Tri detyrat që duhet t’i bëjë Qeveria e Re për emergjencat?

Rregullimi juridik i shërbimit të Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, përmirësimi i kushteve të punës dhe pajisjeve, si dhe testimi i funksionimit të Planit të Reagimit Kombëtar është domosdoshmëri.

Shkruan: Tahir Ahmeti

Emergjencat dhe reagimi kombëtar duhet të vendosen në prioritet. T’i jepet vëmendje e plotë institucionale, fatkeqësisht e munguar deri më tash.

Shteti në parim e ka për obligim kushtetues ofrimin e mbrojtjes për jetën dhe pronën e qytetarëve. Shteti në praktikë e ka për detyrim kryesor kujdesin për jetën dhe pronën e shtetasve. Dhe, për të arritur këtë, Qeveria e re duhet të ndryshojë qasjen në raport me Emergjencat dhe me funksionalizimin e Planit të Reagimit Kombëtar. Qasje tjetër sigurisht nënkupton vendosje e vëmendjes buxhetore, njerëzore dhe teknike për të gjithë sektorët veç e veç që kanë pjesë të përgjegjësive të veta në këtë fushë.

Ky sektor është lënë anash që nga shpallja e pavarësisë. Madje, disa herë ka pasur zigzage ligjore dhe institucionale në raport me emergjencat. Të mos harrojmë faktin se emergjencat janë vendosur herë në nivel qendror dhe herë në nivel komunal, por as sot e kësaj dite nuk është larguar konfuzioni i funksionimit të tyre. Edhe sot, dallimet janë të mëdha nga komuna në komunë, varësisht nga situatat komunale.

Problemet që janë krijuar aty janë të mëdha, por gjithsesi duhet lëvizur shpejt dhe për së mbari.

Urgjentisht qeveria e re duhet ta krijojë nje ekip të ekspertëve që së pari të zgjidhet statusi juridik i zjarrfikësve shpëtues në tërë territorin e Kosovës. Kjo është detyra e parë dhe pa të cilën nuk mund të ketë qasje serioze. Sigurisht se qartësia juridike e këtij institucioni është jo vetëm e nevojshme, por nuk ka asnjë kuptim që të mos rregullohet. Të paktën dy herë është ndryshuar korniza ligjore, porse nuk është bërë zgjidhje adekuate për këtë

Pastaj, të hiqet mjegulla e krijuar, sepse ky shërbim nuk ka realisht adresë të saktë menaxhuese dhe një situatë e tillë është konfuze jo vetëm për shërbimin, por edhe për institucionet dhe publikun. Shërbimi i Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, në praktikë, ka mbetur as në nivelin në qendror dhe as në nivelin lokal.

Detyra e dytë është përmirësimi i dukshëm i mundësive për zjarrëfikësit shpëtues. Kjo detyrë është po ashtu urgjente, aq më keq kur kushtet e punës dhe pajisjet për pjesëtarët e Shërbimit të Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit janë shumë larg standardeve minimale. Është detyrim i Qeverisë që të përmirësojë kushtet e këtilla, në mënyrë që ata të kryejnë punën e vet në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Detyra e tretë dhe po aq e rëndësishme me dy të parat është edhe testimi i Planit të Reagimit Kombëtar. Mandej, varësisht nga të gjeturat, të ndërtohet qasja e re vertikale dhe horizantale e reagimit kombëtar.

Është fakt i pamohueshëm se që nga viti 2012, pra tashmë pesë vite, nuk është testuar në terren dhe me të gjitha elementet përbërëse reagimi shtetëror në rast të situatave të rënda. Këto situata mund të jenë nga më të ndryshmet, si nga faktori njeri, po ashtu edhe nga natyra. Pra, që nga sulmet e supozuara terroriste deri tek fatkeqësitë e mëdha të supozuara natyrore. Do të duhej që Qeveria e re të garantojë qytetarët e Kosovës se në raste të këtilla të supozuara, reagimi kombëtar do të jetë i plotë, profesional dhe efektiv. Sepse, jodomosdoshmërisht institucionet shtetërore mund të parandalojnë të gjitha të këqijat. Porse, patjetër që institucionet shtetërore duhet të garantojnë reagim të koordinuar dhe profesional.

Në përgjithësi, sektori i sigurisë duhet të jetë prioritet nacional i Qeverisë së re. Dhe, në veçanti, emergjencat dhe reagimi kombëtar duhet të marrin vëmendjen e plotë qeveritare.

Ky ndryshim duhet të ndjehet.

Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet