Turqi, anija Fatih niset për të zhvilluar shpimin e parë në Detin e Zi

“Pas përfundimit të periudhës përgatitore prej afro një muaj e gjysmë, Fatih do të fillojë shpimin e parë të tij në Detin e Zi në lokacionin Tuna-1 në mes të korrikut”, tha Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez.

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez, tha se anija e parë turke e shpimit, Fatih, lundroi nga Porti Haydarpaşa i Stambollit në një mision shpimi në Detin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e nisjes, ministri tha se kullat 103 metra të gjata të anijes Fatih u çmontuan në portin Haydarpaşa për të bërë të mundur që anija të ketë një kalim të sigurt nën urat përmes Bosforit dhe është parashikuar që më 1 qershor të arrijë në Trabzon, në verilindje të Turqisë, ku do të montohen sërish.

“Pas përfundimit të periudhës përgatitore prej afro një muaj e gjysmë, Fatih do të fillojë shpimin e parë të tij në Detin e Zi në lokacionin Tuna-1 në mes të korrikut”, tha Dönmez.

Ai gjithashtu tha se Turqia do të vazhdojë të kryejë studime për eksplorimin në det të hapur, që siç theksoi Dönmez, është thelbësore për pavarësinë energjetike të vendit.

“Yavuz vazhdon operacionet e tij në lokacionin Selçuklu-1 në Detin Mesdhe, që shënon aktivitetin e 7-të të shpimit të thellë që zhvillohet në zonë. Anijet sizmike Barbaros Hayrettin Paşa dhe Oruç Reis po eksplorojnë gjithashtu detet tona”, tha ai.

Turqia, si një shtet garantues për Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), aktualisht është duke kryer veprimtari kërkimi për hidrokarbur në Mesdheun Lindor me dy anije shpimi.

Anija e tretë turke e shpimit, Kanuni, më 15 mars arriti në Mersin, një qytet bregdetar në rajonin e Mesdheut.

Sipas ministrit Dönmez, Kanuni gjithashtu pritet të fillojë operacionet në Detin Mesdhe këtë vit, pas përfundimit të studimeve të rinovimit dhe azhurnimit,

Sipas Programit Vjetor Presidencial të Turqisë për vitin 2020, vendi planifikon të zhvillojë pesë aktivitete të shpimit në Mesdheun Lindor.

“Dy anijet tona sizmike dhe dy anijet e shpimit do të vazhdojnë të punojnë në Mesdheun Lindor me një kapacitet të plotë. Me lundrimin e anijes Fatih në Detin e Zi, ne tani kaluam hendekun më të rëndësishëm”, tha ministri i energjisë.

Eksplorime të reja në Mesdheun Lindor brenda 3-4 muajve

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra për bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Marrëveshja detare i njohu të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor përballë shpimit të njëanshëm nga administrata e qipros greke, duke sqaruar se TRNC gjithashtu ka të drejta për burimet në këtë zonë. Marrëveshja hyri në fuqi më 8 dhjetor.

Dönmez tha se sipas kësaj marrëveshjeje, ndërmarrja kombëtare turke e naftës Turkish Petroleum ka bërë kërkesë për aktivitete shpimi në zonat e licencuara të vendit.

“Brenda 3-4 muajve të ardhshëm, parashikohen të fillojnë aktivitetet tona të para këtu”, tha Dönmez dhe shtoi se do të bëhen studime sizmike dhe më vonë zonat e eksplorimit do të përcaktohen në varësi të analizës së të dhënave sizmike.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet