojnë njohësit e marrëdhënieve shqiptaro-turke, dëshmojnë se partneriteti i Turqisë dhe qëllimet e saj të mira ndaj vendit tonë, as që duhet të vihen në diskutim! – Shkruan Gazeta e Re.

Kroati Branimir Anzulovic, te libri i tij i njohur Serbia Hyjnore, gjenezën e fashizmit serb, ndër të tjera, e lidh edhe me periudhën e Serbisë nën pushtetin osman. Ai shpjegon se si u akumulua urrejtja shekullore, pasi që ata (serbët), në këtë periudhë, u renditën si qytetarë të rendit të dytë. Por shqiptarët ndërtuan raporte të tjera dhe nuk mund të ndiheshin të nënvlerësuar. Fakti që kishte afro tridhjetë sadriazema/kryeministra me origjinë shqiptare, mjafton. Edhe në këtë epokë, si shtete demokratike, nëse merret parasysh vetëm numri i madh i marrëveshjeve protokollare (mbi 40-të të tilla, sipas faqes së Ambasadës së Kosovës në Turqi), të nënshkruara ndërmjet shteteve, po ashtu, do të mjaftonte për t’i hedhur prapa dyshimet e të gjithë skeptikëve.

Pikërisht, duke u nisur nga konteksti historik dhe niveli i marrëdhënieve aktuale, njohësi i çështjeve ndërkombëtare Arianit Sllamniku, mendon se nuk duhet të dyshohet për sa i përket këtyre raporteve.

<<Marrë parasysh rrafshin diplomatik dhe fushën e gjeo-politikave rajonale, Kosova është një shtet i vogël dhe pa ndonjë ndikim në rrafshin global. Si e tillë, ajo duhet të jetë e afërt me të gjithë, por do të ndihej e sigurt nëse së pari është besnike e sistemit politik të saj, sepse kjo e determinon edhe pozitën e saj në raport me aleancat e mëdha globale, ku ndikimi i saj, merret vesh nuk është substancial>> – thotë Sllamniku. Ai i merr parasysh aspiratat e Kosovës drejt BE-së e NATO-s, kontekstin e brishtë politik në vend dhe apetitet e shteteve fqinje (të cilat sipas tij nuk duhet të neglizhohen), por edhe mungesën e vizionit diplomatik të kosovarëve. Mungesa e një strategjie të qartë, vendimet ad-hoc të qeverisë dhe institucioneve, kauzat e krijuara në kurriz të tensioneve që shpërthejnë, janë tregues që sipas Sllamnikut, nuk reflektojnë seriozitet shtetëror. Qeveritë ndërrohen, por partnerët jo. Po të kishin raporte të atilla siç kishin shqiptarët në kohën e osmanëve, edhe grekët, serbët dhe të tjerët, do të ndiheshin më të afërt me turqit e sotëm, shton ai. Por ai e vë theksin te natyra e diplomacisë e cila zhvillohet sot: << Për dallim nga diplomacia e tipit të mbyllur e shekujve të kaluar, sot aplikohet një diplomaci e hapur dhe tejet aktive.>>

Ai këshillon që krerët e republikës sonë, nuk guxojnë ta lënë mënjanë ndihmën e Republikës së Turqisë në kohët më të vështira: <<Intervenimi gjatë luftës në Kosovë kundër caqeve serbe, pranimin e qindra mijëra refugjatëve gjatë kësaj periudhe, njohja e sovranitetit të Kosovës, lobimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur për njohjen e shtetësisë së republikës sonë, si dhe shumë veprime të tjera të dobishme, nga njëra prej anëtareve më të fuqishme në kuadër të NATO-s, do të thotë shumë për vendin tonë.>>

Sllamniku mendon që zyrtarët tanë shtetëror, duhet të synojnë forcimin e raporteve të ndërsjella dhe kurrsesi zbehjen e raporteve, me këtë partner të rëndësishëm strategjik.

 

Si kurrë më parë, Turqia ka njohur një hov të madh të zhvillimit ekonomik, në dekadat e fundit. Vetëm vitin e kaluar, rritja ekonomike ka kapur shirën 7.4%. Kështu pat deklaruar para pak kohësh Mehmet Shimshek, zëvendëskryeministri përgjegjës për ekonominë. Kjo rritje, përtej çdo pritje, i ka befasuar edhe analistët dhe institucionet relevante. Kosova mund të përfitojë shumë nga investimet nga ana e turqve, sikurse që po përfitojnë vendet e tjera të rajonit, po qe se krerët e vendit do të kujdeseshin më shumë për ruajtjen e raporteve dhe sidomos të tregoheshin të hapur për bashkëpunim. Ky është sugjerimi i njohësve të fushës fundja, të cilin qeveritarët nuk mund ta injorojnë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet