Trump i kërkon presidentit të Izraelit të falë Benjamin Netanyahun

Presidenti izraelit Isaac Herzog ka thënë se ka marrë një letër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke i kërkuar atij të falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili është në gjyq për tre raste të ndryshme korrupsioni.

“Këtë mëngjes, presidenti Isaac Herzog mori letrën e bashkangjitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke i bërë thirrje atij të shqyrtojë dhënien e një faljeje për kryeministrin Benjamin Netanyahu”, tha zyra e Herzog në një deklaratë të mërkurën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Netanyahu ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në çështjet gjyqësore në vazhdim, pa asnjë vendim të dhënë ende, dhe mbështetësit e tij i kanë hedhur poshtë gjyqet si të motivuara politikisht.

Kujtojmë se edhe në një fjalim në parlamentin izraelit në tetor, Trump i sugjeroi Herzog që të falë Netanyahun.

Në letër, Trump thotë se po i shkruan Herzog në një “kohë historike, pasi ne, së bashku, sapo kemi siguruar paqen që është kërkuar për të paktën 3,000 vjet”.

“Me anë të kësaj ju bëj thirrje të falni plotësisht Benjamin Netanyahun, i cili ka qenë një Kryeministër i fuqishëm dhe vendimtar i kohës së luftës”, shton ajo.

“Ndërsa unë respektoj absolutisht pavarësinë e Sistemit Izraelit të Drejtësisë… Unë besoj se ky ‘rast’ kundër Bibit… është ndjekje penale politike dhe e pajustifikuar”, thuhet në letër.

Netanyahu dhe gruaja e tij Sara akuzohen në një rast për pranimin e mallrave luksoze me vlerë më shumë se 260,000 dollarë, si puro, bizhuteri dhe shampanjë, nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.

Ai akuzohet gjithashtu për përpjekje për të negociuar mbulim më të favorshëm nga dy media izraelite në dy raste të tjera.

Kategoritë
BotaLajme