Turqi, udhëheqësi i kultit dënohet me mbi 1.000 vite burg

Drejtuesi i organizatës kriminale u arrestua në vitin 2018 së bashku me më shumë se 200 bashkëpunëtorë, pas akuzave për abuzim seksual.

Një gjykatë turke sot dënoi Adnan Oktarin, udhëheqësin e një kulti, me mbi 1.000 vjet burg për dhjetë krime të ndara, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykata e Krimeve të Rënda në Stamboll gjykoi 236 të pandehur, përfshirë 78 të paraburgosur, për krimet e tyre të organizuara nën drejtimin e Oktarit, thonë burime nga gjykata në kushte anonimiteti.

Gjykata e dënoi Oktarin me gjithsej 1.075 vjet e tre muaj burg nën akuzat e themelimit dhe udhëheqjes së një organizate kriminale, spiunazh politik ose ushtarak, duke ndihmuar Organizatën Terroriste FETO edhe pse nuk ishte anëtar i saj, abuzim seksual i të miturve, abuzim seksual, privim i lirisë së personit, tortura, shkelje e të drejtës për arsimim, regjistrimi i të dhënave personale dhe kërcënim.

Udhëheqësi 64-vjeçar i kultit, i cili kishte një kanal televiziv, u arrestua në vitin 2018 së bashku me mbi 200 bashkëpunëtorë, pas akuzave për abuzim seksual dhe rrëmbim të të miturve.

Kanali televiziv i Oktarit transmetonte shfaqjet e tij të rrethuar nga gra të cilave ai iu referohej si “kotelet” e tij.

Tarkan Yavaş, një nga të pandehurit, gjithashtu u dënua me 211 vjet burg si anëtar ekzekutiv i organizatës, abuzim seksual të të miturve, abuzim seksual, deklarim të rremë të pasurisë dhe të dokumenteve zyrtare.

Oktar Babuna, i pandehuri tjetër, u dënua me 186 vjet burg për anëtarësim në një organizate kriminale, abuzim seksual të të miturve dhe abuzim seksual.

Gjykata vazhdon të deklarojë vendimet për të pandehurit e tjerë.

Kategoritë
BotaLajme