Trieste

Albinot Maloku

Trieste është vazhdimësi e samitit të Berlinit, Vienës dhe Parisit, që zhvillohet mes partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, siç edhe cilësohet në deklaratat e përbashkëta të dalura pas përfundimit të punimeve.

Kur është në pyetje gjetja e sinonimeve për t’i emërtuar pozicionet e për t’i bërë dy e më shumë kuptimore, burokratët e Brukselit janë të perfeksionuar. Si pasojë e mungesës së një uniteti të përbashkuar karshi shteteve të Ballkanit, Bashkimi Evropian me çdo kusht provon të gjejë sinonime. Pra, jo ‘shtetet e Ballkanit Perendimor’ por ‘partnerët e Ballkanit Perendimor’. Pavarësisht mungeses së unitetit brenda BE-së, për t’i njohur të gjitha shtetet e Ballkanit Perendimor si të veçanta, ajo është duke punuar që “rajoni jofunksional të kaloj nëpër fazën e integrimit të brendshëm, para se të bëhet gati për integrimin e thellë në Bashkimin Evropian”.

“E ardhmja e Ballkanit Perendimor është në Bashkimin Evropian, një Bashkimi i atyre vendeve Evropiane që respektojnë vlerat e saj dhe i promovojnë ato”, është qëndrimi tanimë klishe i deklaratave të nxjerra pas çdo samiti të mbajtur mes BE-së dhe shteteve të Ballkanit. Mirëpo, në horizont nuk duket asgjë e konkretizuar veç tentativës për të gjetur sinonime, forma e modele për t’i mbajtur në pritje pa perspektivë popujt e shtetet e Ballkanit.

“Rajoni jofunksional”, sipas burokratëve të Brukselit duhet të funksionalizohet përmes unioneve doganore, zonave rajonale ekonomike, lidhshmërive e çka jo tjetër veç mundësisht mos të ketë konflikte. Ani pse mes veti, shtetet e Ballkanit Perendimor mes vete as nuk njihen as nuk pranohen si të barabarta. Serbisë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk i thuhet troç për obligimet që mund t’i kenë për funksionalizim të “rajonit jofunksional”. Janë dy shtete nga Ballkani e pesë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Republikën e Kosovës si shtet i barabart me shtetet tjera të rajonit, e Kosova duket me qenë më e interesuara për një rajon funksional.

Edhe Samiti i Triestes po sikur edhe samitet tjera të Bashkimit Evropian kanë folur për nevojën e bashkëpunimeve mes partnerëve të Ballkanit Perendimor, e ky bashkëpunim të ndodh duke krijuar Unione apo Zona të cilat i dedikohen rajonit. Këto kreatura kanë lënë përshtypjen se BE më shumë është e interesuar të krijojë një “Jugosllavi” duke përfshi Shqipërinë, minus Kroacinë. Hapësira ekonomike e cila do t’i angazhonte me theks vendet e Ballkanit, duke i mbajtur ato jasht tregut ekonomik evropian nuk zgjidh asgjë. Kjo është dëshmuar edhe me atë mekanizmin e njohur si CEFTA.

Shqipëria, Serbia, IRJ e Maqedonisë ose edhe Bosnja e Hercegovina mund ta konsiderojnë Zonën apo Unionin Ekonomik Rajonal si të dobishëm, por Kosova nuk nxjerr asgjë nga ky union apo zonë ekonomike rajonale. Konform kësaj, derisa Bashkimi Evropian nuk ia bënë të qartë Republikës së Kosovës pozicionin e vet, si në raport me njohjen, ashtu edhe me procesin e liberalizimit të vizave, si parakusht i asaj lidhshmërisë e lëvizjes së lirë që promovon BE, të gjitha këto samite e konferenca mund të shërbejnë për Prishtinën zyrtare vetëm sa për të ngritur zërin e për të bërë zhurmë.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Demokracia

    Albinot Maloku Pesëmbëdhjetë shtatori, që nga 2007-ta, shënohet si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë u bë...
  • Zëvendëskryeministrat

    Albinot Maloku Pas afro tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, deputetët e partive dhe partiçkave, e zgjodhën Kadri Veselin kryetar të legjislaturës së gjashtë të...
  • Bajrami

    Albinot Maloku Marrëveshje mes subjekteve politike për krijimin e institucioneve të reja të vendit ende nuk ka. Edhe pas tentimit të gjashtë të mbledhjes themeltar të Kuvendit të Kosovës...
  • Dështimi

    Albinot Maloku Me 3 gusht u caktua nga Presidenti i Republikës Hashim Thaçi, dita kur do të duhej të mbahej mbledhja e parë themeluese për legjislaturën e gjashtë dhe...