Trumpi fyen imunologun kryesor në SHBA: “Fauci është katastrofë”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur “katastrofë” imunologun kryesor në vend, Anthony Fauci, duke thënë se amerikanëve u kanë ardhur te hunda mesazhet e tij në lidhje me COVID-19.

“Njerëzit po flasin, le të bëhet çfarë të bëhet, vetëm na lini të qetë. Janë lodhur ta dëgjojnë Faucin dhe gjithë idiotët”, u ka thënë Trump njerëzve të tij që po punojnë për fushatën e tij, shkruan “The Guardian” të hënën. Ai i porositi ata se e di çfarë duhet të bëjë për të fituar zgjedhjet e 3 nëntorit, ku kundërkandidat ka demokratin Joe Biden.

Trump dhe Fauci, që udhëheq ekipin e presidentit në luftën kundër koronavirusit, kanë marrëdhënie të tensionuara që nga fillimi i pandemisë.

Në SHBA deri më tash kanë vdekur mbi 220 mijë persona si pasojë e COVID-19, derisa janë prekur mbi tetë milionë.

E Trumpi tha se po të dëgjohej Fauci, gjendja në SHBA do të ishte shumë më e keqe.

“Fauci është katastrofë, po ta dëgjoja do të kishim 500.000 të vdekur”, tha Trump.

Fauci në disa raste është kundërpërgjigjur në pretendimet e Trumpit për COVID-19, derisa ka thënë se nuk çuditet që presidenti u prek nga kjo sëmundje.

Fauci tash e 36 vjet është në krye të Institutit Nacional për Alergji dhe Sëmundje infektive.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet