“Turqia bleu sistemin S-400-in për të mbrojtur shtetin”

Zv/kryetari i partisë në pushtet thotë se fillimi i dërgesave të S-400-it është rezultat i qëndrimit të palëkundur të Turqisë bazuar në të drejtën e saj sovrane.

Turqia bleu sistemin rus për mbrojtje ajrore S-400 duke mos pasur synim që të sulmojë, por të mbrojë shtetin, deklaroi një zyrtar i lartë i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

“Fillimi i dërgesave të S-400-it rus është rezultat i qëndrimit të palëkundur të Turqisë bazuar në të drejtën e saj sovrane”, tha për Anadolu Agency (AA) Bülent Türen, zv/kryetari i AK Partisë.

Turqia bleu sistemin për mbrojtje ajrore S-400 për nevojat e saja të sigurisë, tha Türen, deputeti nga provinca perëndimore Çanakkale.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të respektojë të drejtat sovrane të Turqisë. “Ne e blemë këtë sistem duke mos pasur synim që të sulmojmë por të mbrojmë shtetin tonë”, sqaroi ai.

Dërgesat e para të pajisjeve të sistemit rus për mbrojtje ajrore S-400 në Ankara filluan të premten.

Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të, Ankaraja në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin mbrojtës rus S-400.

Zyrtarët amerikanë e kanë këshilluar Turqinë që të blejë mburojën raketore amerikane Patriot në vend të S-400-it, duke thënë se sistemi rus nuk do të ishte në përputhje me sistemet e NATO-s dhe se do të ekspozonte avionin F-35 ndaj një dredhie të mundshme ruse.

Megjithatë, Turqia ka theksuar se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbënte rrezik për aleancën.

Turqia ka kërkuar formimin e një komisioni për të qartësuar çdo çështje teknike, por SHBA-të nuk i janë përgjigjur propozimit.

SHBA-të kanë kërcënuar Turqinë me sanksione në lidhje me blerjen, ndërsa Turqia është kundërpërgjigjur me kundërmasa.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet