Trump e quan “qesharake” zgjedhjen e Greta Thunberg si “Person i Vitit”

“Shumë qesharake. Greta duhet të punojë për problemin e saj të Menaxhimit të Zemërimit dhe më pas të shkojë në një film të mirë të modës së vjetër me një shoqe”, ka thënë Trump.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur “qesharake” zgjedhjen e aktivistes 16-vjeçare të mjedisit, Greta Thunberg, si “Person i Vitit” nga revista Time.

“Shumë qesharake. Greta duhet të punojë për problemin e saj të Menaxhimit të Zemërimit dhe më pas të shkojë në një film të mirë të modës së vjetër me një shoqe. Qetësohu Greta, qetësohu”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Pas mesazhit të Trump, Thunberg ka ndryshuar pjesën e profilit në llogarinë e saj në Twitter.

“Një adoleshente që menaxhon problemin e kontrollit të zemërimit. Aktualisht po bisedon me një shoqe dhe po shikon një film të mirë të modës së vjetër”, ka shkruar Thunberg në përshkrimin e saj.

Në mesin e kandidatëve si “Person i Vitit” të revistës Time këtë vit gjendej edhe Trump.

Presidenti amerikan kishte reaguar edhe për zgjedhjen e kancelares gjermane Angela Merkel nga revista në vitin 2015. Ai kishte theksuar se Merkel “e ka shkatërruar Gjermaninë”.

Ndryshe, aktivistja Greta Thunberg u bë e njohur me grevat e saj javore në shkollë në vendlindjen e saj në Suedi për të tërhequr vëmendje ndaj ndryshimeve klimatike, duke inkurajuar aksione të ngjashme në afër 100 vende. Ajo bëri jehonë të madhe me fjalimet e saj në konferenca dhe mbledhje ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet