Edhe dhjetë pengje do të lirohen së shpejti nga Gaza, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, pa dhënë detaje shtesë.
Trump e bëri këtë deklaratë gjatë një darke me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë, duke lavdëruar përpjekjet e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.
Negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit po marrin pjesë në raundin më të fundit të bisedimeve për armëpushim që po zhvillohen në Doha që nga 6 korriku, ku po diskutohet një propozim për një armëpushim 60-ditor, i mbështetur nga SHBA.
“E kemi kthyer shumicën e pengjeve. Së shpejti do të kemi edhe dhjetë të tjerë dhe shpresojmë që gjithçka të përfundojë shpejt,” tha Trump.
Trump prej javësh ka parashikuar se një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve është e pashmangshme, por deri më tani një marrëveshje konkrete ka rezultuar e paarritshme.
Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, grupit militant palestinez që kontrollon Gazën, deklaroi të premten se grupi mbështet arritjen e një armëpushimi të përkohshëm në luftën në Gaza, por mund të rikthehet në kërkesën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse nëse aktualisht nuk arrihet një marrëveshje.
Propozimi për armëpushim parasheh lirimin e dhjetë pengjeve që mbahen në Gaza, së bashku me kthimin e trupave të 18 të tjerëve, gjatë një periudhe prej 60 ditësh. Në këmbim, Izraeli do të lirojë disa të burgosur palestinezë.
Në fushatën izraelite në Gaza kanë humbur jetën mbi 58,600 palestinezë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave izraelite, rreth 1,650 izraelitë dhe shtetas të huaj janë vrarë në konflikt, përfshirë 1,200 të vrarë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023