Turqia dënon “fuqishëm” sulmin ndaj misionit të OKB-së në Mali

Paqeruajtësit e misionit MINUSMA pranë qytetit Douentza u shënjestruan me sulm direkt dhe indirekt nga sulmues të panjohur në orët e mëngjesit

Turqia dënoi “fuqishëm” sulmin terrorist ndaj misionit të OKB-së në Mali, që la të plagosur disa paqeruajtës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të pikëlluar që morëm lajmin se 20 paqeruajtës të MINUSMA-s (Misioni i Stabilizimit të Integruar Shumëdimensional i Kombeve të Bashkuara në Mali) u plagosën në një sulm terrorist në një bazë të misionit në pjesën qendrore të Malit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke.

Ministria shtoi se “Turqia i kushton shumë rëndësi paqes dhe stabilitetit në Mali, vend miqësor dhe vëllazëror” dhe uroi “shërim të shpejtë për paqeruajtësit e plagosur të OKB-së”.

Paqeruajtësit pranë qytetit Douentza u shënjestruan me sulm direkt dhe indirekt nga sulmues të panjohur rreth orës 7:00 të mëngjesit me kohën lokale (0700GMT), njoftoi një zëdhënës i misionit të OKB-së.

Punëtorët humanitarë dhe ushtarët malianë janë përballur me sulme të përsëritura për shkak të luftës së tyre kundër terrorizmit. Që nga fillimi i vitit 2021, disa paqeruajtës janë vrarë dhe plagosur në shpërthime ose në përleshje me grupe të armatosura.

Kategoritë
BotaLajme