Trump-Biden, dueli për senatin, nëse fitojnë dy demokratët, senati amerikan do të ndahet 50-50

Shteti i Xhorxhias voton të martën për dy vendet vakante të Senatit, që mund t’i japin opozitës aktuale avantazhin dhe t’i mohojnë republikanëve përveç presidencës, edhe Kongresin amerikan.

Presidenti Donald Trump dhe pasardhësi i tij, Joe Bajden, kanë dalë për herë të fundit para qytetarëve të Xhorxhias për t’u kërkuar votën për dy senatorët e mbetur të vendit.

Në shtetin juglindor zhvillohet të martën balotazhi për Senatin mes pretendentëve republikanë, Keli Lofler dhe David Perdeu, dhe demokratëve, John Osof dhe Rafael Uarnok.

Fitorja e këtyre dy të fundit do i siguronte Partisë Demokratike shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, liri në vendimmarrjen politike, përpos presidencës që e siguroi më 3 nëntor.

“Nëse çoni demokratët në Uashington, do keni 2 mijë dollarë pagesë për t’i kthyer shpresën dhe nderin njerëzve që tani luftojnë me koronavirusin. Pushtetin e keni ju dhe sytë e kombit janë drejtuar nga ju. Keni mundësinë të ndryshoni kursin e Amerikës jo për katër vite, por për brezin që vjen,” deklaroi presidenti i zgjedhur Biden.

Shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë organizoi një tubim të vetin me simpatizantët, duke e konsideruar balotazhin në shtetin juglindor, më të rëndësishmin në historinë amerikane.

Trump hodhi sërish akuza për integritetin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke pretenduar se ato u manipuluan dhe iu vodhën nga kundërshtarët.

“Demokratët po përpiqen ta grabisin Shtëpinë e Bardhë. Thjesht nuk mund t’i lejoni të grabisin edhe Senatin amerikan. Duhet që të votoni përsëri në numër rekord.”

Të mërkurën, edhe Kongresi amerikan do të mblidhet për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, që nxorën fitues    Biden me 7 milionë vota më shumë sesa presidenti Trump.

Kategoritë
BotaLajme