Turqi, numri i “hoteleve të sigurta” në Antalya arrin në 301

Me hotele që kanë marrë certifikatë të sigurisë në mes të pandemisë, qyteti jugor turistik po pret vizitorë vendas dhe të huaj.

Gjithsej 301 hotele kanë marrë Certifikatë të Turizmit të Sigurt në qytetin jugor turk të Antalyas, i cilësuar shpesh si kryeqyteti i turizmit i Turqisë dhe i njohur me plazhet me flamur të kaltër dhe vendet dhe artifaktet historike.

Si pjesë e masave të miratuara kundër koronavirusit të ri (COVID-19), qyteti turistik ofron mundësi të turizmit të sigurt për vizitorët vendas dhe të huaj falë Programit të Certertifikimit të Turizmit të Sigurt të nisur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, Ministria e Turizmit dhe Kulturës, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo Transportit, së bashku me afaristët e këtij sektori.

Industria e turizmit në Antalya ka fituar vrull pasi turistët vendas dhe vizitorët ukrainas dhe britanikë kanë filluar të vijnë në masë të madhe në qytet, duke qëndruar në hotele të përfshira në këtë program.

Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia e Turizmit, Promovimit dhe Zhvillimit në Turqi, gjithsej 491 objekte akomodimi kanë aplikuar për certifikim deri më tani dhe 301 prej tyre kanë marrë dokumentin zyrtar. Procesi i dokumentacionit është duke u zhvilluar edhe për objektet e mbetura.

Gjithashtu, 30 restorante dhe kafene kanë marrë dokumente për bizneset dhe procesi po zhvillohet për 36 të tjera.

Ülkay Atmaca, drejtori i Shoqatës Profesionale të Menaxhimit të Hoteleve, tha për Anadolu Agency (AA) se hotelet e kuptuan shpejt rëndësinë e rregullimit të objekteve të tyre në mes të pandemisë së virusit, duke rishikuar kështu strukturën e tyre organizative në këtë drejtim.

Duke theksuar se turistët kanë kërkuar të qëndronin në hotele me certifikim sigurie, Atmaca tha se masat kanë përmbushur pritjet e turistëve vendas dhe ndërkombëtarë që kërkojnë të shijojnë një pushim pa probleme në qytetin turistik.

Ai shtoi se 25.000 punëtorë të punësuar në sektorin e turizmit kanë marrë trajnim online në përputhje me programin e certifikimit.

Ndërkaq, Erkan Yağcı, kreu i Unionit të Hotelierëve dhe Operatorëve Turistikë të Mesdheut (AKTOB), tha se të gjitha objektet e turizmit janë të vetëdijshme për rëndësinë e certifikimit.

Yağcı tha se vëmendje e madhe i është kushtuar çështjeve të higjienës, dezinfektimit dhe distancimit social mes pandemisë.

Kategoritë
BotaLajme